E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, nga 1 shkurti bizneset e mëdha raportim online

Papajani: Përgjim bizneseve të dyshuara për korrupsion dhe fshehje të xhiros
Bizneset e mëdha, duke filluar që prej 1 shkurtit të këtij vitit do e bëjnë deklarimin e të ardhurave vetëm në mënyrë elektronike. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, gjatë takimit me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë, u shpreh se të gjitha bizneset e mëdha prej muajit shkurt do të jenë të detyruara të raportojnë vetëm në mënyrë elektronike, online pranë Drejtorisë së Tatim Taksave. Deri tani vetëm 30 për qind e deklarimeve nga biznesi janë kryer online.

Por duke filluar që prej datës 1 shkurt ë këtij viti, të gjitha bizneset e mëdha do i bëjnë raportimet e tyre vetëm në mënyrë elektronike, kjo është ajo që për vitin 2010 do të jetë risia e re në të gjitha degët tatimore. Në këtë mënyrë, çdo tatimpagues do të shmangë çdo komunikim me përfaqësuesit e administratës tatimore, u shpreh Papajani. Gjithashtu ai deklaroi se në këtë mënyrë reduktohen kostot administrative të biznesit si dhe luftohet korrupsioni. Sipas Papajanit deri tani vetëm 30 për qind e deklarimeve nga biznesi janë kryer online. Kryetatimori bëri me dije se hapi tjetër do të jetë pagesa elektronike e biznesit dhe për këtë po negociohet me bankat në vend. Kjo procedurë e cila kishte nisur të aplikohej për biznesin e madhe tashmë do të shtrihet për të gjithë kategoritë, në muajin e ardhshëm. Ne parashikojmë në këtë mënyrë që të luftojmë korrupsioni, si dhe të shkurtojmë në maksimum burokracitë dhe afatin e procedurave tatimore, vijoi kreu i DPT. Përgjimi i telefonaveNdërsa përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ngritën çështje që lidhen kryesisht me rimbursimin e TVSH-së dhe zbatimin e ligjeve fiskale, çka ndikojnë direkt në aktivitetin ekonomik të tyre. Anëtarët i kërkuan drejtorit të tatimeve që sa herë të ndryshojnë ligjet, biznesi të vihet në dijeni, pasi një pjesë e mirë e gjobave apo penaliteteve vijnë si pasojë e mosnjohjes së ndryshimeve ligjore. Sipas tyre inspektori tatimor duhet ta njohë biznesin me procedurat e reja që po aplikohen nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në vend. Një tjetër shqetësim që u ngrit nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, lidhej me ligjin mbi përgjimet telefonike kur dyshohet për korrupsion nga ana e punonjësve të administratës tatimore. Sipas tyre kjo pengon biznesin si dhe e dëmton rëndë atë. Lidhur me këtë çështje kreu i tatimeve, siguroi se nuk do të përgjohet në asnjë mënyrë biznesi, por do të përgjohen punonjësit të cilët krijojnë korrupsionin. Papajani siguroi amerikanët se ligje e reja të qeverisë shqiptare dhe të administratës tatimore nuk dëmtojnë tregtinë e lire, por përkundrazi e mbrojnë atë nga korrupsioni. Nuk do përgjohen bizneset, do përgjohen punonjësit që bëjnë korrupsion. Ligji për përgjimin e telefonave nuk përgjon aspak tregtinë e lirë, por përkundrazi e mbron atë nga personat e lidhur me korrupsionin, vijoi Papajani, sipas të cilit, ligji i ri për përgjimet e telefonave nuk ka për synim vetëm bizneset që bëjnë kontrabandë, por edhe punonjësit e administratës tatimore dhe doganore. Sipas tij, përgjimi ndaj biznesit do të bëhet vetëm në rast kur ky  fundit dyshohet për korrupsion dhe për fshehje të xhiros apo dhe të të dhënave që i jep administratës tatimore. Ky ligj në momentin e miratimit solli dhe shumë replika nga ana e vetë bizneseve, të cilët e cilësuan si ligj që dëmton konkurrencën tregtare, për shkak të frikës së dhënies së të dhënave një biznesi rival. Bizneset në fillim theksuan sekreti tregtar mund të zbulohet dhe që mund të çojë në dëmtim të konkurrencës apo të planeve të një biznesi. Ndërsa një element tjetër konsiderohet fakti se kush do ta bëjë përgjimin dhe se cilët elementë do t'i paraqiten prokurorisë, e cila jep verdiktin final për lejimin ose jo të përgjimit. Për këtë Papajani theksoi se hetimet do të bazohen kryesisht mbi shkeljet që mund të evidentohen nga personeli i administratës tatimore apo doganore. Jo pa qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ngritur një njësi të specializuar, e cila quhet Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe në këtë rast, kjo e fundit ka si synim kontrollin më efikas të strukturave të saj, tha Papajani. Sipas ndryshimeve në projektligj, kjo strukturë, në rastet kur disponon prova të mjaftueshme, do të kërkojë nisjen e përgjimeve.Taulant Halili

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›