E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ekspertë të huaj për zbardhjen e ngjarjes

Kryeministri Sali Berisha edhe dje i është shmangur totalisht komentimit të ngjarjes së rëndë të dy ditëve më parë ku humbi jetën dëshmitari i skandalit që implikon qeveritarë të djathtë në trafikun e paligjshëm të armëve, biznesmeni Kosta Trebicka. Nëpërmjet zëdhënësit të vet në PD, Gerti Bogdani, ai ka përcjellë një deklaratë, por ku nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur kjo ngjarje, por është mjaftuar vetëm me një ngushëllim drejtuar familjarëve të Trebickës. “Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të të ndjerit Kosta Trebicka për humbjen e njeriut të tyre më të dashur, dhe lutet së bashku me ta që shpirti i tij të prehet në paqe”, - u shpreh Bogdani në emër të kryeministrit Berisha. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se kryeministri ka urdhëruar Ministrin e Brendshëm që të angazhojë të gjithë ekspertët më të mirë të kriminalistikës që të zbardhin sa më parë të këtë ngjarje. “I vetëdijshëm për cilësinë e tij si dëshmitar në një proces të rëndësishëm hetimor, Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme të angazhojë ekspertët e saj më të mirë, dhe në rast nevoje të kontribuojë edhe me ekspertë të huaj, për të hetuar në mënyrën më të plotë, profesionale e transparente, rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, si dhe për t’i bërë ato publike”, - tha Bogdani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›