"Të afërmit e të dënuarve i kontrollojnë në vendet intime"
Burgjet: “I kontrollojmë me duar në vende intime femrat dhe burrat e familjarëve të të burgosurve”
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pranon skandalin e kontrollit në vendet intime të familjarëve të të burgosurve nga gardianët e institucionit të vuajtjes së dënimit në burgun e Peqinit si dhe të njëjtën mënyrë kontrolli edhe në të gjitha institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Pasditen e djeshme, “Shkulli” komunikoi me Specialisten në Lidhjet me Jashtë dhe Median pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve znj. Blerina Marini, e cila pranoi se femrat zhvishen nga gardianet femra dhe burrat nga gardianë burra dhe kontrollohen në vende intime për sende të buta, për sende të paligjshme që tentojnë të fusin në burg. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se në të gjitha institucionet e paraburgimit dhe vendet e vuajtjes së dënimit parashikohet në rregulloren e brendshmekontrolli fizik dhe trupor për sende të paligjshme. Kështu, në rastin e burgut të Peqinit nuk ka asnjë ngacmim seksual, përkundrazi kryhet një punë rigoroze në zbatim të rregullores së burgut për kryerjet e kontrolleve fizike nga gardianët e institucionit. Në dhomat e veçanta të kontrollit fizik, gardianët përveç kontrollit me detektor për sende të forta të paligjshme kryejnë edhe kontrolle trupore të familjarëve të paraburgosurve dhe të dënuarve që vijnë për të kryer vizitë me të afërmit e tyre që ndodhen në burg. Sipas rregullores dhe në zbatim të saj, gardianet femra në dhoma të veçanta i zhveshin femrat dhe i kontrollojnë në vendet intime me duar, po e njëjta mënyrë përdoret edhe për meshkujt nga gardianë meshkuj”,-tha specialistja për lidhjet me jashtë dhe Median pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve znj. Blerina Marini. Ndërkohë, në raportin e publikuar dy ditë më parë në gazetën “Shekulli”, evidentohet ky fakt i cilësuar nga komisionerët e Avokatit të Popullit si një kontroll denigrues për pjesëtarët e familjes së të dënuarve dhe të paraburgosurve. “Në kontakt me familjarët e të dënuarve dhe me vetë këta të fundit, grupi inspektues konstatoi se ata kishin shumë rezerva për mënyrën e ushtrimit të kontrollit fizik dhe të ushqimeve nga ana e administratës së Burgut Peqin. Shpesh u denoncua se kontrolli, sidomos ndaj femrave kryhej tepër denigrues, duke i zhveshur ato dhe kryer ushtrime të tilla për të parë nëse dispononin ose jo sende të ndaluara të fshehura brenda vetes së tyre. Këto mënyra kontrolli shpesh kishin irrituar familjarët dhe vetë të dënuarit dhe kanë krijuar një klimë jo të favorshme në marrëdhëniet me drejtorin e Burgut Peqin”,- thuhet raport. Por institucioni i Avokatit të Popullit ka insistuar se kontrolli trupor i të afërmve të të burgosurve duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të mos cenojë dinjitetin e tyre. Krahas kësaj, lind si detyrë që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të gjejë mundësi financiare për të ofruar sa më parë aparatura të posaçme për kontrollin trupor në distancë, të cilat do të eliminonin format aktuale të kontrollit fizik. Ky dhe 19 probleme të tjera janë evidentuar në raportin e Avokatit të Popullit i cili i është dërguar krerëve më të lartë të sistemit të drejtësisë, duke i kërkuar urgjentisht përmirësimin e sjelljes së gardianëve dhe kushteve të këqijanë këtë institucion. Ky raport, u përpilua nga komisionerët e Avokatit të Popullit, pas një inspektimi të kryer në burgun e Peqinit gjatë datës 29-30 korrik të këtij viti.
Lejet e të dënuarve nuk janë privilegj për ta, por zbatim i ligjit
TIRANË- Nga inspektimi i kryer lidhur me lejet që jepen nga administrata e burgut të Peqin për raste ngjarjesh familjare, u konstatua se ato ishin të pakta në krahasim me numrin e kërkesave të paraqitura. Këto refuzime sipas të dënuarve ishin të pajustifikuara dhe shpeshishin bërë shkak për ankesa në drejtim të Drejtorit të burgut. Megjithëse refuzimi i lejeve, në shumicën e tyre, kishte qenë si pasojë e masave disiplinore të marra nga të dënuarit, pamundësia e mjeteve për të çuar në kohë të dënuarin afër familjes apo rrethana të tjera që vinin në rrezik sigurinë e të dënuarit, Avokati i Popullit gjykon se kërkesat e të dënuarve për ngjarjet familjare duhen vlerësuar me seriozitet dhe nuk duhen paragjykuar si privilegje ndaj të dënuarve, por si zbatim i legjislacionit në fuqi për këto raste. Në lidhje me këto leje dhe probleme tjera shqetësuese për të dënuarit dhe të paraburgosurit, komisionerët e Avokatit të Popullit gjatë dy ditëve të inspektimit kanë marrë 102 ankesa individuale me shkrim nga të burgosurit dhe paraburgosur që do të trajtohen, sipas raportit, në vijim të punës së komisionerëve.Celularët e kapur t’i jepen familjes së të dënuarit dhe jo të “zhduken”
TIRANË- Një tjetër problem i hasur nga ankesat e të dënuarve, sipas raportit, ishte trajtimi i sendeve të ndaluara nga ana e Drejtorisë së burgut Peqin. Sipas kësaj të fundit, sendet e ndaluara pasi gjenden dhe konstatohen si të tilla i kalojnë Prokurorisë së Elbasanit. Por, për shkak se për këto sende nuk hapet ndonjë proces penal apo gjyqësor, ato nuk dihet se pse dërgohen dhe mbahen nga organi i akuzës. Në këto kushte në zbatim të rregullores së brendshme të burgut, Avokati i Popullit kërkon që sendet e ndaluara që nuk janë pjesë e një aktiviteti kriminal ndaj të cilës prokuroria duhet të investohet, duhet të administrohen nga Drejtoria e burgut Peqin dhe më tej t`iu dorëzohen të afërmve të të dënuarve.