Prodhuesit e naftës, taksë 10 për qind
Këshilli i Ministrave ka nisur në Parlament një ndryshim në taksat kombëtare, për sa i përket sektorit të hidrokarbureve, ku ka përcaktuar se prodhuesit si dhe kërkuesit e naftës do të paguajnë 10 për qind tatim. Kjo do të thotë që në buxhetin e shtetit do të vijnë më shumë para nga ky sektor, nisur nga fakti që në vendin tonë ka edhe mjaft kompani që kërkojë naftë. Njëkohësisht qeveria ka miratuar taksat e reja për eksportin e mineraleve. Sipas vendimit të qeverisë, për mineralet metalike të kromit, bakrit, hekurit, renta minerale është dyfishuar, pra nga dy për qind që ka qenë më parë, tashmë është në nivelin 4 për qind. Për grupin e dytë të qymyreve dhe bitumeve është zgjedhur vlera 4 për qind, pasi deri më tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim në eksportin e këtyre mineraleve. E kundërta është vendosur për rentën e materialeve të ndërtimit, e cila është rritur ndjeshëm. Për gëlqerorët taksa që duhet paguar është 4 për qind, ndërsa për pllakat e ndërtimit që merren kryesisht nga Berati, vlera e taksës është 10 për qind. Përveç përcaktimit të rentës për çdo mineral, një tjetër pikë shumë e rëndësishme e vendimit të djeshëm të qeverisë është edhe ajo që ka të bëjë me çmimet e shitjes së produkteve minerale, mbi bazën e të cilave aplikohet edhe përqindja e rentës minerale. Sipas të dhënave, shumë pak subjekte paguajnë tatim-fitimin, pasi pjesa më e madhe e tyre rezultojnë me humbje, sepse këto kompani deklarojnë çmime të ulëta të shitjes për eksport të mineraleve. Në këto raste, organet përgjegjëse do t’i referohen dosjes me të dhënat e disponueshme për vlerën e eksporteve minerale, ku është e përcaktuara edhe vlera e shitjes së këtyre mallrave.