E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tavo: Duhet të rritet akciza për duhanit

TIRANE-Duke iu referuar rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar sërish rritjen e akcizës së produkteve të duhanit, me qëllim uljen e numrit të duhanpirësve në vendin tonë.

Deklarata është bërë nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Sipas ministrit, është provuar se një rritje prej 10 për qind e çmimit të duhanit çon në ulje prej 4 për qind të prevalencës së duhanpirjes. “Kjo ulje është akoma më e madhe në vendet më pak të pasura, në shtresat më pak të pasura të shoqërisë dhe tek të rinjtë. Vitet e fundit Ministria e Financave ka rritur taksat për duhanin, ndërkohë që kërkohet që kjo rritje të vazhdojë edhe më tepër në të ardhmen, për të arritur standardet europiane. Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë kanë ndërmarrë nisma ligjore për rritjen e akcizës së produkteve të duhanit. Propozimi i fundit ka qenë 70 lekë për paketë, ndërkohë që OBSH rekomandon barrën fiskale 70-80 për qind të çmimit të paketës”, - u shpreh Tavo.

Gjithashtu, ai ka shprehur nevojën e rishikimit të ligjit anti duhan, i cili është në fuqi nga 26 maji i vitit 2007. Sipas ministrit, është i nevojshëm rishikimi i sistemit të gjobave, veprim që nënkupton përfshirjen jo vetëm të subjekteve që shkelin ligjin (lokalet dhe institucionet publike), por dhe dëmtuesit (klientët e lokalit apo punonjësit e institucioneve). E nevojshme për zbatimin e ligjit të duhanit shihet edhe mbështetja e inspektorëve të Task-Forcës nga organet e pushtetit vendor. Megjithatë, vetë ministri ka pohuar se në progres-raportin e fundit të Bashkimit Evropian theksohej se “Shqipëria ende nuk po bën të mundur zbatimin e ligjit anti duhan”. Në raportet e kohëve të fundit të OBSH-së, mbi planin global të duhanpirjes është theksuar dhe rëndësia e ndërhyrjes në gjashtë pika.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›