Kur qëllimi përpiqet të justifikojë mjetin
Astrit LULUSHI (SHBA)
Shumëkush qëi ka hedhur një vështrim qoftë edhe kalimthi një libri të historisë, mund të ketë vënë re se pyetjet e para, që historianët përpiqen të
shtjellojnë, janë: Çfare ndodhi? Si vepruan personazhet historike? Çfarë qëndrimi mbajtën ata?
Gjithashtu, historia tregon se, për arritjen e qëllimit të njëjtë, njerëzit shpesh përdorin mjete të ndryshme, të cilat jo gjithmonë justifikojnë qëllimin, dhe anasjelltas.
Michel Montaigne, filozof francez i shekullit të XVI, tregon se në një rast Skënderbeu i zemëruar po ndiqte një ushtar të tij për ta vrarë, ngaqë ky kishte guxuar ta fyente. Pas shumë thirrjeve dhe lutjeve për ta falur, kur pa se asnjëra prej tyre nuk e zbuti zemërimin, ushtari vendosi të nxirrte shpatën dhe t'i dilte përballë prijësit të tij. Guximi i ushtarit bëri që Skënderbeu të ndalej dhe zemërimi t’i zbutej përballë burrërisë. Ai ia fali jetën ushtarit, madje kurrë nuk ia kujtoi fyerjen që i kishte bërë. Kjo sjellje bëhet dy herë kuptimplote, nëse kihet parasysh se kush ishte Skenderbeu me famën e madhe si luftëtar dhe fuqinë fizike, për të cilën Barleti thotë se shpatën e tij me vështirësi e ngrinin dy duar bashkë.
* * *
Por kjo nuk do të thotë se guximi, trimëria, forca janë mjetet e fundit për arritjen e qëllimit. Zgjuarsia duket se është e para.
Perandori Konrad, pasi rrethoi dukën Gulef të Bavarisë, pranoi që gratë e rrethuara të kalonin, duke marrë në supe çdo gjë që mund të mbanin. Dhe këto gra, thotë gojëdhëna, vendosën të ngarkonin në kurriz fëmijët, burrat, si edhe Dukën e tyre. Kjo e mallëngjeu perandorin, zgjoi zemërgjerësinë e tij dhe i la të gjithë të rrethuarit të kalonin me udhëqësin e tyre, duke i trajtuar ata me dinjitet.
Aftësia e komunikimit duket se është një tjetër mjet për arritjen e qëllimit, pasi ç'mund të thuhet për banorët e Tebës, kur nxorën në gjyq gjeneralët, mbasi këta kishin tejkaluar kompetencat e tyre?
Banorët votuan për dënimin e njërit, që e pranoi fajin dhe kërkoi falje, por abstenuan kur i erdhi radha për dënim një tjetri, i cili u mbrojt duke folur plot krenari e mburrje për veprat që kishte kryer në të mirën e tyre. Në këtë rast, kuvendi u shpërnda, duke lavdëruar gjeneralin për heroizmat e tij.
* * *
Ndërsa tek Aleksandri i Madh historia regjistron dy shembuj të kundërt.
Gjatë betejës për marrjen e qytetit të Gazës, ushtria e tij hasi në qëndresë të fortë. Ai që tërhoqi vëmendjen e Aleksandrit, ishte sidomos komandanti i forcave kundërshtare, Betis, i cili luftonte ashpër, edhe pse e dinte se betejën e kishte të humbur. Nderi e kërkonte që Betis të vdiste duke luftuar. Por Aleksandri ishte i zemëruar. Gjatë betejës ai kishte marrë dy plagë, prandaj u dha urdhër ushtarëve që Betis të mos vritej. Ai e donte të gjallë. Kur Betis ra në duart e tyre, Aleksandri bëri çmos për ta gjunjëzuar, duke përdorur çdo torturë, por pa sukses. Më në fund, Aleksandri dha urdhër që Betis të torturohej, derisa të vdiste.
Sot është e vështirë të thuhet nëse këtë vendim Aleksandri e mori i shtyrë nga zemërimi e hakmarrja për plagët, apo nga një ndjenjë e thellë frike, pasigurie, xhelozie e dobësie, kur pa një kundërshtar, i cili duronte tortura nga më të rëndat, vetëm për të mos rënë në gjunjë.
Apo ishte kokëfortësia ballkanase, që e shtynte Aleksandrin të vepronte kështu? Por, ndoshta, thjesht një taktikë për të arritur një qëllim, që doli pa sukses?
Historitë e mëvonëshme tregojnë se gjenerali romak Pompei, kur pushtoi një qytet, pranoi kërkesën e banorëve që ata t'i dorezonin një njeri për të
marrë përsipër fajin kolektiv dhe, me ekzekutimin e tij, merrte fund çdo zemërim e reprazalje. Por e njëjta taktikë nuk ishte e suksesshme për banorët e një qyteti tjetër, kur gjenerali romak Sula nuk e përfilli një kërkesë të ngjashme dhe e vazhdoi betejën, deri në shfarosjen e banorëve.
* * *
Strategji e taktika të ndryshme vihen re edhe në sferën politike a diplomatike. Dikush që shërben me besnikëri e zgjuarsi, jo gjithmonë ka sukses, por të paktën lë pas një emër të mirë, ashtu si një tjetër, që shërben me servilizëm, shpesh ka sukses, por gjithmonë lë pas një emër të keq.
Persiani Besus e provoi këtë, kur në ditët më të veshtira braktisi perandorin e tij Darius, duke e tradhtuar tek Aleksandri, i cili tregoi përçmim për këtë tradhti, edhe pse Dariusi ishte armiku i tij më i madh.
Të njëjtin fat do të pësonte, mijëra vjet më pas, edhe një mendje e ndritur, kur ai braktisi republikën dhe, për hir të një posti, u vu në shërbim të tiranisë. Emri i tij është Nikolo Makiaveli (1469-1527), sot sinonim me korrupsionin dhe tiraninë. Dhe arsyet për këtë emër janë jo veprat e tij të shumta filozofike, por vetëm një libër pak fletësh, i quajtur “Princi”.
Makiaveli kishte shërbyer si diplomat në periudhën kur Fiorentina ishte republikë. Por kur Lorenco Mediçi erdhi në pushtet, duke vendosur tiraninë,Makiaveli humbi vendin e punës. Për të fituar simpatinë e diktatorit dhe vendin e punës, ai shkroi një libër me titull “Princi”, për t'i treguar Mediçit se si ta mbante pushtetin tani, që e kishte fituar.
Këto ide të “Princit” do të përvetësoheshin më pas nga shumë diktatorë, të cilët, për të mos humbur pushtetin, përdorën strategji tashmë të njohura me emrin Makiavelizëm, parimi kryesor i të cilit është se qëllimi justifikon mjetin.
Por Lorenco Mediçi nuk i pranoi këshillat e Makiavelit, ndoshta sepse nuk kishte besim te një ish-politikan i regjimit të përmbysur, ose sepse parimet e tij iu duken tepër amorale.
* * *
Pak vite më vonë, Mediçi u rrëzua nga pushteti, republika në Firence u rivendos dhe Makiaveli u përpoq për t'u kthyer në postin që kishte pasur. Por shija e hidhur, që libri “Princi” i kishte lënë publikut, i bëri njerëzit të mendonin se filozofia e tij ushqente tiraninë dhe i shërbente vetëm asaj,prandja ata nuk e rizgjodhën në ndonjë post qeveritar.
Kështu, ky libër nuk i solli asnjë sukses Makiavelit, ai jo vetëm që nuk rifitoi postin e humbur, por njollosi edhe emrin e tij të mirë si filozof që mbante deri atëherë.
Por nëse Makiaveli u kritikua sa ishte gjallë, kritikat ndaj tij u bënë edhe më të ashpra pas vdekjes. Në fakt, shprehja Makiavel është sinonim me një qeveri të korruptuar dhe vetëm kohët e fundit, me ribotimin e veprave të tij, studiuesit duket se përpiqen të rikrijojnë imazhin e një atdhetari e politikani gjeni, imazh që Makiaveli gëzonte përpara se të shkruante “Princin”.
Sot disa historianë thonë se pikëpamjet e tij janë keqkuptuar, ose janë marrë jashtë kontekstit kohor. Makiaveli, thonë ata, e shkroi “Princin” kur Fiorentina ndodhej e pushtuar dhe Italia e përçarë, kështu që idetë e tij përfaqësonin nevojën e vendit për qëndrueshmëri politike e bashkim.
Nga ana tjetër, mund të thuhet se Makiaveli është edhe sinonim i ironisë së historisë, e cila sikur kërkon të paralajmerojë se e keqja është si një rrugë e shtruar dhe shpesh shembulli më i lehtë që ndiqet, ndërkohë që Makiaveli duket se edhe për shumë kohë do të vazhdojë të përfaqësohet me “Princin” -pushtetin e korruptuar.
-
26 Janar 2009