Në Tiranë, "Të mos i besosh askujt!"
"Body of lies" mbërrin në Tiranë. Filmi i regjisorit Ridley Scott, i cili do të shfaqet më 8 janar, në kinema "Millenium" shënon në të njëjtën kohë edhe premierën e parë për vitin 2009. "Të mos i besosh askujt" është një tjetër film që merr frymëzim nga tema e terrorizmit tashmë një karakteristikë e prodhimeve të fundit të kinemasë amerikane. Historia e filmit është mbështetur mbi librin me të njëjtin titull të David Ignatius, gazetar i "Washington Post". Në qendër të tij janë dy agjentë, njëri prej të cilëve është Roger Ferris, interpretuar nga Leonardo DiCaprio. Ai është një nga agjentët më të mirë të shërbimeve sekrete amerikane. Ai flet arabisht, di të lëvizë, të përshtatet, të vendosë marrëdhënie të shpejta dhe të marrë informatat e duhura. Ed Hoffman (Rusell Crowe) është shefi i tij në Uashington. Ndërsa ndihmon fëmijët për të hipur në makinë apo për t‘i ushqyer, me një telefon drejton lëvizjet e Ferris. Ai është një tip i rreptë, i qartë në idetë e tij dhe nuk i beson askujt. Ndërsa Ferris ka të tjera vizione mbi të drejtën. Me një tjetër vizion për terrorizmin, është shefi i shërbimeve sekrete jordaneze, Hani Salaam (Mark Strong), i cili mbyll trekëndëshin e personazheve që sjellin nëpërmjet këtij filmi tre perspektiva të ndryshme nga pikëpamja morale, politike dhe fizike. Filmi lëviz mes shumë sheshxhirimeve, pa u zbehur dhe me ritëm mjaft të mirë. Kjo falë mjeshtërisë së regjisorit Ridley Scott, i cili me katër ose gjashtë kamera për skenë arrin të japë gjithçka, deri në thelbin e saj, pak Ferris e pak Hoffman atje.