E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët do e paguajnë shtrenjtë kredinë për autostradën drejt Kosovës

Nga Gjergj Erebara dhe Besar Likmeta, Balkan Insight

Ministria e Financave e Shqipërisë lajmëroi të martën se kishte arritur një marrëveshje për një kredi prej 95 milionë eurosh me një interes prej 9.65% plus Euribor për të financuar deficitin buxhetor në vitin 2009.

Kredia, e cila do të disbursohet menjëherë, do të përdoret për të mbuluar shpenzimet e autostradës Rrëshen-Kalimash, një projekt prej 1 miliard eurosh, që do të lidhë bregdetin e Adriatikut në Shqipëri me Kosovën pa dalje në det.

Paratë gjithashtu do të mbulojnë një rritje pensionesh dhe pagash për buxhetorët në masën 10%, që pritet të implementohet përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Alpha Bank e Greqisë, Deutsche Bank, Tirana Bank, si dhe Banka Kombëtare Tregtare u bashkuan në një kredi sindikatë për pjesën e parë prej 95 milionë eurosh, që do të disbursohet tani në maj.

Pjesa e dytë e kredisë, e vlefshme 155 milionë euro, do të disbursohet në qershor.

“Kredia ka një maturim trevjeçar, por ne kemi të drejtën të paguajmë përpara dhe ne synojmë të zëvendësojmë pagesën me eurobono, që do të emetohen, kur tregjet financiare të stabilizohen”, - tha zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu.

Shehu mbrojti nivelin e lartë të interesit, duke thënë se, “është në përputhje me interesat e tregut dhe më e ulët se çfarë iu ofrohet vendeve me profil risku si Shqipëria”.

Shqipëria dëshiron të mbledhë 300 milionë euro përmes bonove. Por një tentativë e bërë dhjetorin e kaluar dështoi dhe çështja u shty për shkak të mungesës së interesit ndërkombëtar.

Marrëveshja për kredinë kërkon një aprovim përfundimtar nga parlamenti përpara 15 majit, që është dhe dita e fundit, kur ligjvënësit do të ulen në seancë përpara zgjedhjeve.

Tirana ka qenë në nevojë të dëshpëruar për pará për të lehtësuar nevojën për likuiditet si rezultat i të ardhurave të ulëta nga taksat dhe vështirësive në tregun e borxhit të brendshëm.

Vështirësitë financiare të qeverisë janë përkeqësuar nga vendimi për të rritur shpenzimet publike, rritur pagat dhe pensionet përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Disa ekspertë të kontaktuar nga Balkan Insight u shprehën të shokuar me termat e ripagimit të kredisë.

“E tmerrshme, e pabesueshme, e pashpjegueshme”, - ishte verdikti i ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, Shkëlqim Cani.

“Qeveria duhet të gjejë zgjidhje tjetër dhe të na tregojë se çfarë projekti me rëndësi të madhe mund të justifikojë këtë nivel interesi”, - shton Cani.

Në vitin 2008, Shqipëria financoi deficitin buxhetor me një kredi sindikatë prej 230 milionë eurosh, me një interes prej vetëm 1.25%, plus Euribor. Ajo duhej paguar për 15 vjet me një periudhë favorizimi prej pesë vjetësh.

Në prill, JCR Eurasia Rating, një agjenci vlerësimi turke, ndryshoi vlerësimin e saj për borxhin publik të Shqipërisë nga “i qëndrueshëm” në “negativ”, duke cituar situatën e përkeqësuar makroekonomike në vend.

“Nota ‘negative’ është vendosur në të gjitha vlerësimet për shkak të treguesve të përkeqësuar makroekonomikë, si për shkak të vendit, ashtu dhe për shkak të recesionit financiar global, që ka patur një efekt ngadalësues në ekonomi”, - thuhet në një deklaratë të JCR.

Deficiti i lartë tregtar dhe i llogarisë korente në krahasim me GDP dhe shpenzimet populiste në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit mund të prekë mjedisin makroekonomik të vendit”, - shtoi agjencia.

JCR tha se parashikohet që borxhi publik i Shqipërisë të rritet më shumë se 5.5% të GDP në 2009.

Qeveria ka thënë se nuk do t’i rishikojë planet e saj të shpenzimeve, pavarësisht se i është bërë thirrje nga Banka Qendrore.

Burime të mirinformuara brenda Ministrisë së Financave i thanë Balkan Insight se shkurtimet në shpenzimet publike do të diskutohen menjëherë pas zgjedhjeve.

Shumica e kredisë së fundit pritet të shkojë për të financuar autostradën Shqipëri-Kosovë, një projekt rruge mamuth në veri të Shqipërisë, i zhytur në akuza për korrupsion dhe një betejë të vështirë gjyqësore mes qeverisë dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.

Projekti më i madh publik i Shqipërisë në dekada, një autostradë prej katër korsesh, do të forcojë lidhjet, tashmë mjaftueshëm të thella mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku 90% e popullsisë është me origjinë shqiptare.

Rruga është quajtur “autostrada patriotike”, duke reflektuar motivet e supozuara gjeopolitike që qëndrojnë pas projektit - dhe faktin se nuk është marrë asnjë studim fizibiliteti se kur do i kthejë ajo paratë e investuara.

Akuzat për korrupsion dhe teprimi me shpenzimet ka bërë që shumë të vënë në pikëpyetje rëndësinë e ndërtimit të saj.

Të enjten e kaluar, Gjykata e Lartë e Shqipërisë hodhi poshtë dy vendime të Gjykatës së Faktit dhe asaj të Apelit, që kishin rrëzuar çështjen kundër ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që akuzohet për abuzime me detyrën në lidhje me projektin e kësaj autostrade.

Paneli i gjeti vendimet e gjykatave më të ulëta si antikushtetuese.

Ekspertët ligjorë thonë se vendimi i ri i hap rrugën Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për të akuzuar sërish Bashën për abuzim me pushtetin dhe thyerje të rregullave të tenderimit, për sa i përket projektit. Nëse gjendet fajtor, ministri rrezikon deri në 12 vite burg.

Akuzat lidhen me kohën kur Basha shërbente si ministër i Transporteve dhe Punëve Publike nga viti 2005 deri në vitin 2007.

Seksioni prej 61 kilometrash nga Rrësheni në Kalimash i kësaj autostrade po i kushton Shqipërisë të paktën 1.02 miliardë euro, sipas akuzave që janë ngritur më herët ndaj Bashës.

Megjithatë, për shkak se autostrada nuk ka mbaruar akoma, fatura përfundimtare mund të rritet edhe më.

Seksioni Rrëshen-Kalimash është vetëm një pjesë e autostradës prej 170 kilometrash. Qeveria shqiptare ka refuzuar që të llogarisë koston finale të rrugës.

Prokuroria pretendon parregullsi në tender që u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë diku tej 230 milionë eurove.

Përllogaritja është bazuar në çmimin mesatar të materialeve të ndërtimit dhe kostot e punës në krahasim me atë çka po paguan aktualisht Shqipëria për të ndërtuar rrugën.

Autostrada që do të lidhë portin e Durrës në Shqipëri me Kosovën, gjithashtu përfshin dhe një tunel prej 5.6 kilometrash.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shpenzoi muaj të tërë duke provuar parregullsitë e dyshuara në tenderin për ndërtimin e rrugës, që është fituar nga një konsorcium turko-amerikan, “Bechtel- Enka”.

Ndërsa beteja ligjore vazhdon, disa ekonomisë thonë se shuma e madhe e shpenzimeve mund të ishte menaxhuar më mirë për shpenzime të tjera në një vend me një përqindje papunësie prej 30% dhe me një pagë mujore mesatare prej 250 eurosh.

“Nuk mendoj se do të ketë vlerë ekonomike në terma afatshkurtër, por është një projekt monumental dhe në terma afatgjatë do të zgjerojë tregtinë”, - thotë Selim Belortaja, drejtor ekzekutiv në Qendrën Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare.

Për dekanin e Ekonomikut në Universitetin e Tiranës, problemi nuk është vetëm me kostot e stërmëdha të ndërtimit.

“Nuk duhet të shqetësohemi vetëm se sa do të kushtojë, por edhe se sa do të duhet për të mirëmbajtur autostradën”, - thotë Omer Stringa.

Niko Naska, një ekspert për transportet në Tiranë, beson se qeveria shqiptare duhej të ishte treguar më e zgjuar duke investuar paratë diku tjetër.

“Shqipëria do të kishte bërë më mirë, nëse do të kishte investuar për Korridorin Evropian 8, që do të lidhet përmes Maqedonisë me Bullgarinë dhe Turqinë”, - thotë Naska. Për të paguar për rrugën Rrëshen-Kalimash do na duhen 60 vite”, - shton ai.

Dhe për shumë vite pas kompletimit nuk do të përdoret, për shkak se do bëhen vetëm 60 nga 200 kilometra të rrugës dhe segmentet e tjera nuk do përfundojnë përpara vitit 2012.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›