Shitjet e shtëpive tani te noteri, ja procedura e re
Shitësi dhe blerësi do të paraqiten së bashku në një ditë të caktuar në zyrën e noterit dhe nuk është më e nevojshme që shitësi të ketë rifreskuar vërtetimin e pronësisë, por mund të paraqesë një vërtetim të mëparshëm
Prej 1 marsit të vitit të ardhshëm, kushdo që do të kryejë një shitje apo blerje prone nuk ka pse të paraqitet më në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP). Kjo pasi, për të kryer veprimet e nevojshme për shitjen, blerjen dhe regjistrimin e pronës në emër të blerësit, mjafton vetëm të paraqiten tek noteri dhe do të jetë ky i fundit ai që do të marrë përsipër të kryejë të gjitha veprimet që kërkon kjo procedurë me ZRPP-në dhe t’i jap në fund qytetarit certifikatën e pronësisë. Ky është parashikimi që bën nisma më e re e Ministrisë së Drejtësisë, e miratuar dje në komisionin e Ligjeve, me anë të së cilës bëhen disa ndryshime në ligjin “Për noterin”, nëpërmjet të cilave përcaktohen detyrat shtesë të noterëve në lidhje me veprimet që kryhen në ZRPP nga qytetarët, përbën një lidhje me regjistrimin e pronave të paluajtshme. Faktikisht, ky projektligj përbën vetëm një nga nismat ligjore që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë për të reformuar sistemin e regjistrimit të pronave të paluajtshme.
Procedura
Ka qenë vetë ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ai që ka prezantuar nismën në fjalë, ndërsa e ka vlerësuar atë si tepër të rëndësishme për të hequr radhët e gjata në sportelet e ZRPP-së, por edhe për të luftuar korrupsionin që zhvillohet në këto zyra. Halimi ka bërë një pasqyrë të detajuar të projektligjit, i cili konsiston në dixhitalizimin e të gjithë veprimtarisë së noterisë dhe në dixhitalizimin e veprimtarisë së ZRPP-së. “Thelbi i kësaj reforme mund të përmblidhet në kthimin e zyrës së noterit në një institucion shërbimi me një hap për qytetarët e bizneset dhe në eliminimin e procedurave që sot qytetarët i kryejnë në ZRPP”, - tha Halimi. Kështu, duke iu referuar nismës në fjalë, Halimi ka bërë të ditur se për të kryer një transaksion të një pasurie të paluajtshme, qytetarët duhet të paraqiten vetëm tek noteri dhe i gjithë procesi do të përfundojë në zyrën e tij. Tashmë, shitësi dhe blerësi do të paraqiten së bashku në një ditë të caktuar në zyrën e noterit dhe nuk është më e nevojshme që shitësi të ketë rifreskuar vërtetimin e pronësisë, por mund të paraqesë një vërtetim të mëparshëm. Noteri më pas do të futet nëpërmjet shenjës së gishtërinjve në sistemin online në softin e arkivit elektronik që ka ZRPP-ja, dhe do të verifikojë nëse shitësi është apo jo pronar real i kësaj pasurie. Blerësi do të kalojë në llogarinë bankare të noterit shumën e blerjes së pasurisë dhe noteri do të realizojë kontratën e shitblerjes, si dhe do të japë vërtetimin e pronësisë. Shuma përkatëse për shitblerjet do të ngelet në llogarinë bankare të noterit deri sa të përfundojë procesi në fjalë dhe në fund noteri do t’i kalojë 10 % të shumës zyrës së taksave dhe pjesën tjetër shitësit. Është parashikuar për vitin e parë që noteri të kryejë edhe veprimin faktik, kjo edhe për faktin se sistemi i regjistrimi elektronik i tokës akoma nuk është i konsoliduar. Megjithatë, qytetarët do mbarojnë punë te noteri dhe do jetë noteri ai që do bëjë verifikimin në ZRPP dhe do të marrë vërtetimin në emër të blerësit e do të kthehet te palët dhe do t’i çojë blerësit vërtetimin e pronësisë. Por përveç kësaj, ministri Halimi ka bërë të ditur se do të lihet edhe si alternativë që vetë qytetari, nëse nuk do t’i kryejë veprimet nëpërmjet noterit, të mund të vejë vetë në ZRPP për të kryer veprimet e nevojshme.
Debati
Por ndërsa ministri dhe Dhoma Kombëtare e Avokatëve janë shprehur entuziastë me nismën në fjalë, nuk ka ndodhur kjo me opozitën, e cila është shprehur skeptike për sigurinë e procesit dhe përgjegjësitë që do mbahen në rastet kur do të ndodhin gabime me regjistrimin e pronave. Ka qenë nënkryetari socialist i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ai që ka shprehur për këtë qëllim votën abstenuese. “Ajo që mua më bën skeptik është mënyra sesi është i mbrojtur dhe ndërtuar ky proces. Kam përshtypjen se për shkak të traditës dhe se nuk kemi diçka konkrete, të paprekshme, do të kemi sërish të njëjtat probleme, prandaj do të abstenoj”, - tha Xhafaj. Por ndërkohë, ministri Halimi duke mbrojtur nismën ka theksuar se ajo jep garanci të plota dhe se në rastet kur për dhjetë ditë nuk ka ardhur përgjigja për certifikatën e pronësisë, atëherë në sistem do të ndizet një llambë e kuqe që do të japë alarmin për këtë gjë dhe që nëpërmjet së cilës do të jenë të informuar të gjithë titullarët. “Kjo është një masë ul në mënyrë drastike. Doni të thoni nëse ka korrupsion në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme... Ka korrupsion në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, është shumë herë më i ulët se ai që kemi gjetur dhe këtë nuk mund ta mohoni dot”, - tha Halimi.