E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet “Mandela”, kapobanda i Elbasanit

 

etleva delia

Mbërrin i prangosur nga Franca në aeroportin e Rinasit kapobanda i Elbasanit, Eduart Peqini, i njohur me pseudonimin “Mandela”. Ai ka kryer dënimin e dhënë nga drejtësia franceze, me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe më pas të ekstradohej në Shqipëri, ku e pret një dënim me burgim të përjetshëm. Sipas burimeve nga policia, mësohet se mbi Eduart Peqinin rëndojnë akuzat më të rënda, duke nisur që nga grabitjet me armë, rrëmbim personash dhe vendosje gjobash, vrasje e deri te djegie e shkatërrim personash, trafik droge e qeniesh njerëzore etj. Të njëjtat burime thanë se muajt e fundit në një bankë në Francë janë sekuestruar 2 milionë dollarë me llogarinë e Mandelës, para që dyshohet se rridhnin nga trafiku i klandestinëve dhe prostitucionit. Eduart Peqini ishte një prej personave më të kërkuar nga policia shqiptare, për veprimtarinë e tij në vitin 1997. Ai u vetëquajt Mandela dhe krijoi një bandë prej 40 vetash gjatë trazirave të vitit 1997. Shumë shpejt ai u bë romi më i “famshëm” i Elbasanit dhe së bashku me anëtarët e bandës së tij janë dënuar për një numër të madh veprash penale, me 170 vite burg në total, me përjashtim të tij që është dënuar përjetë.
VENDIMI I EKSTRADIMIT
Gjykata franceze në vitin 2002 vendosi që Eduart Peqini do të ekstradohej në Shqipëri, ku e priste një burgim i përjetshëm, pasi të kryente dënimin në Francë. Mandela ishte dënuar në Francë për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe të prostitucionit. Gjykata franceze e ka dënuar me 8 vjet heqje lirie Mandelën, ndërkohë që në Shqipëri ai është dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh të rënda, nga vrasja e deri te djegia e kufomës. Interpol-Tirana pasi ka pritur për më shumë se 7 vjet, deri në përfundim të dënimit të tij, dje ka bërë të mundur ekstradimin e njërit prej personave më të kërkuar të drejtësisë shqiptare. Burimet sqaruan se për ekstradimin e tij nuk u bë pengesë vetëm dënimi që do të kryente në Francë, por edhe nga mungesa e shenjave të gishtërinjve si dhe elementëve të tjerë në dosjen e tij, që u dërgua atje nga Ministria e Drejtësisë.
HISTORIA E KRIMEVE
Seriali i vrasjeve, rrëmbimit të personave, gjobëvënieve në Elbasan nisi në prill të vitit 1997 dhe vazhdoi me krime nga më të ndryshmet deri në shtator të atij viti. Gjithçka nisi mes “bandës së Mandelës” dhe “bandës së Cërrikut”. Kapoja i “bandës së Cërrikut”, Arjan Toska, kishte arritur të siguronte një informator në radhët e Mandelës. Enver Beqiri, i afërt i Mandelës, e paralajmëroi Arianin për betejën që e priste, ndërkohë që në takimin me të e informoi për lëvizjet kontrolluese të vëllait të Mandelës në afërsi të zonës së tij. Toska, duke kuptuar përfundimisht që lufta mes tyre ishte e pashmangshme, caktoi dy njerëzit e tij që të vrasin Gazmir Peqinin. Vdekja e vëllait qe një goditje e fortë për Mandelën, ndërkohë që thirri dy njerëzit më të besuar, Marashin dhe vëllain e tij, Vladimirin, dhe pa gjykuar rrjedhën e kësaj lufte vendosën t’i përgjigjeshin bandës rivale në shenjë hakmarrjeje.

Banda e “Mandelës” në vitin 1997

Banda e Eduart Peqinit, “Mandelës”, përbëhej nga 40 anëtarë që pothuajse të gjithë ishin në fis dhe familjarë të afërt të tij. Në organizimin e tyre kishte një hierarki absolute dhe zbatimi i porosive pa asnjë hezitim nga kryetari i saj, Eduard Peqini, i njohur me pseudonimin “Mandela”. Poshtë tij vinin katër vëllezërit të shoqëruar me kushërinj, të afërm dhe lidhje shoqërore të besuara, të cilët sipas detyrave të ndara bënin studimin e shpejtë, lëshonin rekomandimet te “kapoja” dhe rekrutoheshin. Mbi bazën e vlerësimeve u jepeshin edhe “titujt”, duke imponuar seriozitetin e veprimtarisë së grupit dhe kryerjen me besnikëri të detyrës. Mandela organizoi njerëz të afërt, të besuar, të cilët të maskuar lëviznin në zonat rivale për të siguruar informacion të nevojshëm, kryesisht femra dhe që kishin dhënë prova se ishin të afta të kryenin detyra të tilla. Nga ana tjetër vendosi rregulla të forta për ruajtjen e sekretit, duke përcjellë mesazhin e frikshëm të ekzekutimit ndaj çdo personi që tradhtonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›