Partia e çamëve ndan Dulen nga Berisha,PBDNJ pranë koalicionit me PS-në
ADI SHKEMBI
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të vendosë përfundimisht sot, nëse do të jetë pjesë e koalicionit të majtë apo do të dalë e pavarur. Dy mbledhjet e ditës së djeshme nuk kanë mundur të japin një përgjigje përfundimtare lidhur me marrëveshjen paraelektorale të kësaj force politike dhe do të jetë pikërisht mbledhja e kryesisë sot në orën 16.00, e cila do të qartësojë pozicionin e forcës politike, që mbron interesat e minoritetit në Shqipëri.
Negociatat me PD
Në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PBDNJ-së, kryetari i saj, Vangjel Dule ka njoftuar se kanë dështuar negociatat me Partinë Demokratike për një marrëveshje parazgjedhore. Lajmin e konfirmoi dje për gazetën “Panorama”, anëtari i kryesisë së PBDNJ-së, njëherësh prefekt i qarkut të Gjirokastrës Spiro Ksera. “Mbrëmë kryetari i Partisë, Vangjel Dule na komunikoi se me Partinë Demokratike nuk mund të kishte marrëveshje paraelektorale për shkak të përbërjes së këtij koalicioni. Dule i kishte kërkuar kryeministrit Berisha, që nëse PBDNJ-ja do të ishte pjesë e koalicionit të djathtë duhet të dilte jashtë tij Partia për Drejtësi dhe Integrim, por që këtë propozim Kryeministri Berisha nuk e kishte pranuar”, tha mbrëmë Ksera për gazetën. Partia Demokratike, e cila ka nënshkruar koalicionin paraelektoral me 9 forca të tjera politike, ka afruar pranë saj edhe Partinë për Drejtësi dhe Integrim të komunitetit çam. Marrëveshja me këtë forcë politike nuk është pritur mirë nga PBDNJ, çka ka çuar në dështimin e negociatave me PD-në.
Kryesia
Pas vendimit se me PD-në nuk do të ketë koalicion parazgjedhor, kryesia e PBDNJ-së dhe ajo e “Omonia”-s u mblodhën dje në dy takime për të vendosur pozicionin e forcës së minoritetit. Ksera bëri të ditur se në kryesinë e “Omonia”-s u zhvilluan paraprakisht 4 votime, ku nuk u pranuan koalicionin me PD-në, ku pjesë e tij të jetë PDI; u pranua koalicioni me PD-në pa PDI-në por që u refuzua nga kryeministri Berisha; u refuzua me 8 vota kundër dhe 4 pro koalicioni me PS-në dhe u votua me 7 vota pro dhe 5 kundër dalja si e pavarur. Në përfundim të mbledhjes, “Omonia” i shprehu kryesisë së PBDNJ-së qëndrimin e saj për të dalë të pavarur në 28 qershor. Pas këtij vendimi kryesia e PBDNJ-së nisi debatet për të qartësuar pozicionin e saj. Ksera bëri të ditur se kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule së bashku me një grup anëtarësh të kryesisë mbronin idenë se kjo forcë duhet të renditet përkrah koalicionit të majtë në zgjedhje. Përballë tyre ishin kryetari i “Omonia”-s dhe njëherësh kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano si dhe Spiro Ksera dhe disa anëtarë të tjerë të kryesisë, të cilët theksuan se PDBNJ-ja duhet të dalë e pavarur. Ksera tha për gazetën se kryesia e kësaj partie ende nuk di detajet e një marrëveshje të mundshme me PS-në për t’u shprehur më pas. Për këtë arsye sipas tij, u vendos që sot në orën 16.00 të zhvillohet mbledhja, ku do të qartësohet edhe pozicioni i kësaj partie.
PS formalizon koalicionin, në pritje të PBDNJ
Të majtët formalizuan dje koalicionin e tyre zgjedhor “Bashkimi për ndryshim”. PS, PSD, PDS dhe G99 janë pjesë të koalicionit të majtë dhe pse ka ende më shumë se 24 orë për të shtuar dhe parti të tjera para se lista e koalicionit të dorëzohet në KQZ. Të majtët, ndryshe nga herët e tjera, preferuan një amfiteatër, pranë Akademisë së Arteve dhe një takim masiv me anëtarë dhe simpatizantë të tyre, për të zyrtarizuar koalicionin, i cili nga thirrjet e kryetarëve, është një koalicion me qytetarët. Takimi që ishte vendosur të niste në orën 17:00 nisi me vonesë, për shkak se të majtët prisnin dje pasdite edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules. Por kjo parti edhe pse zhvilloi një mbledhje kryesie dje paradite, nuk arriti të merrte një vendim politik rreth koalicionit me të cilin do bashkëpunojnë në këto zgjedhje.
Edhe pse partitë kishin hartuar një draft deklaratë të përbashkët për zyrtarizmin e këtij koalicioni, krerët e tyre nuk hodhën firmat e tyre në to, duke lënë derën hapur deri sot në orën 24:00 sipas KQZ-së. Kreu socialist gjatë fjalës së tij, e la të hapur hyrjen edhe të subjekteve të tjera në koalicionin e tyre brenda afatit të përcaktuar nga ligji elektoral. Rama deklaroi gjatë fjalës së tij se bashkimi i ri i së majtës ka lindur për t’i hapur krahët e bashkëpunimit të gjithë atyre që duan ndryshimin.
“Bashkimi ynë i ri nuk ka lindur për t’ju përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, por për t’i hapur krahët të gjithë atyre që e duan Shqipërinë si Evropa”, theksoi kryesocialisti.
Ashtu sikundër deklaruan edhe liderët e tjerë të koalicionit, Rama u shpreh se koalicioni i së majtës është një bashkim përtej së majtës dhe të djathtës, por sipas tij ka lindur për të mos lënë që të vazhdohet të jetohet me plagët e të vjetrës. Rama u shpreh se ky bashkim ka si qëllim të nxjerrë më të mirën e mundshme. “Bashkimi ynë ka ardhur për t’iu dhënë përgjigje pikëpyetjeve të shqiptarëve. Jemi bashkuar për të mbledhur të gjithë fuqinë e mendjes, për të mos lejuar që kjo Shqipëri të bëhet copë e çikë për shkak të paaftësisë dhe interesave personale”, theksoi Rama. Kreu i PSD-së Gjinushi u shpreh se “bashkimi jonë përfaqëson shpresën dhe të ardhmen, Shqipërisë i duhet një ndryshim dhe këtë do ta bëjmë së bashku. Shumica e shqiptarëve janë për këtë ndryshim dhe për rikthimin e shpresës dhe normalitetit”. Ndërsa kryetari i PDS-së Paskal Milo tha se “koalicioni i majtë nuk është një koalicion elektoral, por koalicioni i qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë”. Milo tha se e majta do të jetë ajo që do të presë shiritin e inaugurimit, kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE. Kreu i G99 i ka bërë thirrje qytetarëve ta konsiderojnë koalicionin e ri si koalicion qytetar përtej të majtës apo të djathtës. “Ne duam të ftojmë të gjithë qytetarët të jenë dëshmitarë të kësaj besëlidhje të re me Shqipërinë, që quhet Bashkimi i ri për ndryshim”, theksoi Veliaj.