E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hegemon ad portas

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kur SHBA mposhti Rusinë dhe Ballkani hoqi qafe hegjemonin e saj, Serbinë, u hap një perspektivë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare, e prirur t‘i jepte më shumë hapësirë bashkëpunimit për një botë më të mirë. Këto ndryshime u përjetuan në hapësirat e Ballkanit si zhvillime për liri e vetëvendosje dhe mposhtje definitive të komunizmit dhe shtypjes. Mirëpo, teksa procesi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë mori fund me pavarësimin e Kosovës, tendencat negative të aktorëve të caktuar po bëhen çdo ditë e më të qarta. Rusia në një anë po synon rikthimin e pozicionit të saj si superfuqi në botë, nga e cila Serbia po inkurajohet që të rikthehet si hegjemon në Ballkan. Ndaj zhvillimeve të tilla, jo vetëm që duhet të kthehet vëmendja, por edhe veprimet, sepse injorimi i tyre mund ta mbajë rajonin në tensione për kohë të paparashikuara.

Pavarësia e Kosovës bëri të mundshme që definitivisht të shihet se kush ishte në proceset e zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Njohjet që erdhën në adresën e pavarësisë ndanë botën në ata që mbrojtën drejtësinë, në ata që janë ende në hamendje për këtë çështje dhe në ata që janë kundër drejtësisë. Në anën e drejtësisë dhe të pavarësisë u rreshtuan fuqitë botërore, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, të grupit të vendeve më të zhvilluara G8, e vende tjera, dhe besoj se do të ketë edhe shumë shtete që duan ta ndjekin këtë rrugë. Vendet e rajonit, fqinjët e Kosovës dhe të Serbisë, po ashtu dhanë provimin e drejtësisë, mbështetën pavarësinë e Kosovës dhe i treguan Serbisë ku e ka vendin. Në këtë moment, mendja po më shkon te nisma e krizës së ish-Jugosllavisë, kur diplomacia e Kosovës insistonte që të krijohet një bllok kundër agresionit serb, dhe mundësia që shumë më herët t‘i kishim dhënë leksionin e drejtësisë Serbisë. Por edhe tash, kur kjo ndodhi, ishte një goditje vërtet e fuqishme ndaj mentalitetit hegjemonist të Serbisë, nga e cila ajo do të duhej të nxirrte mësimet e historisë. Mirëpo në vend të kësaj, Serbia po luan lojën e fundit, të përpjekjes për të krijuar rrethana ndërkombëtare në favor të Serbisë së madhe. Lufta e Serbisë për territore është e hapur, me pretendime ndaj Kosovës dhe Bosnjës. Serbia po synon aneksimin e pjesës veriore të Kosovës dhe të Republika Serpskës, duke shpejtuar që këto synime t‘i realizojë para se të bëhet pjesë e Evropës.

Por cilat janë rrethanat ndërkombëtare në të cilat po llogarit Serbia? Duke pasur për aleat Rusinë, llogaritjet e Serbisë ndërlidhen me përfitimet që mund të nxjerrë nga marrëdhëniet e keqësuara mes SHBA-ve dhe Rusisë dhe në mes botës evro-perëndimore dhe Rusisë. Marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë kanë njohur momente afrimi e bashkëpunimi, në veçanti në çështjet e luftës kundër terrorizmit nuklear, në fushën e energjisë, në çështjen e anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Tregtare Botërore dhe në fushën e të drejtave të njeriut. Rusia, duke qenë se doli e dobësuar politikisht dhe ekonomikisht nga gara joracionale e Luftës së Ftohtë, u mbështet në politika bashkëpunimi për të shpëtuar nga fundosja. Por, qëndrimi i saj ndryshoi në momentet kur vlerësoi se mund të imponojë aspekte të fuqisë së saj, veçmas në diplomaci, në çështjet e energjisë dhe potencialeve bërthamore.

Nga ngjarjet e 11 shtatorit dhe krizat që pasuan, Rusia mori krah për të provuar rikthimin e influencës, duke u dhënë pas politikës së jashtme dhe duke vënë në plan të dytë problemet e brendshme. Sado që fuqia e saj energjetike i krijoi favore dhe përmirësime në fushën ekonomike, problemet e saj janë ende të mëdha. Mjafton të përmendet një aspekt i problemeve, për të parë se sa i brishtë është ky vend dhe sa dëme mund t‘i sjellë vetes dhe botës nëse nuk u kthehet problemeve të brendshme. Një prej problemeve të mëdha që ka ky vend është çështja e mungesës së kapaciteteve e resurseve për t‘u mbrojtur nga armatimi i vet nuklear, i cili sa më shumë që po vjetrohet, po kthehet në një kancer për vendin, por edhe për njerëzimin. Problemet e brendshme të Rusisë mbase nuk i japin komoditet asaj që të hyjë në garë me SHBA, por njëherësh as që është interes i Rusisë të armiqësohet me SHBA-të e aq më pak për Serbinë dhe interesat e saja. Bashkëpunimi i Rusisë me SHBA-të është në interes të Rusisë dhe më parë besohet se kjo e fundit aspiron të rikthejë statusin e partnerit strategjik me SHBA-të se sa ta marrë drejtimin tjetër. Rusia e ka humbur luftën me SHBA-të dhe nuk do të ishte në interesat e saj ta humbte edhe një tjetër. Me gjithë këtë, dinamika e marrëdhënieve aktuale është më shumë konfrontuese, se sa bashkëpunuese.

Çështjet kryesore që rëndojnë marrëdhëniet aktuale mes SHBA-ve dhe Rusisë janë çështja e zgjerimit të NATO-s në Evropën Lindore, Iraku, programi amerikan për vendosjen e sistemit të raketave mbrojtëse në Evropën Lindore, pavarësia e Kosovës dhe së fundmi kriza e Kaukazit dhe kriza globale financiare, të cilat dëmtuan pothuajse të gjitha sferat e bashkëpunimit bilateral. Analistët nga dyja anët e Atlantikut japin pikëpamje të ndryshme në lidhje me aspiratat e politikës së jashtme të Rusisë, që nga ato ku ajo dëshiron të rrisë influencën në marrëdhëniet ndërkombëtare e deri te pikëpamjet se Rusia aspiron të imponojë një rend të ri botëror në të cilën do të rikthehej superfuqi. Ekspertët e njohur amerikanë, Kissinger dhe Shultz, në një shkrim të botuar në gazetën me renome "International Herald Tribune", me titull "Kriza në Gjeorgji", thonë se "Rusia e Vladimir Putinit është e përkushtuar për strategjinë e vendosjes së një rendi botëror post-sovjetik në Evropë". Ndërkaq, nga ana tjetër, analistë rusë, si Trenin, thonë se "kriza aktuale ndryshoi politikën e jashtme të Rusisë; lidershipi rus provoi se nuk dëshiron të respektojë rregullat e tashme të rendit botëror". Ekspertët megjithatë konsiderojnë se ka hapësirë për afrimin e marrëdhënieve mes dy palëve, duke rekomanduar që të kërkohen rrugët të cilat çojnë në bashkëpunim. Se çfarë do të jenë forcat dhe zhvillimet që do të formësojnë marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë, tash për tash nuk mund të parashikohet me saktësi. Mirëpo ajo që dihet është se Serbia do të vazhdojë përpjekjet që ta shfrytëzojë këtë situatë për të rimarrë rolin e saj dominues në rajon, duke u zgjeruar territorialisht.

Synimet e Serbisë që të rikthehet si hegjemon në rajon janë reale. Kërcënimet e Serbisë për ndarjen e Kosovës janë të vazhdueshme. Ndërhyrja me struktura ilegale paralele në periudhën e protektoratit nëntëvjeçar dhe agresioni në rritje pas pavarësimit të Kosovës, refuzimi për ta njohur pavarësinë e Kosovës, fushata agresive diplomatike për të bllokuar procesin e njohjeve, plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit që erdhi kryesisht si rezultat i ndikimeve të Serbisë, kërkesa për rishqyrtimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe në kohët e fundit rritja e represionit ndaj shqiptarëve në luginën e Preshevës janë në mesin e fakteve kryesore që flasin për synimet djallëzore të Serbisë.

Nga ana tjetër, Serbia ka rritur kërcënimet për ndarjen e Bosnjës dhe bashkimin e Republika Serpskës me Serbinë.

Politikat e tilla mbështeten edhe nga qarqe akademike, si rasti i Dobrica Qosiqit, i cili shprehet hapur se Serbia ka dalë e fituar nga lufta, sepse ka fituar Republika Serpskën, duke ia atribuuar meritat një krimineli të luftës si Karagjiqi. Rrezikun e ndarjes së Bosnjës e ka alarmuar kohët e fundit edhe Presidenti kroat, Stipe Mesiq, i cili ftoi bashkësinë ndërkombëtare që ta pengojë Serbinë për ndarjen e Bosnjës. Se gjendja në Bosnjë është vërtet e brishtë dhe me rreziqe potenciale për shpërbërje është thënë qartazi edhe nga kryearkitekti i Bosnjës së Dejtonit, Richard Holbrook dhe ish-përfaqësuesi special i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, Paddy Ashdown, të cilët përmes një letre të hapur iu drejtuan bashkësisë ndërkombëtare, duke kërkuar që ta kthejnë vëmendjen kah Bosnja. Një situatë e rëndë do të thosha se mbretëron në gjithë rajonin, sepse synimet e Serbisë për ndryshimin e kufijve në rajon janë me pasoja globale, që mund të ndryshojnë hartën politike të mbarë rajonit. Serbia ka për qëllim të rimarrë rolin e hegjemonit dhe një synim i tillë është me rreziqe të mëdha për stabilitetin e rajonit. Kjo është dhe arsyeja pse i dhashë titullin këtij shkrimi, "Hegemon ad portas" (Hegjemoni para dyerve), duke përdorur metaforën latine "Hanibal ad portas" (Hanibali para dyerve), që historikisht përdoret në rastet e kërcënimeve nga rreziqet e mëdha. Përballë një rreziku të tillë duhet të kthehet jo vetëm vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe e gjithë vendeve të rajonit, për të penguar vendosjen e formulave të gabuara që përsëri mund ta trazojnë rajonin. Fundja, po qe se Serbia synon lëvizjen e kufijve, atëherë kjo nuk mund ta mohojë të drejtën e kombeve të tjera që të rikthejnë tokat e humbura nga padrejtësia historike.

Paqja e qëndrueshme në Ballkan mund të realizohet vetëm mbi parimin e balancës së forcave dhe kurrsesi mbi parime të hegjemonëve dhe të dominimit. Ky i dyti ka qenë burim luftërash të vazhdueshme, pasojat e të cilit janë ndjerë gjithandej në botë. Historikisht dy luftërat botërore e kanë origjinën në Ballkan dhe nuk duhet të nënçmohen potencialet e këtij rajoni për importe të tilla, nëse gjërat vendosen zhdrejtë. Për fat të mirë, të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të synimeve djallëzore të Serbisë, kanë përvjelë mëngët që të ndërtojnë shtete demokratike të standardeve evropiane, në mënyrë që sa më shpejt të bëhen pjesë e Evropës dhe e NATO-s. Një orientim i tillë demokratik dhe evro-atlantik duhet të mbështetet nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›