Tavo përuron vendosjen e skanerit në Spitalin e Elbasanit
Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo, ka marrë pjesë në përurimin e vendosjes së aparaturës së skanerit, në spitalin e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij Tavo theksoi se institucioni që ai drejton ka si qëllim që ta adresojë siç duhet thellimin e reformës së nisur në shërbimin spitalor, e cila përveç ndryshimeve në organizimin, menaxhimin dhe financimin e institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore spitalore, synon edhe racionalizimindhe standardizimin e tyre, si në infrastrukturë ashtu edhe në teknologji dhe burime njerëzore.
“Politikat e Ministrisë së Shëndetësisë synojnë sigurimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor për popullatën, ku vëmendje e veçantë po i kushtohet aksesit ndaj shërbimeve, cilësisë, qëndrueshmërisë financiare si dhe motivimit të ofruesve të shërbimit, të cilët konsiderohen indikatorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e shërbimit” u shpreh Ministri Tavo.
Lidhur me këtë çështje Tavo vuri në dukje rëndësinë e veçantë që po i jepet përmirësimit të teknologjisë mjekësore duke rritur cilësisht shërbimet që do t`i ofrohet qytetarëve, sipas standardeve të aplikuara njësoj në të gjithë vendin,si dhe sigurimin e mjeteve për përcaktimin e shpejtë dhe të saktë të diagnozës dhe trajtimit të patologjive kryesore.
Kreu i Shëndetësisë theksoi gjithashtu se të gjitha spitalet rajonale janë të pajisur me teknologji të lartë dhe bashkëkohore duke ofruar mundësitë më të mira në rajon përsa i përket nivelit të vendosjes së diagnozës.Përveç skanerit sot u përurua edhe instalimi i fibrogastroskopia, të cilat janë vendosur në një godinë brenda ambjenteve të qendrës spitalore, një financim nga Ministria e Shëndetësisë me një fond prej 9 milion lekësh.
Instalimi i skanerit në spitalin e Elbasanit kap vlerën e 80 milionë lekëve dhe është i financuar me fonde të kredisë austriake. Në dy vitet e fundit në spitalet e vendit tonë është bërë i mundur instalimi i njëmbëdhjetë skanerave(dy përmes projektit japonez, gjashtë me kredinë austriake si dhe tre të tjerë nga buxheti i shtetit) dhe i tre rezonancave manjetike.