Gjirokastër, alarmet e rreme për zjarret vënë në hetim 45 persona
GJIROKASTER – “Alo, 128? Ejani shpejt këtu se ka marrë zjarr pallati dhe banorët janë brenda”. Kjo fjali është përdorur dhjetëra herë nga persona të ndryshëm në adresë të shërbimit zjarrfikës të Gjirokastrës, duke i vënë ata në lëvizje të kotë. Janë rreth 166 telefonata të rezultuara të rreme, të bëra në adresë të shërbimit të zjarrfikësve gjatë muajve të verës së këtij viti. Në dy raste zjarrfikësit e të tri rretheve, kanë shkuar në skajin më verior të Qarkut, në fshatin Levan Tepelenë, ku ishin njoftuar për djegien masive të pyjeve e kullotave e bashkë me to rrezikonin madje edhe banorët e fshatit. “Kur mbërritën në Levan në kufi me Mallakastrën në orët e natës, zjarrfikësit janë kthyer të mërzitur dhe nevrikosur pas alarmit të rremë që i çoi në këmbë”, është shprehur për gazetën “Panorama” një prej punonjësve të këtij shërbimi. “Për vetë rrezikshmërinë që paraqesin vatrat e zjarrit, shërbimi zjarrfikës ka qenë i detyruar të verifikojmë në vend çdo informacion duke i marrë në konsideratë të gjitha telefonatat thirrëse për alarm”, shprehen punonjësit e zyrës së informacionit në PMNZSH e Gjirokastrës. Madje ka pasur një rast kur zjarrfikësit kanë shkuar për zjarr dhe kanë marrë me vete një grua që do të lindte. Ky rast konsiderohet edhe më unikali në Gjirokastër për vetë faktin e thjeshtë se zjarrfikësit janë lajmëruar nga familjarët e gruas në kushtet kur spitali rajonal nuk iu përgjigj telefonatës për dërgimin e një makine ambulance. Kjo ka ndodhur para 20 ditëve në fshatin Nepravishtë të Gjirokastrës dhe familja e varfër e Vishajve ka falënderuar zjarrfikësit, që ndihmuan gruan e familjes të kryente lindje normale në maternitet. Për shqetësimet e ngritura nga ana e zjarrfikësve për fenomenin e telefonatave të gënjeshtërta, ata i janë drejtuar organit të akuzës për të vepruar ligjërisht. Nga ana e vet Prokuroria e Gjirokastrës në bashkëpunim me zjarrfikësit kanë bërë identifikimin e numrave të telefonave që kanë servirur informacionin e rremë dhe disa prej telefonuesve janë thirrur në prokurori për të dhënë shpjegime. Për 45 persona, është çelur procedim penal për veprën penale të përhapjes së panikut dhe informacion të gënjeshtërt në publik. p.n