E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatuazhi, për gjithë jetën

Dikur tatuazhet mund të shiheshin vetëm si pjesë e ‘dekorimeve’ të djelmoshave të rrezikshëm, marinarëve, ushtarëve apo motoçiklistëve. Sot, ato janë pjesë e trendëve të pop-kulturës. Në Gjermani, për shembull, të paktën një në pesë persona me moshë mbi 35-vjeçare ka një tatuazh. Nga Express më 29 mars 2011 në ora 10:34

Viktor është pronar i studios për tatuazhe Hell Yeah, në Karlsruhe. Përderisa bën tatuazhin e këlyshit të Pitt-Bullit në kraharorin e një klienti, Viktor sqaron se çfarë bënë një ngjyrë e mirë.

“Ngjyra duhet të jetë një përzierje e lërueshme, për të vepruar nën lëkurë, ndërkaq ngjyrat e ndryshme mund të shihen vetëm nëse ngjyra është kualitative dhe kur varra, gjegjësisht tatuazhi të jetë mbyllur”.

Viktor shfrytëzon një makinë elektrike, e cila, përderisa punon tingëllon ngjashëm me pajisjet e një dentisti. Lëkurën e shpon me gjilpërë, e cila depërton rreth një milimetër brenda murit të jashtëm të lëkurës – epidermës, e pastaj e injekton brenda ngjyrën e patretshme në shtresën tjetër – dermën. Qelizat e dermës janë relativisht të qëndrueshme, prandaj edhe tatuazhi i Pitt-bullit, qoftë e shprehur apo më e zbehtë, do të mbetet aty për gjithë jetën.

“Kjo është diçka e veçantë... Mbetet aty përgjithmonë. Tatuazhi ju përcjellë gjatë gjithë jetës, prandaj edhe është aq joshëse”, thekson Viktor.

Substancat toksike

Megjithatë, shumëkush që bënë një tatuazh nuk është i vetëdijshëm se po fusin brenda lëkurës substanca potencialisht toksike. Meqenëse tatuazhet zgjasin për gjithë jetën, ngjyra e futur brenda lëkurës mund të shkaktojë probleme me zemër ose edhe kancer.

“Ne analizojmë një numër të madh prodhimesh kozmetike, por ngjyra për tatuazh. Në vitin 2010 testuam një seri prej 38 mostrash të ngjyrave, dhe gjatë atij procesi e zvogëluam përzgjedhjen në vetëm ngjyrën e kuqe, të verdhë dhe të portokalltë”, Eva-Maria Katz, udhëheqëse e laboratorit në Agjencinë Kimike për Testime, në Karlsruhe.

Rezultatet janë shokuese. Një e treta e ngjyrave të testuara përmban substanca të ndaluara. Ngjyrat e caktuara, që njihen si azo-pigmente, nuk janë toksike vetvetiu, por kimikalet që lirohen gjatë shkrirjes së pigmentit të pikës së ngjyrës mund të jenë kancerogjene. Veç kësaj, gjysma e mostrave përmbante kimikale që, edhe pse nuk janë të rreptësisht të ndaluara, ato nuk janë paraparë që të injektohen në njerëz.

‘Këto ngjyra zakonisht përdoren për prodhime teknike, si për shembull, për fotografi muri. E këtu pastaj shfaqet problemi, sepse ne nuk e dimë sesi reagojnë ato substanca kur të injektohen në lëkurë”, sqaron Eva-Maria Katz.

Gjermani është njëri prej disa shteteve evropiane ku ekziston njëlloj legjislacioni kur bëhet fjalë për ngjyrat/tintat për tatuazhe.

“Shumë çështje janë të parregulluara. Për shembull, nuk kemi një listë pozitive. Kjo është një listë substancash të testuara, dhe të vërtetuara se janë të sigurta. Aktualisht kemi vetëm një listë negative, në të cilën ndodhen disa prej substancave të ndaluara. Kështu që unë mund të shfrytëzoj gjithçka që s’është në atë listë, qoftë edhe nëse nuk e di se cilat janë pasojat e një sjelljeje të tillë’, përfundon Eva-Maria Katz.

Klientët i besojnë Viktorit

Por, le t’i kthehemi sërish salloneve për tatuazh. Muret e tyre janë të stolisura me shishe përlot me ngjyrë/tintë tatuazhi.

Sipas hulumtimeve të Agjencisë Gjermane për Testime, më pak se një e treta e mostrave të testuara ishin etiketuar siç e kërkon ligji. Megjithatë, të gjitha shishet përmbanin emrin e prodhuesit, afatin e skadimit dhe përmbajtjen.

Viktori thotë se reputacioni i tij është më i rëndësishëm se paratë.
“Natyrisht se materiali është i shtrenjtë. Mund të blej ngjyrë për pak para, por mua s’më interesojnë fare paratë, sepse dua të punoj profesionalisht”, thotë ai.

Klientët që vijnë tek Viktori duket se fare nuk preokupohen me përbërjen e shisheve.

“Kam besim tek Viktori. Ai e di se çfarë ngjyrash përdor. Prandaj as që kam menduar ndonjëherë për këtë punë”, thotë njëri.

Megjithatë, problemi ekziston, sikurse që e tregoi edhe hulumtimi i Agjencisë në Karlsruhe. Në dispozicion është një numër i madh kimikalesh, kështu që as mjeshtrit e tatuazhit, si Viktori, s’mund të jenë të sigurt se po përdorin ngjyra të parrezikshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›