Mustafaj: Meksi,konkurrent djathtas, duhej në listën e PD
ADI SHKEMBI
Rikthimi i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi në politikë ngjall debatet e para brenda maxhorancës së djathtë. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj thotë në një prononcim për gazetën “Panorama” se do të donte që ish-themeluesi i PD-së të hynte në garë në zgjedhjet e 28 qershorit nga lista e kësaj force politike. “Mua do të më pëlqente që Meksi të ishte në listën e Partisë Demokratike”, tha dje Mustafaj. Ai vlerëson me nota pozitive figurën e ish-kryeministrit, të cilit i njeh kontribute në ndërtimin e demokracisë në vend pas vitit 1990. “Meksi është një figurë historike në Partinë Demokratike, është një nga themeluesit e partisë, është një nga bashkëhartuesit e parë programit të PD-së, pra është një figurë historike për vetë demokracinë shqiptare. Gjithashtu, Meksi është një figurë me rëndësi në historinë e shtetit shqiptar të këtyre 20 viteve të fundit, sepse ka qenë kryeministër në një periudhë shumë të vështirë të shtetit shqiptar po të kemi parasysh vitin 1992 kur gjithçka filloi nga zero”, shprehet më tej ish-ministri i Jashtëm. Një tjetër argument sipas Mustafajt, që Meksi duhet të ishte pjesë e Partisë Demokratike është edhe fakti se ai asnjëherë nuk ka bërë marrëveshje me të majtën në vend, duke i qëndruar strikt qëndrimeve të tij. “Një gjë është e rëndësishme, Meksi kurrë nuk ka prerë majtas. Unë nuk di asnjë kompromis që Meksi të ketë bërë me të majtën, nuk di asnjë kompromis apo lëshim që Meksi t’u ketë bërë kundërshtarëve tanë politikë, kështu që në këtë kuptim mua më vjen mirë që ai rikthehet në politikë, më vjen mirë që është një konkurrent djathtas, siç më vjen keq që nuk është në listën e PD-së”, theksoi deputeti i Partisë Demokratike. Megjithatë anëtari i kryesisë së PD-së dhe kandidati për garën e kësaj partie në degën e Tiranës kritikon qëndrimet e ish-kryeministrit të mbajtura ndaj forcës blu pas vitit 1997. Mustafaj thotë se kritikat e tij në drejtim të PD-së kanë qenë të padrejta, sikundër nuk mbështet qëndrimin e Meksit për të bojkotuar organet drejtuese të kësaj partie. “Unë e kam ndjekur gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga 1997, dua të them qëndrimet e Meksit, mendoj se shpesh herë ka qenë i padrejtë me Partinë Demokratike në kritikat e tij. Unë nuk e kam kuptuar as heshtjen e tij shumë herë. Ai është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike me statut dhe nuk ka ardhur kurrë. Ka qenë deputet deri në vitin 2001 dhe nuk ka ardhur pothuajse fare në Parlament”, deklaroi Mustafaj. I pyetur nëse Partia Demokratike ka ende kohë për të ftuar edhe koalicionin “Poli i Lirisë” në një marrëveshje paraelektorale, ish-kreu i diplomacisë shqiptare, thekson se kreu i këtij Poli e ka bërë të qartë tashmë qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje. “Unë nuk e shoh si një kërcënim për Partinë Demokratike, nuk mendoj se Meksi është rikthyer në politikë për të kërcënuar PD-në. Ai është rikthyer në politikë për të kontribuar për të djathtën shqiptare. Kjo është filozofia për të cilën mendoj unë se Meksi është rikthyer në politikë”, përfundoi Mustafaj.
Shehu: Do doja të ishte në PD
Ish-kryetari i Partisë Demokratike në vitet 1994-1997, Tritan Shehu komenton lëvizjen e fundit të Aleksandër Meksit si një qëndrim të tijin personal. Në pozicionin e një prej të larguarve nga PD-ja pas përplasjeve me kreun aktual të saj Sali Berisha në vitin 1999 dhe i rikthyer më pas në vitin 2008, Shehu thotë se do të kishte dëshirë që edhe ish-kryeministri të rikthehej sërish në Partinë Demokratike. “Është një zgjidhje personale e zotit Meksi. Ai kështu ka vendosur. Unë do të kisha dëshirë që ai të kishte bërë një zgjidhje tjetër, të kishte qëndruar brenda Partisë Demokratike”, tha Shehu gjatë një prononcimi për gazetën. Ish-kreu i PD-së u largua nga kjo forcë politike së bashku me Genc Pollon dhe një sërë figurash të tjera, por që u bashkuan sërish në fillim me një marrëveshje bashkëqeverisëse në vitin 2005 dhe tani me shkrirjen e PDR-së.
Sekretari i përgjithshëm i PD
Bode: Meksi te LZHK? Zgjedhje e tij personale
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode vlerëson si zgjedhje marrjen e drejtimit të Polit të Lirisë nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi. Sipas tij vota, për koalicionin e kryesuar nga PD nuk do të varet nga taktikat elektorale, por nga ato premtimeve që ajo ka mbajtur gjatë katër viteve. “Mendoj se është një zgjidhje personale e zotit Meksi, ashtu ka gjykuar dhe ashtu ka vepruar. Vota në mbështetje të alternativës së PD-së dhe koalicionit që po formohet, që përbën një numër rreth 10 parti politike, vota për PD dhe koalicionin nuk varet nga taktika elektorale e kundërshtarit, as nga taktikat politike që bëhen në këtë kuadër, por varet nga performanca që do të ketë vetë koalicioni, nga koherenca e programit elektoral dhe nga besueshmëria, që ka ky koalicion para opinionit publik shqiptar”, tha ministri i Financave Ridvan Bode.