E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të drejtat, Hammarberg: Kushtetuta, shumë e avancuar

Prishtinë- Institucionet i kushtojnë vëmendje të veçantë akomodimit të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve në shoqërinë e Kosovës, ka thënë sot kryeparlamentari, Jakup Krasniqi në takimin me Komisionarin KE për të Drejtat e Njeriut të, Tomas Hammarberg, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe punën e legjislativit të vendit, sidomos sa i përket garantimit dhe realizimit të të drejtave dhe lirive ë njeriut. Gjatë takimit me Komisionarin KE për të Drejtat e Njeriut, Tomas Hammarberg, kryeparlamentari Krasniqi ka folur gjerësisht për punën e Kuvendit të Kosovës, për miratimin e ligjeve, për të cilat bëhet kujdes që të jenë në harmoni me legjislacioni e vendeve të Bashkimit Evropian.

Duke iu referuar, ndërkaq, mbrojtjes ligjore të të drejtave dhe lirive të njeriut, Krasniqi është shprehur se ato janë të garantuara me Kushtetutë dhe me ligje të veçanta. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës vëmendje e veçantë i kanë kushtuar akomodimit të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve në shoqërinë e Kosovës. Mu për këtë, ka thënë ai, 20 vende në Kuvendin e Kosovës janë rezervuar për minoritetet, pos atyre që pjesëtarët e këtyre komuniteteve i marrin në zgjedhje të drejtpërdrejta. Subjektet politike të serbëve të Kosovës marrin pjesë në Qeveri dhe janë të privilegjuar për punësim në administratën e institucioneve shtetërore, ka thënë Krasniqi.

Kreu i Kuvendit ka vënë në pah faktin që të drejtat e njeriut shkelen në pjesën veriore të Kosovës, për shkak se atje ende nuk gjen zbatim ligji. Komisionari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Tomas Hammarberg, në takim me kryeparlamentarin Krasniqi, e ka vlerësuar Kushtetutën e Kosovës si akt juridik shumë të avancuar, sidomos sa i përket garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ai ka pohuar gjithashtu se gjatë qëndrimit katërtitësh në Kosovë do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve të vendit, në përfundim të të cilave do të hartojë një raport me rekomandime për institucionin, të cilin e përfaqëson, njofton Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime pranë Kuvendit të Kosovës. rtk

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›