Identiteti i pa zbuluar i dy kufomave po mban peng varrimin
Viktimat
“Dy viktimat janë ende të paidentifikuar. Nuk mund të varrosen pa u zbuluar identiteti i tyre. Njerëz të interesuar shkojnë në morg dhe shikojnë trupat për të konstatuar nëse janë të afërmit e tyre të zhdukur, ndaj dhe dy viktimat nuk mund të varrosen. Megjithatë, për trupin e vajzës së gjetur në liqenin e Zall-Herrit, e cila ndodhet në institutin e policisë shkencore pritet të varroset së shpejti, por ende nuk është përcaktuar data”,- thanë për “Shekullin’ burimet policore. Megjithëse kanë kaluar afro dy vjet kur trupi i copëtuar të një vajze u gjet në liqenin e Zall-Herrit, në periferi të Tiranës, ende nuk është bërë i mundur identifikimi i saj. Pasi qëndroi për rreth një vit në morgun e spitalit të kryeqytetit, viktima u dërgua në Amerikë për ekzaminime nga FBI. Por kjo e fundit nuk konkludoi detaje të rëndësishme nga sa deklaroi mjekësia-ligjore, e policia e Tiranës. Kufoma mbërriti në Tiranë afro një javë më parë ndërsa policia iu rikthye edhe njëherë komunitetit për të ndihmuar në zbulimin e identitetit të vajzës.
Kufoma e Lushnjes
E pa varrosur ka mbetur edhe kufoma e djalit të gjetur në një fshat të Lushnjes. “Nëse do të kryhej identifikimi i viktimës atëherë do të hapej drita jeshile e hetuesve për të gjetur shkakun dhe autorët që vranë e më pas dogjën të riun” thanë për “Shekullin” burimet policore. Në këto kushte viktima ka mbetur në morg në pritje të identifikimit që megjithëse kanë kaluar dy javë ende nuk është realizuar një gjë e tillë. Policia deklaroi se kanë qenë të pakët personat e interesuar për viktimën por edhe ata që e kanë parë nuk kanë mundur ta identifikojnë duke e lënë kufomën “peng” në morgun e Tiranës. Policia kërkoi ndihmën e qytetarëve për të bërë identifikimin e kufomës së gjetur dy javë më parë në një kanal në Grabian të Lushnjes. Sipas policisë së Tiranës, për çdo informacion qytetarët mund të telefonojnë në numrin publik pa pagesë 129.
-Kufoma e Lushnjes
Kufoma e gjetur dy jave më parë në fshatin Grabian të Lushnjes është e seksit mashkull, me gjatësi trupore 1.68 çm, mosha 18-25 vjeç, me flokë ngjyrë të zezë të qethur shkurt e të lyer me xhel, sytë bojë qielli. Sipas këqyrjes së kufomës rezulton se ai mbante veshur një bluzë të zezë, në pjesën e përparme të bluzës ka mbishkrimin “EMPORI-ARMANI”. Po ashtu mbante veshur pantallona treçerekëshe doku me ngjyrë bezhë, si dhe atlete ngjyrë gri me mbishkrimin “NIKE”.
-Kufoma e Zall-Herrit
Kufoma e gjetur afro dy vjet më parë në liqenin e Zall-Herrit në Tiranë është femër e moshës 18-25 vjeçe, me origjinë evropiane. Të dhënat e tjera përfshijnë: mungesa e një dhëmbi prerës në anën e djathtë të pjesës së sipërme, buzë të holla, mjekër e zgjatur, hundë me konture të rregullta, dhe një vrimë të vogël në secilin vesh. Flokët e viktimës kishin një ngjyrë si të kuqerremtë, por flokët origjinale kanë qenë ngjyre kafe ose kafe e errët.