Autoriteti i Konkurrencës: Tregu i karburanteve, në situatë oligopoli
Tregu shqiptar i karburanteve është cilësuar dje zyrtarisht si një treg, ku konkurrenca është e kufizuar. Autoriteti i Konkurrencës tha dje se vihen re kufizime të konkurrencës në treg si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë. E tërë kjo do thotë se në treg ka kompani që kontrollojnë çmimin dhe e shesin sipas asaj që gjykojnë në interes të tyrin. Kjo shpjegon plotësisht edhe situatën me çmimet e jashtëzakonshme që ofron tregu shqiptar i karburanteve, në një kohë që tregu i huaj njeh ulje të mëdha nga dita në ditë të çmimit të karburanteve. Autoriteti i Konkurrencës tha se ai e nxori këtë përfundim pas një studimi të thelluar që i bëri gjendjes aktuale dhe se ai ka ftuar në një seancë dëgjimore kompanitë. Autoriteti i konkurrencës bëri me dije se ka ftuar ndërmarrjet nën hetim të tërheqin një kopje të raportit dhe të paraqesin pretendimet e tyre në seancën dëgjimore të datës 26. 12.2008. Pas përfundimit të seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, Komisioni i Konkurrencës do të vendosë me objektivitet, nëse ka patur apo jo shkelje të Ligjit nr. 9121, “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” duke marrë vendimet përkatëse. Pavarësisht vendimit që do të marrë Autoriteti i Konkurrencës, është e qartë se edhe zyrtarisht është provuar thyerja e konkurrencës e për pasojë e ligjit. Çmime në tregun e karburanteve janë ulur me rreth 1,5% në javë mesatarisht, ndërkohë që në tregun botëror ato janë ulur me rreth 10% në javë mesatarisht që prej fillimit të nëntorit. Kjo tregon sesa e rëndë është gjendja e konkurrencës. Tregu shqiptar i karburanteve ka qenë prej kohësh spekulativ me çmimet e karburanteve dhe asnjëherë nuk i është përgjigjur asaj që ndodhte në tregun e huaj, por shifrat e dy muajve të fundit janë shumë më të larta sesa spekulimet e viteve apo muajve të mëparshëm. E gjithë kjo ka ndodhur, kur një operator vendas ka blerë kompaninë shtetërore ARMO duke e bërë shumë më të lehtë kontrollin e tregut. Prej viti 2002 deri në verë të vitit 2008 çmimet në tregun shqiptar u rritën me rreth 130%, ndërkohë që në tregun e huaj ato ishin rritur me rreth 85%. Tashmë që ARMO është në treg, luhatja me tregun e huaj është disa herë më e lartë.