E Diel, 1 Nëntor 2026

Studim për tërmetet, sa i rrezikuar është kryeqyteti

Autori i Lajmit: red.
Bashkia e Tiranës ka tashmë në duart e saj një studim të hollësishëm shkencor, inxhiniero-sizmiologjik për qendrën e Tiranës. Ky studim i domosdoshëm për zhvillimet dhe për vetë ritmet me të cilat po zhvillohet kryeqyteti është bërë nga Instituti i Sizmiologjisë në Akademinë e Shkencave, me kërkesë të Bashkisë së Tiranës. Në këtë studim kanë marrë pjesë si autorë, autoritete të njohura të kësaj fushe, të cilët janë prof. dr. Shyqyri Aliaj, prof. asoc. dr. Llambro Duni, prof. dr. Neki Cuca, as. k. Anuela Çollaku. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, “në formulimin e këtij studimi është shfrytëzuar përvoja e fituar gjatë hartimit të studimeve të rrezikut sizmik të shesheve të ndërtimit, të objekteve të banimit me lartësi të madhe mbi tetë kate, që realizohen nga Instituti i Sizmiologjisë në zbatim të Ligjit të Urbanistikës, si dhe arritjet më të fundit të studimeve të rrezikut sizmik në nivel rajonal dhe lokal që Instituti i Sizmiologjisë ka realizuar kohët e fundit. Në këtë studim trajtohen shkencërisht tema të tilla mjaft interesante si, kuadri gjeologjik i qytetit të Tiranës; aktiviteti dhe rreziku sizmik i qytetit të Tiranës, kushtet gjeologo-inxhinierike dhe gjeoteknike të qendrës së Tiranës, rreziku sizmik i qendrës së Tiranës sipas parametrave fizikë të lëkundjeve të forta të truallit, reagimi dinamik i truallit të qendrës së Tiranës; etj, si dhe jepen përfundime dhe rekomandime. Në këto përfundime, thuhet se studimi është i vlefshëm për objekte të zakonshme deri në tetë kate. Për objektet e tjera duhen kryer studime të posaçme të rrezikut sizmik, në përputhje me kërkesat e ligjit të Urbanistikës.
Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›