E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të alkoolizuarit, nis shërbimi i specializuar

Autori i Lajmit: red.

Shërbimi i ri për trajtimin e të alkoolizuarve, për ngritjen e të cilit u punua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shkollën Europiane të Alkoologjisë me qendër në Udine (Itali), është në pritje për trajtimin e individëve të varur nga alkooli. Sipas Drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, Mati Pepa, ky shërbim, i vendosur në një pjesë të godinës së vjetër të Spitalit Psikiatrik, është gati për të ofruar trajtim të specializuar, pasi është pajisur me mjetet e nevojshme dhe me 12 shtretër. Pepa tha se struktura e stafit përmban një mjek përgjegjës, 4 infermierë, një kryeinfermiere dhe një psikolog. Aktualisht, drejtoria e QSUT-së ka përzgjedhur edhe mjek që kanë mbaruar specializimin në Itali. Kjo klinikë përbën të parin shërbim alkoologjik të mirëfilltë në vendin tonë, pasi individët e varur nga alkooli nuk do të trajtohen vetëm për çrregullimet e tyre organike. Klinika e re do të ofrojë një shërbim afatgjatë, ku do të ketë kombinim të psikoterapisë dhe terapisë farmaceutike. Ngritja e një klinike për trajtimin e varësisë alkoolike është në përputhje edhe me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të cilën abuzimi me alkoolin është problem prioritar i shëndetit publik, për patologjitë e rënda (si ciroza hepatike), por dhe për impaktin e tij social. Sipas një studimi të kohëve të fundit, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, alkooli konsumohet nga rreth 350 mijë shqiptarë, prej të cilëve 58 për qind konsumojnë alkool tej masës së lejuar dhe 22 për qind janë të varur prej tij.

Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›