Me protestën e Mjaft kundër Italisë, Rama qeras Veltronin dhe komunistët shqiptarë
Një protestë e dështuar e Bashkimeve Profesionale të Ramës - Mjaftit - kundër të ashtuquajturës “veprimtari të paligjshme të qeverisë Berluskoni, ndaj emigrantëve”, është shenja e sigurtë e një kthese të brendshme e të thellë, që PS-ja po përgatit në reagimin ndaj Perëndimit. Në qoftë se në një plan të lojës së vogël e meskine politike, që është stili themelor i Ramës, ai qerasi Veltronin dhe majtistë të tjerë, të cilët gënjyen publikisht në Romë, mbi pjesëmarrjen në demonstratën e paradoditëve, në një plan më të gjerë, Rama kënaqi komunistët shqiptarë, të cilët ngaherë e kanë ditur Italinë armike të shqiptarëve dhe Serbinë e Rusinë, mike të tyre. Protesta e Mjaft-it nuk ishte çështja e një Spiropali - që diçka të kujton, në zellin antiitalian - por ishte më shumë se kaq. Është vetë fryma e Ramës kundër investimeve të huaja, që në ditën e djeshme ishin të lidhura drejtpërsëdrejti me marrëveshjen dhe rolin e Italisë në këto investime. Rama, i përjashtuar nga perëndimorët, si një figurë me pjekuri politike dhe me rol objektiv, por i lexuar prej tyre si një thashethemexhi fshati, që kërkon t’i zgjidhë të gjitha punët me marifetet mediatike, me heshtje të tyre për të vërtetat si sukses, dhe me sulm të tyre, për të bërë shpifjet që të zënë vend, tregojnë më së fundmi se qendrimi i tij ndaj firmës së Xhorxh Bushit nuk ishte thjesht zili e lidhur me qeverisjen e Berishës, por më shumë se kaq. Ky antiglobalist do të dalë në rrënjët e vërteta të formimit të tij, që nuk lëviz nga kuotat e Enver Hoxhës dhe të asaj politike që përjashton lirinë e vërtetë të njeriut, dhe rregullën themelore të tregut.
Protesta e djeshme ishte një turp i Partisë Socialiste, dhe i Ramës, që e urdhëron atë. Por për hir të së vërtetës, duhet thënë se Mjaft-i është një megafon politik vetëm në duart e Ramës. Aty kemi të bëjmë me një projeksion të drejtpërdrejtë të tij. Sigurisht, shpenzimet dhe faturat për këtë miniprotestë, që nuk arriti ta ngrejë siç ia donte qejfi, janë të shkruara në nivele shumëzimi serioze.
Gjithsesi, ishte krejt primitive që në ditën që ministri i jashtëm italian vjen në Shqipëri, ti t’i bësh një karshillëk dhe vetë shkon nëpër fshatra që të thuash të nesërmen se unë s’dija gjë. Nuk ka shqiptar që ia bën mikut këtë rreng.
Por çështja është se çfarë është Rama? Përkufizimin real të tij e jep vetëm letërsia, pasi politika është ende e varfër. Enveri thoshte se unë jam shefi i diktaturës së proletariatit, kurse ky nuk e thotë se ç‘është, thotë një diçka tjetër, që mund të gënjejë vetëm naivët.
...