Durrës, bizneset protestojnë për mbylljen e tregut industrial
Bizneset e vogla të qytetit të Durrësit, janë të pakënaqura nga mbyllja e tregut të madh industrial të këtij qyteti. Ditën e djeshme dhjetëra tregtarë të vegjël kanë protestuar në sheshin kryesor të qytetit të Durrësit, përballë bashkisë për mbylljen e vendeve të tyre të punës. Në këtë kohë krize ata e quajnë një masë të tillë arbitrare dhe që ndikon në situatën ekonomiko-financiare të familjeve të tyre. Në Bashkinë e Durrësit thuhet se vendimi është marrë dhe pak
gjasa ka që të kthehet. Tregtarët duhet të shlyejnë të gjitha detyrimet që kanë ndaj pushtetit vendor për ushtrimin e aktivitetit, jo më si tregtarë ambulantë, po si biznes i vogël në bazë të vendimit të qeverisë. Tregu i madh industrial i Durrësit u mbyll dy ditë më parë nga policia bashkiake. Kjo është hera e dytë që biznesmenët e vogla të këtij qyteti, protestojnë para dyerve të bashkisë. Por sipas drejtuesve bashkiakë, ky vendim ishte marrë prej kohësh dhe nuk mund të kthehej mbrapsht. Por megjithatë bizneset kanë vendosur që protestën ta shtrijnë dhe gjatë ditëve në vijim.