Të dënuarit në burgun e Fushë-Krujës në grevë urie
Të burgosurit që vuajnë dënimin në burgun e Fushë-Krujës kanë shpallur grevë uri për shkak të kushteve të jetesës. Nëpërmjet një letre të shkruar nga të burgosurit, e cila është dërguar edhe në adresë të redaksisë së gazetës Shekulli njoftohet se si rezultat i kushteve shtypëse që ka marrë komanda e re e burgut të burgosurit kanë marrë këtë veprim.
Kjo komandë e cila ka pësuar ndryshime pas tentativës për arratisje të katër të dënuarve duket se ka vështirësuar jetesën e të burgosurve. Kjo sipas njoftimit të të burgosurve ka bërë që rreth 300 prej tyre të hidhen në grevë urie, e cila ka filluar që më 28 shtator por që për arsye të hermetizmit të informacionit nga Drejtoria e Burgut, lajmi nuk është bërë publik. Vetëm sot ata kanë arritur të nxjerrin jashtë burgut një letër e cila flet për gjendjen në burg.
Kërkesat e tyre janë përmbledhur në rreth 16 pika ku ndër të cilat veçohen:
Nuk funksionojnë dushet me ujë të ngrohte dhe të ftohtë.
Nuk funksionon sistemi i ngrohjes.
Nuk ka vend për tharjen e rrobave pasi në dritare, deklarojnë ata, na është ndaluar dhe se dhomat brenda kanë shumë lagështirë.
Dyqani i brendshëm i burgut nuk është korrekt pasi shumë artikuj mungojnë dhe çmimet janë me të shtrenjta se jashtë.
Ka mbipopullim të dhomave. Nga 4 vetë që ka qenë kapaciteti, dhomat tani janë me nga gjashtë persona.
Është kufizuar ushqimi që vjen nga familjaret deri në 5 kg për njeri në 7 ditë, ndërkohë që ushqimi i burgut, nuk është shëndetshëm dhe është jo cilësor.
Dhomat nuk kanë aspirim ajri dhe shpesh mungon energjia elektrike.
Lejet shpërblyese nuk funksionojnë më sipas ligjit në çdo 3 muaj (këtu ndikon shkruajnë ata, edhe ryshfeti)
Shërbimi mjekësor nuk është në nivelin e duhur (para disa muajve vdiq një i burgosur).
Mark Brunga