E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtia dhe riparimi i automjeteve, ndër bizneset më fitimprurëse

TIRANE- Tregtia dhe riparimi i automjeteve është një ndër bizneset më fitimprurëse në Shqipëri. Ndërsa në të gjitha vendet e botës, sektori i tregtisë së automjeteve është goditur nga kriza, në vendin tonë është konstatuar rritje. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave konfirmojnë se gjatë 3 mujorit të tretë të këtij viti, niveli i shitjeve me pakicë në grupin tregtia dhe riparimi i automjeteve ka shënuar një rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa kundrejt tremujorit paraardhës, rritja vlerësohet në masën 10.1%.
Rritje të ndjeshme ka patur edhe në tregtinë me pakicë të karburanteve. Sipas INSTAT-it indeksi i volumit të shitjeve në këtë grup është rritur me 18.3% kundrejt një viti më parë dhe me 18.1% kundrejt tremujorit paraardhës.
Shifrat e mësipërme tregojnë se qytetarët shqiptarë shpenzojnë për makina pothuajse më shumë se për cdo gjë tjetër, një fakt ky që konfirmohet edhe nga rritja e ndjeshme e konsumit të karburanteve në vendin tonë.
Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave rezulton një rritje prej më shumë se 19 mijë ton e sasisë së karburanteve të zhdoganuara gjatë 9 mujorit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithsej për periudhën janar-shtator 2009 janë zhdoganuar rreth 332 mijë ton karburante nga 312 mijë ton të zhdoganuara një vit më parë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›