E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH përgatitet të ulë normën e interesit, kriza ka rritur nevojën për para



Ervin Koçi

Banka e Shqipërisë do të ulë javën që vjen normën e interesit të lekut në një masë deri në 0.5 për qind. Burime pranë BSH-së bëjnë të ditur se, ekspertët e politikës monetare në Bankën Qendrore do t’i propozojnë Këshillit Mbikëqyrës që të ulë me 0.5 për qind normën e interesit për lekun, duke e argumentuar këtë si një masë për të lehtësuar kreditimin dhe për të nxitur ekonominë, e cila po ndien presionin negativ të krizës globale. Po sipas të njëjtave burime, propozimi do të shqyrtohet nga Këshilli Mbikëqyrës ditën e mërkurë, më 28 janar 2009, ditë në të cilën mbledhja ka si rend dite projektin “Për miratimin e Deklaratës së Politikën Monetare të Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e dytë të vitit 2008”. Sipas kësaj vijimësie pritshmëritë janë që Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së të bjerë dakord dhe të vendosë për uljen e normës bazë të interesit, çka do ta çonte normën bazë të lekut në 5.75 për qind. Zhvillimet e fundit në tregun e kredive dhe sinjalet jo fort optimiste që po shfaq ekonomia e brendshme e kanë nxjerrë Bankën Qendrore pikërisht në vendimin për të ulur normën e interesit. Më parë ulja e normës ishte kërkuar edhe nga disa banka private, të cilat janë për një politikë edhe më agresive në këtë drejtim.

Nevoja për uljen

Megjithëse vendet e tjera të rajonit dhe të BE-së e kanë ulur normën bazë të interesit si masë për të mpakur efektet e krizës financiare, Shqipëria ka aktualisht një prej normave të interesit më të larta në rajon dhe në Europë. Vendi ynë ka sot një normë interesi 6,25 për qind, ndërkohë që Bashkimi Europian e ka çuar atë në 2 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë çuar atë në thuajse zero. Por pavarësisht kësaj, BSH-ja është druajtur të ulë normën e interesit për shkak të dyshimeve që ajo ka në lidhje me mënyrën se si do të reagojnë bankat e nivelit të dytë. Por nevojat për uljen e kostos së parasë janë shumë të mëdha. Specialistë të BSH-së pohuan paqartësinë e pasojave që mund të sjellë ulja e normës së interesit nga Banka Qendrore dhe thanë se ende është duke u shqyrtuar kjo mundësi. Në të vërtetë, ulja e dërgesave të emigrantëve me rreth 17 për qind deri në dhjetor, rënia e shitjeve me pakicë, thellimi i deficitit të llogarisë korente etj., kanë bërë që nevoja për para të jetë në rritje. Veç kësaj, çmimet, të cilat për shkak të inflacionit të ulët ka disa muaj që janë të stabilizuara, e kanë kthyer në nevojë uljen e normës së interesit, në mënyrë që biznesi, por edhe konsumatorët të marrin më shumë kredi.

Nevoja për para

Tregu bankar në vend ndikohet në një masë të madhe edhe nga bonot e thesarit, që qeveria shqiptare u jep bankave private duke i marrë para. Kërkesat e mëdha të qeverisë për para e ndikojnë këtë treg, për shkak se zënë një vend të madh në totalin e kredive që japin bankat në krahasim me vendet e tjera. BSH-ja trembet se ulja e normës së interesit do t’i ndihmojë bankat e nivelit të dytë të fitojnë më shumë dhe të mos i ulin normat e interesave të kredive. Ato do të marrin kredi nga Banka Qendrore me interesa të ulura, ndërkohë që do të vazhdojnë të ruajnë norma të larta për kreditë që do të japin. Në fakt, BSH-ja dëshmon thjesht pafuqinë e sistemit bankar shqiptar për t’u sjellë si një sistem bankar normal dhe pafuqinë e vetë Bankës Qendrore për të imponuar rregulla të qarta në tregun bankar në vend. Konsumatorët dhe bizneset në Shqipëri nuk mund të paguajnë norma të larta interesi për kreditë, në një kohë që inflacioni është shumë i ulët dhe në një kohë që kriza ekonomike me efektet e saj e ka bërë shumë të nevojshme rrjedhjen e parave nga bankat në treg.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›