Të dashur shoqe dhe shokë Motra e vëllezër anetare te Komitetit drejtues te Partise Socialiste te Tiranes Eshte e natyrshme te kem kënaqësinë si Kryetar i Partisë të marr pjesë në Kom
Të dashur shoqe dhe shokë
Motra e vëllezër anetare te Komitetit drejtues te Partise Socialiste te Tiranes
Eshte e natyrshme te kem kënaqësinë si Kryetar i Partisë të marr pjesë në Komitetin Drejtues qe perfaqeson organizatën më të madhe të socialistëve shqiptarë, vecanerisht te ndaj me Ju kenaqesine dhe angazhimin ne kete fillim stine të rëndësishme politike të vitit 2003. Duke qenë prej 12 vjetësh militant i rregullt i kësaj dege të PSSH mbetem i bashkuar me ju për të realizuar të gjitha angazhimet që si përfaqësues të zgjedhur kemi marrë përballë anëtarëve dhe zgjedhësve tanë; sigurisht per te rikonfirmuar mandatet tona qeverisëse dhe në nivel vendor në zgjedhjet e tetorit, krahas angazhimeve kombëtare për zhvillim dhe integrim.
Arritjet e pushtetit vendor të Kryeqytetit, si në Bashkinë e madhe dhe në 11 njësitë bashkiake, janë një garanci për rikonfirmimin e mandateve tona qeverisese edhe kete vit. Shpifjet qesharake të shefit të opozitës së vjetër ndaj përfaqësuesve tanë në pushtetin vendor nuk po arrijnë të prishin qetësinë e komunitetit zgjedhor metropolitan dhe as vlerësimin e tij për atë transformim që Tirana ka kryer sidomos keto 3 vitet e fundit. Kur ne demokratizonim PSSH deri ne vetekorrigjim ai shnderronte edhe shtetin e ri ne bisht te Partise Demokratike. Pas letargjise se merituar te anarkise te 97 shume njerez prisnin qe Berisha te zgjohej ndryshe, tjeterlloj. Pra ai vazhdon edhe sot e kesaj dite te prishe gjumin e femijeve qe duken se edhe ata mezi po presin gjumin e fundit te Stalinistit te fundit te kohes tone. Ata që për 9 vjet në pushtet e shndërruan Tiranën në kryeqytetin e kaosit, të kioskave, të ilegjitimitetit, të vetëgjyqësisë, të katastrofës urbane, varfërisë dhe pisllëkut, nuk duan të pranojnë se po jetojnë në një qytet që po evropianizohet dhe modernizohet cdo ditë. Kjo eshte bere kaq e jetueshme sa qe po behet dhe qendra ku po grumbullohen anetaret e partise demokratike nga rrethet. Keta njerez mbeten të paaftë për të shfrytëzuar hapësirat demokratike dhe ligjore të lirisë së sipërmarrjes, jo vetem ne politike por edhe në dije, kulturë e biznes. I vetmi ndryshim që kanë bërë këta parademokratët në strategjinë e tyre politike është se kanë zëvendësuar gurët mbi institucione me topa balte mbi titullarët e institucioneve.
Në këto kushte unë mendoj se ndajmë të njejtin shqetësim se nuk ka vend as per t'u krahasuar me ta dhe as për vetëkënaqësi dhe përgjumje. Kjo dhe për faktin se pushteti vendor ka hyrë në një fazë krejtësisht të re zhvillimi dhe administrimi te lidhur me thellimin e procesit të decentralizimit që nisi këtë vit. Ne si maxhorancë e shndërruam vullnetin politik për të zgjeruar shkallën e vetëqeverisjes së pushtetit vendor në një realitet, duke krijuar një model funksionues të bashkëpunimit të qeverisë me administratat vendore. Vecanërisht me decentralizimin pronësor dhe fiskal, ne po krijojmë të gjitha hapësirat që e vënë realisht shtetin në shërbim të qytetarëve. Ana tjetër e kësaj medalje dhe që na bën të rrisim iniciativën dhe veprimin tonë politik është se këto hapësira kërkojnë administratorë të zotë, që dinë të shfrytëzojnë burimet vendore dhe kombëtare të zhvillimit në dobi të komuniteteve që i zgjedhin. Duke vlerësuar ashtu si ju punën dhe kontributin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, si dhe të kryetarëve të njësive bashkiake, një vlerësim të vecantë kam për të gjithë përfaqësuesit tanë në këshillat bashkiake që me kontributin e tyre të pazëvendësueshëm bëjnë të mundur vazhdimin e transformimit të Kryeqytetit. Gjej rastin t'ju kërkoj të nderuar anëtarë të KD së Tiranës të forconi më shumë kontrollin politik mbi trupat tona përfaqësuese nga minibashkitë e deri në Qark për të mos lejuar që as në fund të mandatit të ketë shpërdorime apo abuzime, vecanërisht në fushën urbanistike që cënojnë perspektivën urbanistike të kryeqytetit evropian të Shqipërisë.
Shoqe dhe shokë!
Sfidat që kemi përpara më shtyjnë të ndaj me ju edhe ndonjë shqetësim në fushën e jetës dhe përbërjes së Partisë në Kryeqytet.
Organizata e socialistëve të kryeqytetit ka nevojë urgjente për gjak të ri, ka nevojë të rritet në numër dhe të vitalizohet në strukturë. Vlerësoj në maksimum punën dhe kontributin e shokëve veteranë, që pavarësisht moshës, vazhdojnë të shpenzojnë energji politike e njerëzore për kauzën tonë social demokrate dhe evropiane. Por më duket anormale që më shumë se gjysma e anëtarësisë të socialistëve kryeqytetas të jenë në moshë pensioni. Me këtë nuk dua të them se këta militantë të mrekullueshëm, ky thesar i socialistëve të dalë edhe politikisht në pension. Përkundrazi bëj thirrje të nisim me seriozitet një fushatë që bijtë, nipat dhe mbesat e tyre të anëtarësohen në partinë tonë, njëlloj siç janë anëtarësuar në brezat e rinj të veteranëve antifashistë. Garanci e fitores sonë në Tiranë është mbështetja që brezi i ri i kryeqytetit perfshi edhe te rinjte e ardhur nga qytetet e tjera i bën Edi Ramës dhe socialistëve që e mbështetën në këtë sfidë. Ku janë pengesat organizative që ky brez të japë kontribut të drejtpërdrejtë edhe në strukturat e Partisë apo të FRESSH? Para pak ditësh në Sarandë u dorëzova teserat anëtarësimit në Partinë Socialiste një grupi prej afro 60 të rinjsh. Nuk është normale që inicon Kryetari i PSSH anëtarësime të të rinjve sic ndodhe para pak ditësh në Sarandë, te cilet jo te gjithe jane ne FRESH por qe te gjithe mbeten jashte vemendjes se strukturave te PS ne rrethe.
Gjithashtu Musai më informoi dje se në PS e Tiranës vetëm në 3 muajt e fundit janë kryer rreth 300 shpërngulje dosje anëtarësie të shokëve që kanë ardhur të banojnë dhe punojnë në Tiranë nga rrethet. Ku janë të tjerët? Pse presin t'i gjejë Musai apo shokët e tjerë dhe nuk vijnë menjëherë të regjistrohen dhe militojnë në organizatën e kryeqytetit? Eshtë e papranueshme që këta shokë, për të kërkuar punë dhe kushte jetese janë socialistë, ndërsa për të milituar janë muhaxhirë apo kollovarë. Kjo nuk është vërejtje, por një shqetësim që kërkon dhe një zgjidhje me kontribut të përbashkët politik dhe jo thjeshtë administrativ. A mund të merren më rroga pa paguar kuota?
Shqetësimi i dytë që dua të ndaj me ju është mosfunksionimi i organizatave të profesioneve. E theksova edhe më sipër se për shkak të decentralizimit, administrimi i pushtetit vendor merr një rëndësi të vecantë për fatet e reformave dhe të vetë forcës sonë politike. Prandaj mendimi dhe profesional krahas atij politik është sa i vlefshëm, aq dhe i nevojshëm. Psh më vjen keq që në administratën shtetërore punojnë qindra ekonomistë apo juristë, ndërsa struktura e Partisë nuk ka organizata të këtyre profesioneve. Kam edhe një arsye tjetër pse këmbëngul në nevojën e vitalizimit të organizatave të profesioneve. Në gjirin e Partisë sonë ka ekspertë dhe profesionistë të të gjithë fushave. Shumë prej tyre për shkak të specializimit e kanë të vështirë të marrin pjesë në mbledhje thjeshtë ideologjike apo rutinore. Duke u krijuar këtyre individëve mjedisin e përshtatshëm profesional të kontributit dhe konkurimit, përfitimi do të ishte reciprok. Si Kryetar i Partisë dhe Kryeministër i mandatuar nga ju, nuk më duket normale që mendimet e specialistëve anëtarë të PSSH t'i ndjek në faqe gazetash apo ekrane televizive, ndërkohë kur ne i kemi të gjitha hapësirat statutore për të vjelë, strukturuar dhe promovuar mendimin e specializuar në dobi të programeve dhe reformave të zhvillimit. Po ashtu shpreh shqetësimin se ka shumë individë që kur kërkojnë punë në administratën shtetërore (për ato vende që nuk janë ende pjesë e administratës publike), paraqesin teserën e PS deri dhe rekomandime nga drejtues të Partisë lokale. Dhe ju e dini, po ashtu si unë, se jo pak prej tyre nuk kanë ardhur të kontribuojnë as si komisionerë në qendrat e votimit, prandaj u detyruam të riorganizojmë Partinë sipas këtyre qendrave. Ka edhe më keq se kaq që nuk vijnë fare në votime (Apo jo Musa)?
Problem tjetër që dua të ndaj sot me ju është thithja e programuar e kontributit të zgjedhësve tanë. Kemi dëgjuar të gjithë shqetësime kur zgjedhës të ndryshëm na kujtojnë me qejfmbetje ditën e votimit. Nuk e kam fjalën për tregëtarët e votës, të cilët përvec përfitimit personal nuk kanë asnjë orientim apo ideologji. Bëj fjalë për komunitetin e përgjegjshëm të zgjedhësve që mbështet pa kushte dhe pa rezerva programet dhe reformat tona evropianizuese. Nga përvoja jonë e përbashkët në këto 6 vjet në administrimin e pushtetit është e njohur se në fushata shkon Partia me strukturat dhe militantët e saj tek zgjedhësit. Ndërsa midis fushatave janë zgjedhësit që shkojnë në zyra shtetërore, ndërsa marrëdhëniet me Partinë zbehen deri në ndërprerie. Kam bindjen se kjo dukuri duhet trajtuar me kujdes në procesin kongresual, për të krijuar të gjitha hapësirat edhe statutore që Partia të ketë gjithnjë pranë kontributin dhe lidhjet e zgjedhësve të saj. Vetëm kështu do të mund të shndërrohemi përfundimisht në Parti elektorale sipas modelit të demokracive moderne euroatlantike. Vetëm kështu procesi i modernizimit të Shqipërisë dhe integrimit evropian të vendit nuk do të mbetet monopol i një qeverie apo disa partive, por do të përshpejtohet për shkak të kontributit të të gjithëve. Vetëm duke çliruar dhe zgjeruar kanalet e komunikimit dhe bashkëveprimit me shoqërinë shqiptare në tërësi do të mund të eleminojmë më shpejt fenomene negative si korrupsioni, trafiqet, krimi i organizuar etj, dhe të realizojmë transformimin e mentaliteteve dhe realiteteve që i ushqejnë ende ato. Partia Socialiste është e vetmja forcë politike në vend që strukturoi një bashkëveprim dhe bashkëpunim të hapur dhe rezultativ me shoqërinë civile, komunitetin sipërmarrës dhe partnerët socialë. Ka ardhur momenti t'a zhvillojmë më tej këtë iniciativë dhe realitet politik e institucional për të zbritur deri në komunitetin e gjerë e zgjedhësve. Ne jemi të hapur jo vetëm për partneritet me specialistët apo sipërmarrësit, por janë të mirëpritur të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë edhe si militant partie. Ne nuk jemi partia e atyre që kërkojnë punë, por partia që krijon hapësira politike dhe ligjore për të gjithë ata që duan të punojnë dhe kontribuojnë për të sotmen dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Shoqe dhe shokë!
Si Kryetar i Partisë, mbrëmë kam marrë një informacion zyrtar se strukturat tona në rrethe, pas një analize disa mujore të punës së të zgjedhurve tanë në pushtetin vendor, gjykojnë se shumica e të zgjedhurve aktualë, e meritojnë të rikandidojnë në zgjedhjet e vjeshtës. Ky është një lajm tjetër i mirë që konfirmon bindjen tonë se meritojmë mandatin e maxhorancës së zgjedhësve shqiptarë per shkak se kemi punuar, dhe nuk kemi humbur sensin e transformimeve dhe as kontaktet me zgjedhesit. Natyrisht do të ketë edhe nga ata që do të zëvendësohen. Mbi këtë bazë dua të përshëndes në tërësi në emër të PSSH gjithë të zgjedhurit tanë, kudo ku janë. Zëvendësimet atje ku do kryhen, nuk do të synojnë denigrimin dhe aq më pak përjashtimin e askujt, por do t'i shërbejnë përmirësimit të mëtejshëm të përfaqësimit të Partisë në administrimin vendor. Këto zëvendësime nuk do të kryhen në mënyrë mekanike ose në bazë thashethemesh, por pas një procesi transparent konkurimi dhe përzgjedhje që nga organizatat socialiste e deri në Kryesinë e PSSH. Formula që KPD vendosi të zbatojmë në këtë proces përzgjedhës do të shmangë përfundimisht trafikun e votës së anëtarësisë, duke konsoliduar në mënyrë të garantuar modelin tonë demokratik të konkurencës.
Besoj se ndajmë së bashku të njejtin vlerësim se sfida që kemi përpara për zgjedhjet e organeve vendore, nuk lë vend për sherre dhe sulme personash. Përkundrazi, garantimi i fitores ka nevojë për kontribute të strukturuara dhe të disiplinuara të cilitdo që i thotë vetes socialist dhe progresist, të cilitdo që modelin tonë të demokracisë dhe zhvillimit e shfrytëzon për të konkuruar me dinjitet, në kohën dhe vendin e duhur. Ne socialistët po dëshmojmë cdo ditë e më shumë se nuk konkurojmë me të tjerët për shkak të gabimeve të tyre, por për shkak të programeve dhe rezultateve tona dhe Tirana është shembulli më i mirë. Për kritika janë gazetarët (dhe janë të mirëpritur). Për konkurim, kontribute dhe vendimmarrje janë politikanët. Prandaj i ftoj politikanët të merren me punën e tyre duke i lënë gazetarët dhe analistët të kryejnë punën e tyre. Aq më pak mund të pranohet që veprimet tërësisht ligjore të institucioneve shtetërore të kontestohen për interesa të ngushta politiko – elektorale në ndonjë mjedis brenda maxhorancës. Nuk është normale që Kryetari i Partisë të mësojë nëpërmjet medias "shqetësimet parimore" (të drejta apo të padrejta nuk ka rëndësi) e sekretarëve apo anëtarëve të Kryesisë të PSSH. Nuk është normale që Kryeministri të dëgjojë nga kafenetë shqetësimet e ndonjë anëtari të kabinetit qeveritar që nuk ndihet asgjëkundi në tryeza institucionale. Nuk është normale që KD e Tiranës të mësojë nga media ambicjet ose qejfmbetjet e ndonjë anëtari të saj apo militanti të organizatave socialiste a Këshillave Zonal. Ne kemi të gjitha strukturat dhe hapësirat për të shprehur pikëpamjet, për të dhënë kontribute apo për të shprehur objeksione, deri në vendimmarrje. Ne të gjithë së bashku nuk jemi të punësuar në PS, por përfaqësues të mandatuar për të zbatuar programin dhe rregullat e miratuara në mënyrë tërësisht demokratike. PSSH, falë edhe kontributit tuaj i ka prishur gardhet autoritare para 12 vjetësh, prandaj nuk kanë asnjë shans ata që duan të rikrijojnë vetë gardhe në këtë mijëvjecar të ri, apo që na gjuajnë nga pas gardhit për karrierë të pamerituar.
Motra e vëllezër,
Arritëm që me punën tonë, me programe, reformat dhe rezultate të bindim elektoratin se edhe për shumë kohë socialistët mbeten më të mirët. Tashmë nën qeverisjen tonë Shqipëria ka hyrë në procesin pa kthim të integrimit evropian. Përshpejtimi i realizimit të sfidës sonë prioritare kërkon që në rradhë të parë vetë ne socialistët të konsolidojmë zbatimin e parimeve dhe standarteve te BE dhe te komunitetit euroatlantik, duke shumëfishuar shpresën e shqiptarëve për një të ardhme të afërt shumë më të mirë, më demokratike, më të begatë, më të kulturuar, më të shëndetshme, më të sigurtë, më të integruar.
Mohimi dhe kërcënimi i Berishajve nuk përbën më rrezik për progresin evropian të vendit. Nga kjo pikëpamje çdo votë e munguar do të na bënte vetë neve fajtorë. Prandaj jam këtu me ju, që nga organizata më e madhe e socialistëve shqiptarë të rijapim mesazhin e maturisë për atë proces që kemi realizuar në administrimin e pushtetit qëndror e vendor në gjithë Shqipërinë dhe të garantojmë se nuk na mungojmë potencialet dhe vullneti për të rikonfirmuar mandatet. Shtetasit shqiptarë po shijojnë frytet e reformës dhe bashkëpunimit të pushtetit vendor dhe atij qëndror për shkak të menaxhimit të përgjegjshëm që ne socialistët i bëmë mandatit qeverisës në shërbim të tyre. Jam i sigurt se ata do vazhdojnë të përkrahin modelin tonë evropian të zhvillimit, përballë modeleve të opozitës së vjetër që në themel kanë gjyqet dhe burgjet politike, shkeljen e ligjit dhe abuzimit me pushtetin dhe liritë themelore të njeriut në demokraci.
Ju garantoj se do të jem me ju në përballimin e këtyre sfidave dhe padyshim në festën e fitores.
Punë në mbare !