Vendngjarja, ashensori i pallatit, i bllokuar në katin e gjashtë
Në hyrjen e pallatit, ngjitur në mur, dallohen fotot e dy viktimave dhe lajmërimi për vdekjen e tyre
Ashensori në pallatin ku ndodhi vrasja e dyfishtë ishte i bllokuar në katin e gjashtë, ndërsa në korridor dhe brenda tij dalloheshin ende njollat e gjakut të lëna nga viktimat. Një ditë pas ngjarjes, ku nga një atentat mafioz ngelën të vdekur dy persona të qëlluar me plumba në kokë dhe trup, në vendngjarje mbizotëron heshtja.
Në hyrjen e pallatit, ngjitur në mur, dallohen fotot e dy viktimave dhe lajmërimi për vdekjen e tyre.
Në shkallët e ndërtesës nuk ka shumë lëvizje. Në katin e gjashtë të tij dallohen ende njollat e gjakut, të cilat janë në pjesën më të madhe të dyshemesë, nga dera e banesës së viktimave e deri tek hyrja e njërit prej ashensorëve. Në apartamentin ku ndodhi ngjarja nuk ka më njeri, pasi policia e ka mbyllur atë. Aty nuk ndodhen as familjarët e viktimave, të cilat janë transferuar në një tjetër shtëpi, për të kryer ceremoninë mortore. Në kat ndodhen vetëm tre punonjës policie, civilë, të cilët vazhdojnë të mbikëqyrin vendngjarjen.
Duket se pikërisht këtu ndodhen treguesit e vetëm, se dy ditë më parë ndodhi një atentat mafioz, ku ngelën të vdekur, Elton Deliu, 32 vjeç dhe nëna e tij, 52-vjeçare, Flutura. Ndaj tyre u qëllua me 14 plumba nga vrasësit, të cilët arritën që t’i eliminon të dy. 32-vjeçari ishte objektivi kryesor i tyre, duke marrë edhe 11 plumba, ndërsa ndaj të ëmës së tij, atentatorët u kursyen, duke e qëlluar atë vetëm tri herë.
Banorët e lagjes janë ende të shokuar nga ngjarja e ndodhur në pasditen e ditës së shtunë. Të pyetur në lidhje me viktimën, ata përgjigjen se nuk e shikonin shpesh dhe se ai lëvizte me makina të blinduara dhe nën shoqërinë e njerëzve të tjerë. Ata e kishin parë viktimën që të ndërronte shpesh makina, teksa kthehej në banesën ku ai jetonte në qendër të Tiranës.
Gardisti që njoftoi policinë pas ndodhjes së ngjarjes shprehet se ai ka dëgjuar një djalë që thërriste: “Lajmëro policinë, se këtu ka ndodhur një vrasje”. Më pas ka parë viktimën që është futur në makinë dhe është transportuar në spital.
Ai nuk kishte dëgjuar asnjë zhurmë arme apo krismë dhe ka mbetur i shtangur nga thirrjet e të riut. Një dëshmitare tjetër e ndodhur në vendngjarje gjatë momentin kur 32-vjeçari po nxirrej nga hyrja për t’u çuar në spital shprehet: “Ai kishte shumë plagë në bark. Dukej sikur i ishte shpuar barku, ishte bërë vrima-vrima, por nuk kishte gjak”.
Tashmë gjendja e ankthit kishte kaluar tek banorët, të cilët duket se ishin mësuar me prezencën më të madhe të policisë “përreth”. Përpara hyrjes ishin disa fëmijë të cilët po qëndronin si gjithmonë tek vendi i tyre i preferuar, ndërsa pas tyre të ngjitura në mur ishin vendosur dy lajmërimet, që u kujtonin kalimtarëve të rastit vrasjen mafioze të ditës së djeshme.
Detaj
Elton Deliu ishte pronar i një lokali prapa ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, në katin e parë të një apartamenti. Që pas ndodhjes së atentatit, aty nuk kishte më njeri, pasi gjithçka ishte mbyllur dhe të vetmet gjëra që të tërhiqnin vëmendjen ishin dritat dekoruese, të vendosura me rastin e festave.
Pistat e hetimit nga policia
Policia dyshon se ekzekutimi ndaj Elton Deliut dhe nënës së tij ka ardhur pas prishjes së pazareve të drogës. 32-vjeçari njihet si një kontingjent kriminal, i përfshirë në rrjetin e trafikut të narkotikëve dhe për pasojë, dyshimet se është ekzekutuar për aferat në trafiqet e paligjshme janë të forta, shto këtu dhe faktin se ekzekutorët e kanë qëlluar disa herë, duke hequr çdo dyshim se mund të mbetej i gjallë. Gjithsesi, policia do të hetojë të gjitha pistat e mundshme për të hedhur dritë mbi krimin e dyfishtë. Një pistë tjetër është ajo e larjeve të hesapeve, duke pasur parasysh armiqësitë që ka pasur viktima, të bëra gjatë këtyre viteve. Ndërkohë një pistë tjetër është ajo e hakmarrjes.
Viktima, më parë i arrestuar nga policia
Elton Deliu është arrestuar rreth dy vjet më parë nga policia e Tiranës. U dyshua fillimisht se ai ishte përfshirë në trafikun drogës, por pas verifikimit të bërë rezultoi se sasia e kapur ishte thjesht përzierës heroine. Pas kësaj, 32-vjeçari ka lënë qelitë dhe është lënë i lirë. Policia dyshonte se ai ishte pjesë e trafikut të lëndëve narkotike, por nuk kishte prova të forta.
Ndaj 32-vjeçarit, dy atentate të kryera
Ndaj Deliut janë kryer dy atentate nga kundërshtarët e tij. Në qershor të vitit 2005, Elton Deliu ka mundur t’i shpëtojë për mrekulli një atentati mafioz të organizuar nga disa persona, me të cilët kishte pasur konflikt për prishjen e pazareve të drogës. Deliu ishte duke udhëtuar me një makinë tip BMW, ngjyrë të zezë, kur në ndjekje të tij janë vënë dy automjete, njëra “Benz Sllon” me targa DR 2572 C, e një tjetër “Benz” me targa TR 0072 J, ngjyrë jeshile, brenda të cilëve udhëtonin 4 persona. Në afërsi të “Rrugës së Barrikadave”, automjetet janë përballur dhe është qëlluar në drejtim të Deliut. Ky i fundit u është kundërpërgjigjur me armë. Një vit më vonë (2006), Elton Deliu i ka shpëtuar për mrekulli një tjetër atentati të mirorganizuar në Kavajë. Që prej asaj kohe, mësohet se 32-vjeçari lëvizte me makinë të blinduar, si dhe merrte masa të shumta mbrojtëse. Atij i vendosën një sasi eksplozivi në një lokal, pronë të tij, por duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Vdekja e vëllait
Disa vite më parë, vëllai i viktimës humbi jetën si pasojë e një aksidenti me motor. Si pasojë e shpejtësisë së madhe, ai u përplas me një pemë, duke humbur jetën pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë. Së bashku me të, në motor ishte edhe një vajzë, e cila gjithashtu humbi jetën.