Të ardhurat, vendorët realizuan 64 për qind
Të ardhurat e buxheteve vendore janë realizuar në masën 64 për qind, duke shkaktuar ndikim negativ te totali, kurse arkëtimet nga pushteti qendror rezulton 100 për qind. "Realizimi i të ardhurave nga pushteti vendor nuk ndikon treguesit makroekonomikë të vendit dhe nuk jep risqe fiskale, për arsye se ata janë të autorizuar për të kryer shpenzime në masën e realizimit të të ardhurave", tha ministri. Sipas tij, ndikim ka pasur puna jo e mirë në dogana, të cilat nuk mundën të menaxhonin si duhet situatën e krizës financiare, duke sjellë në buxhet rreth 10 milionë dollarë më pak të ardhura. "Prapambetjet që ka pasur sektori i doganave lidhen me tregtinë ndërkombëtare, me rënien e çmimeve sidomos të mallrave me peshë në import siç janë karburantet, drithërat dhe materialet e ndërtimit, deri mbi 50 për qind", tha ministri Bode.