Tavo: Do të rishikojmë ndryshimet kushtetuese të 2008
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo bëri të ditur se një nga temat kryesore të marrëveshjes PS-LSI do të jetë rishikimi i ndryshimeve kushtetuese që u bënë në vitin 2008. Sipas Tavos, nga këto ndryshme LSI ka humbur shumë dhe për këtë do të kërkojë rishikimin e tyre. Besoj se do të jete një nga çështjet që do diskutohet në këtë mazhorancë e koalicion të forcave të majta. LSI-ja nuk mund ta harrojë atë që ka ndodhur në 2008-n dhe, normalisht jo vetëm nuk duhet ta harrojë por, në çdo moment do jemi të gatshëm që të rishikohen ato ndryshime që normal janë bërë me qëllim jo të mirë për LSI-në por, energjia e kësaj force ka treguar që jo vetëm nuk u dëmtua por, përkundrazi doli e më e fuqishme. Megjithatë çështje për cilat LSI-ja ka denoncuar e protestuar padyshim do të jenë në qendër të vëmendjes së LSI-së, tha Tavo. Duke u ndalur tek qeveria e re, Vangjel Tavo konfirmoi se nuk është përcaktuar ende numri i ministrive të cilat do të marrë LSI-së dhe aq më pak emrat të cilat do ti drejtojnë ato. Sikurse është deklaruar nga Rama dhe Meta është ende herët për të folur për dikasteret që do drejtohen nga LSI-PS apo aleatë të tjerë. Është shumë e rëndësishme të përcaktohen objektivat, të vihen piketat se ku do duhet të shkojë kjo qeverisje kjo aleancë PS-LSI e aleatët që janë pjesë e kësaj mazhorance. Pak rëndësi ka kush do të jetë dikasteri që do drejtojë LSI-ja apo të tjerat forca politike të koalicionit, u shpreh Tavo. Duke u ndalur tek rezultati i zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës, Tavo tha se PS ka pësuar një rënie në këtë qark me 4.4 përqind ndërkohë që LSI ka rritur numrin e votave në këtë qark në krahasim me zgjedhjet e 2005 dhe 2009. Në përfundim deputeti i LSI-së komentoi edhe deklaratat e bëra nga Sokol Olldashi në drejtim të LSI-së. As LSI as unë nuk kemi qenë pjesë e ndonjë bande imagjinare që Olldashi pretendon, përkundrazi pyetjen do ia kthej Olldashi, sepse ai e di çdo të thotë bandë. Ne kemi shumë gjëra të rëndësishme për t’u marrë dhe, po merremi shumë seriozisht me përgjegjësitë që na ka ngarkuar elektorati jo vetëm i majtë, por edhe ai që nuk ka votuar në 23 qershor. Ne do të jemi të angazhuar t’i kthejmë këtë besim të dhënë, përfundoi Vangjel Tavo.