E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi për uljen e normës "ndan" ekspertët e ekonomisë



Vendimi për uljen ose jo të normës është diskutuar për disa javë në Bankën e Shqipërisë, duke përplasur dy grupe të ndryshme mendimesh. Disa ekspertë ishin për uljen e normës, si një masë për të parandaluar rënien e shpejtë të çmimeve, por edhe për të furnizuar bankat me më shumë likuiditet dhe me kosto më të ulët. Por disa të tjerë argumentonin se efekti i kësaj mase në uljen e interesave të kredive për qytetarët dhe bizneset mund të jetë i papërfillshëm. Përkundrazi, sipas tyre, një ulje e normës bazë mund të ketë disa pasoja të tjera jopozitive për ekonominë, ku më kryesorja do të ishte ajo e dobësimit të lekut. Por tashmë banka ka marrë një qëndrim përfundimtar. Dhe nëse ai do të zyrtarizohet edhe nga Këshilli Mbikëqyrës, atëherë bankat private do të marrin hua nga Banka Qendrore me interesa më të ulëta. Por ajo që mbetet për t'u provuar është nëse kjo ulje do të transmetohet nga bankat tek kreditë që ato japin për biznesin dhe qytetarët.

Bankat private: Të ulet norma bazë dhe të lehtësohen kushtet për kreditë

Ulja e nivelit të inflacionit dhe rreziku i krizës financiare në botë mund të përbëjnë arsyet e uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në këtë kuptim, bankierët kërkojnë nga BSH-ja që të rishikojë normën bazë të lekut, i cili në harkun e një viti pësoi rritje me 0.75 për qind. Aktualisht norma bazë e interesit për lekun është 6.25 për qind, që për bankat e nivelit të dytë konsiderohet e lartë. Por niveli i inflacionit ka pësuar ulje, ndërsa po mbahet nën kontrollin e BSH-së. Kështu, dy elementet që lidhen me inflacionin mund të çojnë drejt uljes së normave bazë të lekut, duke qenë se ndryshimi i tyre erdhi për shkak të luhatshmërisë të stabilitetit të çmimeve. Një tjetër fakt lidhet me cenimin e rënies ekonomike për shkak të krizës financiare që ka pllakosur vende të mëdha ekonomike. Bankierë të tjerë mendojnë se kriza ekonomike mund të prekë Shqipërinë, për aq kohë sa ekonomia e saj nuk është e izoluar. Një ulje e interesave të lekut do të ndikonte në përmirësimin e kushteve në dhënien e kredive, niveli mesatar i interesave të të cilave në lekë është rreth 13-14 për qind në vit, ndërsa për valutat 6-7 për qind.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›