E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taylor Swift, ylli i ri i muzikës

Është cilësuar si ylli i ri i muzikës në epokën e Obamës dhe është vetëm 19 vjeçe e ka thyer çdo rekord shitjeje për vitin 2008. Tejlor Suift është artistja që ka shitur më shumë albume në Amerikë, më shumë se 4 milionë të tilla. Për më tepër, është e vetmja që ruajti vendin e parë në klasifikime për më shumë se 11 javë, gjë që nuk ndodhte prej më shumë se dhjetë vjetësh. Është bionde, e gjatë, elegante, ka një zë të bukur dhe një talent të veçantë, por që e bën të ngjashme me miliona adoleshentë në të gjithë botën. Tejlor Suift është personazhi më i dashur i të rinjve për momentin. Ka lënë pas Rihanën me çështjet e saja dramatike me të fejuarin, Kris Braun, Britni Spirs, gjithmonë e më shumë skandaloze dhe e stonuar, Madonën e destinuar t‘u pëlqejë më shumë nënave se sa vajzave, Kristina Aguilerën, Shakirën dhe Bijonsen. Ajo ua ka kaluar të gjithave, ka shitur më shumë disqe dhe ka bërë për vete më shumë zemra, duke kënduar këngë të thjeshta pop, e veshur në një mënyrë serioze, me funde poshtë gjurit, duke treguar histori që ajo vetë i shkruan. Tekstet e saj flasin për dashurinë, parimet, të dashurit, miqtë, histori që duket sikur janë vjedhur nga ditarët e shkollës dhe pikërisht për këtë duken të vërteta dhe të jetuara. Këngët për adoleshentët që po rriten e që i kërkojnë jetës dashuri dhe shpresë. "Di të tregoj mirë vetëm gjërat që kam parë dhe kam jetuar. Nuk do të arrij të shkruaj gjëra të ndryshme. Të shkruash këngë është në mënyrë e mrekullueshme për t‘i treguar veten tënde të tjerëve", nënvizon ajo. E në fakt, të tjerët që duan ta njohin janë adoleshentë si puna e saj, sidomos vajza që bëjnë jetën e tyre normale. Pikërisht në normalitetin e bukuroshes Tejlor duket se e gjejnë plotësisht veten. Në Londër, kur shkoi për të performuar live në "Sheperd‘s Bush", e priti një turmë e çmendur adoleshentësh që bërtisnin. Ndërsa ajo iu përgjigj plot dashamirësi, duke u propozuar një spektakël me thjeshtësi të jashtëzakonshme, pa drita shumëngjyrëshe, pa balerinë dhe veshje skenike, pa asgjë tjetër përveç këngës dhe muzikës origjinale. Në teori muzika e saj duhej të ishte muzikë kauntri, sepse është kjo bota në të cilën është rritur dhe të cilës i referohet. "Nuk e ndiej veten ende një këngëtare nga Nashville, vendi ku nisa aventurën time. Më pëlqen Dolly Parton, Patsy Cline, por edhe modernizimi i Dixie Chicks. Kërkova rrugën time dhe e gjeta. Kam punuar shumë dhe më pëlqen që muzika që bëj është vetëm e imja. Kjo do të thotë se dëgjoj shumë dhe gjëra të ndryshme e se këto hyjnë sigurisht në shijet e mia muzikore". Kjo shikohet mbi të gjitha kur këndon live, për shembull "What goes around" të Xhastin Timbërlejk dhe kur këngët e saj bëhen më shumë dance se sa rok. "Por gjithmonë mbetet kauntri. Kjo muzikë nuk përfshin vetëm ata që flasin për femra dhe martesa, por edhe ata si puna ime dhe e Keith Urbanit që flasin për jetën e dashurinë", thotë ajo. "Janë të shumtë ata që propozojnë një ndërthurje mes muzikës pop dhe asaj kauntri. Idhulli im është Shania Tuein. Ajo ndryshoi rregullat, ndryshoi botën e kësaj rryme". Vetëm pak detaje mund të bëjnë të mendosh se është muzikë e pastër kauntri. Gjithë pjesa tjetër i takon pop-it. Këngë të shkruara me shumë kujdes (aq sa "New York Times" e cilëson si një prej autoreve të teksteve të këngëve më të mira për momentin), që kanë meritën e të qenit të vërteta, që nuk tregojnë histori adoleshentësh, por histori për adoleshentë. "Tejlor është idhulli ynë", shkruhet në një parullë që një vajzë mban lart në publik dhe ndoshta është pikërisht kështu. Po ta shohësh në skenë Suift është jashtëzakonisht e ngathët, nuk di të vishet, nuk bën ndonjë kërcim të bukur dhe kur provon të bëjë ndonjë veprim si divë, i del keq. Është plotësisht e kundërta e çdo këngëtareje për adoleshentë të këtyre dhjetë viteve të fundit, shumë të zotë për të kërcyer, për të lëvizur, për të fshehur emocionet, të vishen, të grimohen dhe të shtiren sikur janë të mrekullueshëm. Përkundrazi, ajo është e thjeshtë dhe e bukur, aq sa mjafton për të mos u dukur si kukull plastike. Jo shumë e zonja për të kërcyer, por shumë e talentuar për të shkruar tekste që të kthejnë në kujtime të këndshme dhe histori argëtuese. Është ylli i ri i muzikës në një Amerikë të re që mendon për solidaritetin, jetën që ecën përpara me një shpresë të madhe. "Kriza që po kalojmë është e vështirë, por pesimizmi nuk duhet të na mundë. E dimë që mund të ndryshojmë dhe duhet të ndryshojmë", tregon nga skena. Në skenë bërtet me të madhe "Yes, we can" dhe publiku e përsërit pas saj. Në albumin "Pa frikë", që i solli edhe suksesin, këndon për shpresën dhe të ardhmen e një brezi të rinjsh që duan, që dëshirojnë të kenë shpresë tek e ardhmja. "Mendoj gjithmonë për të ardhmen. Analizoj gjithçka, lexoj shumë. Nuk kam frikë prej asgjëje. Jam me fat që nuk isha një fëmijë i famshëm, por u e fitova famën kur shkova 17 vjeçe. Duhet të shqetësohem vetëm për gjëra të mëdha. Historitë e mia ndryshojnë me mua, me jetën, me rritjen dhe eksperiencën. Shpresoj të vazhdoj kështu".

Jeta

Tejlor ka lindur në Pensilvani dhe jeton me prindërit dhe vëllain e saj në Tennese. Mes influencave të saj muzikore spikatin LeAnn Rimes dhe gjyshja e saj, që ishte një këngëtare e muzikës lirike. Kur ishte dhjetë vjeçe nisi të performojë në qytetin e saj të lindjes, duke kënduar nëpër karaoke, festivale dhe festa. Në atë kohë nisi t‘i shkruante vetë këngët e saj. Kur ishte 11 vjeçe u transferua në Nashville me shpresën se do të arrinte të kishte një kontratë diskografike. Ëndrra e saj u bë realitet me ndihmën e Skot Borketas, që i ofroi një kontratë me "Big Machine", një shtëpi diskografike e krijuar nga ai vetë. Akoma sot Tejlor është pjesë e saj. Bukuroshja 20-vjeçare deri tani ka publikuar dy albume, "Taylor Swift" dhe "Fearless". Këtë vit ajo u shfaq edhe në filmin "Hannah Montana The Movie", ku këndoi një nga këngët më të bukura të repertorit të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›