Të angazhuar për zgjedhje të lira dhe transparente
Ministri i Jashtëm Aldo Bumçi me të dërguarin e OSBE
30 vëzhgues afatshkurtër të misionit të ODHIR kanë mbërritur tashmë në vendin tonë dhe janë fokusuar në ndjekjen e procesit paraelektoral në 15 qendra të administrimit të zgjedhjeve në të gjithë vendin. Ndërsa për monitorimin e plotë të procesin elektoral pritet që këtë proces ta ndjekin nga afër edhe 400 vëzhgues të tjerë të cilët do të vijnë në vendin tonë rreth datës 20 qershor tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Burime nga ODIHR bëjnë të ditur se në kulmin e fushatës elektorale, do të hartohet një raport paraprak i fushatës elektorale dhe deklarata e parë për shtyp për të këtë proces do të jepet në raportin e 24 qershorit një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Duke iu referuar klimës elektorale, ministri i Jashtëm Aldo Bumçi ka siguruar në një takim përfaqësuesin e asamblesë parlamentare të OSBE z. Roberto Battelli, për angazhimin e qeverisë për mbajtjen e procesit zgjedhor sipas standardeve. Ndërsa nga ana e tij Battelli e vlerësoi pozitive ftesën e Qeverisë për një numër sa të madh vëzhguesish për të ndjekur nga afër procesin zgjedhor. Delegacioni i asamblesë së OSBE është takuar edhe me kreun e FRD, Bamir Topi, i cili ka ngritur shqetësimin e zhvillimit të fushatës elektorale nga kryeministri dhe kreu i opozitës, ndërsa tha se KQZ është kthyer në një institucion një partiak. Drejtoresha e misionit të ODHIR, Conny McCormack është njohur me shqetësimet e partive politike për procesin zgjedhor dhe me fushatën elektorale të 23 qershorit. Gjatë takimit me kreun republikan, Fatmir Mediu, ky i fundit e ka njohur me situatën politike në vend, ndërsa drejtoresha e misionit të vëzhguesve është shprehur se ka besim që partitë politike në Shqipëri do të realizojnë një proces tërësisht te rregullt ne zgjedhjet e 23 qershorit, për të qenë i pranueshëm edhe nga misioni i vëzhguesve te OSBE-ODIHR.