E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Alibeaj: Reforma në drejtësi, sfida jonë shumëvjeçare

Reformat në sistemin e drejtësisë, si dhe në shumicën e vendeve ish-socialiste, edhe në Shqipëri, mbeten ndër sfidat kryesore. Autoritetet shqiptare i kanë cilësuar si themelore për shtetin reformat që kanë të bëjnë me pavarësinë e këtij sistemi, transparencën dhe miradministrimin. Opozita në Tiranë thotë se reforma në drejtësi mbetet një nga problemet më të mëdha të vendit, kurse qeverinë e kryeministrit Berisha e quan pengesë për mosrespektim të ndarjes së pushteteve në vend.
Bashkëbisedues yni dhe juaji në rubrikën Zigzag është Enkelejd Alibeaj, ministër i Drejtësisë në qeverinë shqiptare.

Fillimisht, deri ku kanë mbërritur reformat në sistemin e drejtësisë shqiptare, e them këtë gjithnjë duke marrë parasysh edhe vlerësimit, madje herë-herë edhe kritikat e vëzhguesve dhe organizmave ndërkombëtare se në këtë fushë mbetet shumëçka për tu bërë. Çfarë është bërë?
Atëherë unë po filloj nga konstatimi juaj i fundit që në këtë fushë mbetet shumë për të bërë. Sigurisht që mbetet shumë për të bërë, të paktën nga ana e pozitës, nga ana e mazhorancës ose Qeverisë. Është konsideruar që në momentet e para që kjo reformë ka një fillim, ka një start, por kurrsesi nuk do të ketë një përfundim, një finish, ku të gjithë të themi që hodhëm pas një reformë. Jo! Reforma është një mentalitet, mentalitet vazhdues. Qeverisja do të duhet të përshkohet nga ky fill tejpërshkues, reformues. Ka një fjalë të urtë në Shqipëri: Uji që rri ndenjur, qelbet. Më falni për shprehjen, por unë besoj që kjo duhet të jetë mentaliteti në të cilin ne do të duhet ta hedhim poshtë. Vetëm një mentalitet reformues i vazhdueshëm, gjithmonë reformë në ide, jo në njerëz, do të ishte mënyra më e mirë sjellës së politikës, apo të themi të gjitha flukseve të tjera publike që qeverisin le të themi mediatikisht apo praktikisht një shoqëri. Për sa i përket reformës konkrete në drejtësi, sigurisht ka qenë sfidë, është sfidë dhe do të mbetet një sfidë. Do të ngelet një sfidë sepse përvoja e të paktën 18 viteve e diçka më tepër ka treguar që është sistemi i drejtësisë dhe këtu përfshijë jo vetëm sistemin gjyqësor, jo vetëm sistemin e ndjekjes penale, por edhe elementë të tjerë dytësor por që plotësojnë këtë mozaik. Ka pasur nevojë dhe gjithmonë ka nevojë që të reformohet. Sigurisht që zgjidhja më e mirë do të ishte që këto sisteme të vetëreformoheshin, sigurisht që ky është një mekanizëm kushtetues që nuk do të mund të funksionojë. Gjithmonë ka, kështu është edhe e shkruar në Kushtetutë, qoftë edhe në Doktrinë, që reformat të bëhen në të paktën dy mënyra. E para është reforma ligjore, në shtratin ligjor, ndryshim ligjesh atëherë kur konstatohet se janë ligjet, shkaku që sjellin këtë pasojë, të mos funksionimit të sistemit apo që lënë shteg për shkaqe dhe pasoja për veprimtarinë abuzive ose korruptive. Së dyti është komponenti tjetër, qeverisja prej njerëzve. Kjo mazhorancë që në vitin 2005, kur u premtoi shqiptarëve që do të ndryshonte Shqipërinë dhe do të ndryshonte atë me vullnet të saj, gjithmonë brenda dimensioneve të mandatit që mori nga publiku, nga elektorati, konstatoi dhe i vuri qëllim vetes që ndërhyrja më e drejtë, reforma më e saktë, ajo që do të sillte produkte jo vetëm afatshkurtër por edhe afatgjatë do të ishte reforma ligjore, reformë ligjore që është edhe delikate, në një sistem po kaq delikat siç është ai i drejtësi. Reforma ka filluar që në momentin e parë të marrjes së pushtetit, me një ligj bazë, kryesor, themelor, që është ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Pra segmentit që ka të bëjë me gjyqësorin, atë që quhet realisht pushtet, një nga tre pushtetet. Reforma u filluar nga mazhoranca, u hartuar një ligj integral, u depozitua që në fund të vitit 2006 në Parlament, pati një lloj, të themi, refraktarizmi nga ana e palës tjetër, opozitës në Parlament, e cila mund të ketë pasur edhe ajo arsyet e veta të difidencës politike, duke menduar që kjo nuk ishte një reformë serioze apo e sinqertë. Në fakt nuk rezultoi kështu. Për shkak të kësaj sjelljeje refraktare të opozitës ligji qëndroi më tepër se sa një vit e gjysmë në parlament, i depozituar. Erdhi një moment tjetër kur nevoja për reformim kurrë nuk u artikulua thjesht dhe vetëm nga pozita, nga Qeveria, por u pa si një nevojë e artikuluar edhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë.

E thashë edhe në çelje, e citova atë që edhe ju e quani grupi tjetër, opozitën, sipas të cilës kjo mazhorancë në ballë me Kryeministrin janë pengesë për mosrespektim të ndarjes së pushteteve në vend...?
Pikërisht këtë dëshiroj të shpjegoj. Sfida ishte për të kaluar një moment disidence politike. Me nisjen e reformës, për ligjin mbi organizimin dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor, mazhoranca nuk kishte kurrsesi asnjë lloj taktike apo strategjike për të bërë diçka ndryshe nga standardet ndërkombëtare. Mund të them, jo pa lënë ndonjë kredo politike, që ishte iniciativë fillestare e mazhorancës, u mirëprit kontributi edhe i opozitës. Madje opozita pa që ne ishim komplet të hapur, tërësisht të hapur për ide dhe koncepte të tjera, të reja, të standardeve dhe besoj në atë kaluam një nga sfidat më të mëdha, jo më tepër juridike se sa politike. Sepse do të duhet të kuptojmë të gjithë që reformat bëhen, mirë ose keq, nga ajo që quhet klasë politike, këto flukse politike që plazmohet me debate parlamentare. Është parlamenti ai i cili në fund do të japë vullnetin e vet dhe vulën e vet për kryerjen e një reforme. Sa më cilësore të jetë juridikisht, aq më e mirë është. Ndërkohë në vazhdim prej Qeverisë, prej mazhorancës, prej Ministrisë së Drejtësisë po të doni ju, janë iniciuar një sërë iniciativash ligjore që përmbushin ose krijojnë një mozaik gjithmonë e më tepër panoramik të reformës në drejtësi, e cila prek jo vetëm pushtetin gjyqësor, por prek edhe administratën gjyqësore, prek edhe prokurorisë, prek edhe institucionet e ekzekutimit të veprave penale. Pra ka iniciativa reformuese jo vetëm në thelbin e sistemit, por edhe në sisteme të tjera që i ekzekutojnë vendimet penale, në ligjin për shërbimin përmbarimor. Ka ndërhyrje dhe koncepte të reja në ligjin për noterinë, në ligjin për avokatinë, në ligjin për avokaturën e shtetit, në kodin penal dhe një sër ligjesh të tjera.

Të mundohemi t’i bëjmë sa më të kapshme këto çështje. Zoti ministër, kohët e fundit disa çështje, disa raste me vlerësimet nga më të ndryshmet ju kanë vënë edhe juve si ministër në qendër të vëmendjes, rikujtoj çështjen e Gërdecit, pastaj rastin Trebicka, pastaj rastin më të fundit Fazlliç, sikur ju kanë vënë në qendër të vëmendjes. Le të shkojmë radhazi, shtypi shqiptar ka pasur disa tituj ku ju akuzon si arkitekt të Gërdecit. Çfarë lidhje keni ju me Gërdecin?
Aq lidhje sa mund të ketë një arkitekt me një jurist. Sigurisht që këto janë, le të themi, komente apo konstatime të shtypit. Madje po ju them pa droje që është shtyp i pozicionuar qartësisht majtas. Edhe kjo është një gjë e natyrshme që edhe shtypi të ketë profilizimin e vet politik, majtas ose djathtas.

Çfarë mund të bëni ju si ministër në këtë rast?
Pikërisht kjo është ajo gjë që unë me kaq kohë dhe me kaq habi sa po e konstatoj edhe tek ju, nuk po e gjej dot. Thuhet që ministri në kohën kur nuk ka qenë ministër, ka qenë arkitekt, kjo nuk është e vërtetë, ministri ka qenë në detyrë, besoj tepër të rëndësishme, e panjohur më parë në qeverisjen para Partisë Demokratike, drejto i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion. Detyrë e cila u krijua që në vitin 2005 si departament dhe kishte dy komponent kryesorë, një komponent të rrafshit ekzekutiv, pra që nisej me hetime dhe investigime gjithmonë në aspektin administrativ dhe jo në aspektin penal. Dhe kishte një komponent tjetër, le të themi legjislative. Pra atje ku konstatoheshin që kishte mangësi të akteve ligjore apo vakum ligjor, që duhet të rregullojnë një shtet ligjor, një shtet që vepron nën ombrellën e ligjit do të duhej të jepte këshillime të veta juridike, kjo ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, gjithmonë në fokusin për të parë që procedurat ligjore apo nënligjore lejonin shtigje hipotetike për veprimtari korruptive. Kjo ka ndodhur, asgjë më tepër. Po jap komente pra në atë çka shtypi thotë, duke parë që janë komente më tepër se sa konstatime faktesh.

Të kërkojmë mendimin tuaj edhe për atë që nuk e thotë shtypi por e thonë politikanët, e thonë diplomatët. Fillimisht ambasadori amerikan dhe vetë ambasada përmes një deklarate publikisht, nëse më lejohet ta interpretoj, ju kanë kritikuar për veprime abuzive në raport me institucionet të tjera, ju nuk jeni përgjigjur. Nga ana tjetër edhe OSBE-ja ka mbajtur një qëndrim me deklaratat e mësipërme. Dua t’ju pyes përse ka lindur konflikti me institucionet e pavarura siç është Prokuroria apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë?

T’ju korrigjoj për të qenë më strikt dhe më korrekt nga atë çfarë të paktën shtypi ka thënë. Ju po interpretoni dhe thatë që më ka kritikuar për veprime abuzive...

Interpretimi im është...?
Është interpretimi juaj, por në fakt është jo e saktë nga ajo çfarë unë kam konstatuar. Unë besoj që në këtë rast konflikte dhe përplasje mund të japin çfarëdolloj konotacioni, apo çdolloj emocioni, e kësaj jete dinamike, qoftë edhe të standardit demokratik, të Shqipërisë, mund të jepet çfarëdolloj ngjyrimi, herë me tone më të larta dhe herë me tone më të ulëta. Unë besoj që këto përplasje, këto konflikte, po i qëndroj terminologjisë suaj, kanë ndodhur ose mund të ndodhin për dy arsye. Arsyeja e parë është kur ligji vetë është i tillë, i shkruar në cilësi të tillë, në mungesë të një qartësie apo konsistence, të lejon apo të mundëson, ekzistencën ose mundësinë hipotetike të një lloj përplasjeje institucionale. Rasti tjetër është kur ligji është i pastër, i qartë, i saktë, i testuar kudo dhe ka veprime në kundërshtim me ligjin. Unë besoj që ju keni ndërmend kur thatë interpretimin tuaj ku bëhet fjalë për dy veprimet më të fundmet. Le të themi, një procedurë kontrolli në Prokurorinë e Tiranës dhe ligji për administratën gjyqësore i cili është në Parlament tashmë, është ligji i pamerituar, unë do t’ia lija vlerësimin tuaj dhe të publikut, po jap disa fakte të thjeshta dhe të qarta, do të më besoni që kjo është e vërteta, pastaj mund të jetë komenti i çdokujt për të parë nëse ka apo jo një konflikt, nëse ka apo jo një përplasje. Ligji për Prokurorinë, ligj i miratuar që në vitin 2000, pra i miratuar në kohën kur në pushtet ishte Partia Socialiste, i miratuar mbas miratimit të Kushtetutës. Dihet që ka një moment tepër të rëndësishëm kohor miratimi i Kushtetutës, një sër ligjesh të reja dalin besoj në standardet e Kushtetutës, parashikon edhe një lloj marrëdhënieve reciproke ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorisë, si dy institucione që janë më shumë teknike se sa politike, njëri që bën pjesë në ekzekutiv dhe njëri që bën pjesë si sistem i pavarur, jo pushtet, por sistem funksional i pavarur.

Pa përjashtuar pavarësinë...?
Sigurisht pa përjashtuar pavarësinë. Ky ligj në një nga dispozitat e veta, i punuar besoj me shumë delikatesë, me shumë finesë, me shumë qartësi, me shumë maturi madje e konstatoj një gjë të tillë, i cili parashikon një te drejtë shumë elementare që Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të njihet, të konsultohet, me ligjshmërinë dhe rregullueshmërinë e mbajtjes të disa akteve, të disa regjistrave administrativ të Prokurorisë. Jo vetëm kaq, por ligji parashikon edhe një lloj reciprociteti të shkëmbimit të informacionit statistikor përmes këtyre dy institucioneve dhe ka ndodhur thjesht dhe vetëm që është iniciuar nga Ministria e Drejtësisë një procedurë kontrolli për të parë disa akte ose më saktë për të parë rregullueshmërinë ligjore të mbajtjes së disa akteve administrative, gjithmonë administrative, të Prokurorisë dhe ky është gjithmonë le të themi koncepti i kontrollit dhe balancës midis dy institucioneve, të pavarura nga njëra-tjetra në funksionimin e tyre, por që Kushtetuta urdhëron dhe komandon që këto institucione vërtet janë të pavarura, por duhet të ketë një sistem apo mekanizëm kontrollues dhe balancues midis tyre. Kjo ka qenë edhe asgjë më tepër. Për sa i përket ligjit tjetër, ligjin për administratën gjyqësore, unë mund t’ju them, para se të komentohej edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, është një ligj i cili rregullon statusin e një kategorie tepër të rëndësishme që i shërben gjyqësorit dhe që quhet administratë gjyqësore, nuk është gjë tjetër, është gjithë ajo kategori nëpunësish, punonjësish, të cilët nuk japin vendime, nuk gjykojnë, gjykojnë gjyqtarët, por sigurisht gjyqtarët, le të themi për të qenë të ftohtë, komod, komfort për të dhënë drejtësinë, për të lexuar ligjin ashtu siç thotë, për të gjykuar edhe për të krijuar bindjen e tyre të brendshme në bazë të provave, duhet të kenë kushtet. Dhe kushtet janë jo vetëm kancelarike, por janë edhe njerëzore. Sigurisht që këta njerëz që do të duhet t’i shërbejnë gjyqësorit duhet edhe këta të kenë një trajtesë dinjitoze, qoftë në pagë, qoftë në status, qoftë edhe në garanci të vendit të punës. Çudia më e madhe është që kjo kategori punonjësish, këta njerëz që do u shërbejnë le të themi disa individëve, gjyqtarë që kanë me të vërtet një rol të rëndësishëm dhe delikat, për 18 vite nuk kanë pasur një trajtim ligjor. Kanë pasur paga më të ulëta se çdolloj profesioni tjetër privat apo publik, kanë qenë të trajtuar në mënyrë ligjore aspak të denjë, merreshin në punë pa pasur asnjëlloj filtri konkurrues, nuk u garantohej vendi i punës, nuk u garantohej karriera. Ndërkohë që me këtë ligj ka ndodhur pikërisht kjo gjë. Sigurisht që çdo iniciativë reformuese e cila jo vetëm është një qëllim i mirë, por është edhe serioze, është edhe e thellë, jep një situatë ligjore dhe faktike të ndryshme nga situata e mëparshme e cila kishte nevojë për reformë dhe çdo reformë krijon edhe pakënaqësitë e veta, këto pakënaqësi do duhej dhe do të ishte në mirësjelljen e çdokujt që këto pakënaqësi të mund të vërtetoheshin vetëm kur ligji të miratohej dhe ky ligj akoma nuk është miratuar. A ka një problem nëse këto ligjore, nëse mund të thuhet dhe nëse është e vërtetë, që këto ligje të konsultoheshin me grupet e interesit. Unë besoj që jo vetëm për arsye juridike, modestish edhe për arsye politike, gjej me vend që çdo iniciativë ligjore që të jetë e suksesshme, madje që të konsiderohet edhe një lloj lavdie e vogël edhe e ministrit të radhës që bëri një iniciativë reformuese. Do të kishte një interes të madh që kjo iniciativë të rridhte deri në fund në mënyrë të suksesshme dhe një mënyrë për ta bërë të tillë do të ishte që të mos krijonte asnjëlloj përplasje, asnjëlloj qoftë edhe pakënaqësi personale me grupet e interesit dhe çfarë duhet bërë në këtë mes... Do të duhet që të gjitha grupet e interesit të konsultohen, të tërhiqet mendimi i tyre dhe në fund të reflektohen për aq sa këto interesa përputhen.

Po përse Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi bashkëpunimin në projektin për projektligjin për administratën gjyqësore...
Pikërisht, po jua shpjegoj. Ky ligj trajton siç ju thash një kategori punonjësish të këtij shtetit të cilët nuk janë gjyqtar, por janë administratë e thjeshtë dhe mënyra më e mirë e menduar prej meje, ju mund të thoni në fund të intervistës që nuk është menduar drejtë, por unë po ua sqaroj se cila ka qenë racio e arsyetimit të konsultimit. Unë kam menduar që arsyetimi dhe konsultimi më i mirë do të ishte me gjyqtarët vetë, sepse ata janë gjyqtarë, ata e dinë se ku është problematika në sjelljen e administratës, çfarë pengon, çfarë i mungon kësaj administrate dhe ligji ka filluar të përpunohet që në vitin 2006, dhe ka qenë një kërkesë e Këshillit të Evropës që gjithmonë kësaj administrate t’i jepej pagë më e lartë dhe garanci në punë. Në qershor të këtij viti, atëherë kur të paktën ligji doli nga formulimi teknik që mund t’i bëjë gjithmonë Ministria e Drejtësisë, i është çuar për konsultim organit apo asamblesë më të madhe të gjyqtarëve, që është konferenca e gjyqësorit, që përfshin të gjithë gjyqtarët e republikës, të cilët kanë edhe organet e tyre përfaqësuese dhe i është dërguar në mënyre shkresore, në mënyrë zyrtare, për të dhënë mendimet e tyre, sigurisht që unë kam qenë në pritje dhe të themi në ankth për të pritur të gjitha komentet e tyre, të cilat më rezultuan që nuk erdhën. Jo vetëm kaq por ndërmora edhe një iniciativë tjetër, që ky ligj të konsultohej me atë që quhej bashkësi e kryetarëve të gjykatave dhe keni parasysh që janë rreth 20 gjykata të shkallës së parë, të gjykatave të apelit dhe anëtarëve të gjykatës së lartë. Ua kam çuar dhe kam pritur të gjitha komentet e tyre dhe këto komente i kam mirëpritur, i kam gjetur madje të drejta dhe i kam reflektuar madje edhe në ligjin përkatës. Jo vetëm kaq por e kam konsultuar me të interesuarit, është grupi i administratës, duke filluar nga kancelari dhe të gjithë pjesës tjetër të administratës, jo vetëm kaq, por nuk besoj të ketë konsultim më të madh se sa të ketë konsultim me publikun. Publiku është i pakënaqur sigurisht nga sistemi gjyqësor, ka arsyet e veta, por publiku ka edhe pakënaqësitë e veta edhe nga shërbimet që jepen nga administrata gjyqësore dhe ky është konsultimi më i madh, është testi më i madh që i duhet bërë cilësisë së një ligji. Ka pasur disa pakënaqësi të ardhur nga shoqata e gjyqtarëve. Unë besoj dhe jam i prirur të besoj ende që bëhet fjalë për një keqkuptim në informim. Nuk është ligji për administratën gjyqësore ai që mund të ketë krijuar ndonjëlloj tensioni apo pakënaqësie. Me çfarë kam vërejtur, pakënaqësitë e gjyqtarëve ose shoqatave të gjyqtarëve, nuk i drejtohen këtij ligji, por i drejtohen ligjit të mëparshëm të miratuar nga parlamenti, që është pikërisht ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, ligj i cili është miratuar që në mars të këtij viti.

Por sidoqoftë kjo flet për mungesën e një komunikimi, të një bashkëpunimi, përgjegjësinë për të cilën gjë do ta mbanin të dyja palët...
Komunikimi sigurisht. Sigurisht të dyja palët. Sigurisht që të mbajnë përgjegjësinë të dyja palët do të duhet që edhe përgjegjësia të jetë reciproke. Tani unë ju thash që ua kam dërguar për mendim të gjithë gjyqtarëve, të gjithë pjesës tjetër të interesuar, por besoj që ka mirësjellje dhe kaq përvuajtje në një reformë e cila duhet të jetë e përbashkët, duhet të jetë jetëgjatë, duhet të jetë e gjithëpranuar, do të meritonte besoj edhe një lloj impenjimi më të lartë të komunitetit të gjyqtarëve. Unë pranoj që edhe komuniteti i gjyqtarëve nuk është se gëzon njëlloj solidariteti dhe ky nuk është faji i tyre. Pranoj edhe këtë fakt, nuk është faji i tyre që sistemi gjyqësor sot nuk ka një sens solidariteti të fortë dhe vetëm në momente kritike, të tejkaluar në kohë ndonjëherë, fillojnë dhe gjejnë një gjuhë të përbashkët, por do të ishte mirë që këtë ta gjenin në një kohë më të hershme të diskutimit të iniciativave reformuese, të ishin të themi më tepër të angazhuar, më tepër të prirur për të ofruar ndihmën e tyre, eksperiencën e tyre.

Ju sikur i kishit lënë të hapura...?
Më të hapur se kaq... Kam çuar për konsultim në momentet më gjeneze të një reforme nuk mund të ketë. Sigurisht që dikush mund të thoshte që Ministri i Drejtësisë mund të kishte bërë diçka tjetër, që çdo gjyqtari të republikës t’i kishte dërguar ftesën e vet për ta thirrur në Ministrinë e Drejtësisë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›