E Diel, 1 Nëntor 2026

Tavo: Opozita në shtator të votojë për integrimin

09/08/2011  Nënkryetari i Kuvendit i bën apel opozitës

“Kam qenë një ndër deputetët që kundërshtoja Ramën për bojkotin”

Nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht deputet i LSI-së, Vangjel Tavo, kërkon nga opozita në sesionin e ri parlamentar të bëjë detyrën e saj në Kuvend. Në një prononcim për mediet deputeti Tavo thotë se Shqipëria ndodhet një hap larg firmosjes së hyrjes në Bashkimin Europian dhe për këtë duhet edhe kontributi i socialistëve në Kuvend. “Unë kam qenë një nga deputetët, jo i vetëm, por një grup deputetësh, kundër idesë së kryetarit Rama për bojkotin e Kuvendit. Opozita duhet që të vijë në Kuvend, të shpalosë alternativat e saj. Jemi një hap larg firmosjes së marrëveshjes për hyrjen e Shqipërisë në BE dhe opozita ka rolin e vetë në këtë pikë, gjë që opozita s’e ka bërë punën, detyrën e saj”, - thotë Tavo. Deputeti Tavo flet gjithashtu edhe për performancën e ministrave të LSI-së në kabinetin qeveritar, duke kërkuar gjithashtu që ata të japin llogari edhe përpara strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Nëse për ministrinë e ekonomisë dhe atë të jashtme bëra këto vlerësime të justifikuara, meqenëse jam mjek, do të thosha se nuk po shkon aq mirë puna në Ministrinë e Shëndetësisë. Është e papranueshme që sot në spitalet tona të mos ketë ilaçe dhe të detyrohen pacientët të dalin dhe t’i blejnë ato në farmaci private. Buxheti i shtetit për sektorin e shëndetësisë në krahasim me 2005-n është trefishuar, çka do të thotë se edhe shërbimet duhej të ishin trefish të përmirësuara”, - thekson ai. Nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo, thotë se vlerëson ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, por shton se ekskluzivitetin e ndryshimeve të reja e ka vetëm kryeministri Berisha. Kohët e fundit janë shtuar zërat që kërkojnë hyrjen e opozitës në Kuvend dhe votimin e ligjeve që kanë të bëjnë me integrimin e vendit, jo vetëm nga kundërshtarët e PS-së, por dhe vetë brenda saj. Ndërkohë dhe vetë Edi Rama ka lënë të kuptohet se shtatori do të nisë me një kurs të ri politik, i cili nënkupton votimin e ligjeve që kanë të bëjnë me integrimin. Një tjetër vendim për marrjen e statutit të vendit kandidat për në BE pritet të merret në dhjetorin e këtij viti nga ana e Komisionit Evropian. Deri atëherë në Kuvendin e Shqipërisë duhet të jenë miratuar rreth 9 projektligje të mbartura nga sesioni i kaluar dhe që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Projektligjet kanë të bëjnë kryesisht me reformën në drejtësi, por janë dhe kode të ndryshme, si për shembull, Kodi Rrugor, Ajror apo Detar, që kërkojnë domosdoshmërisht votat e opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›