E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të fortët e Kosovës, në garën për Bashkinë e Prishtinës

Në mes të muajit shtator, dy muaj para zgjedhjeve komunale të këtij viti, prishtinalitë më në fund e dinë (pak a shumë) se kush do të garojë për postin e Kryetarit të Komunës.
Licitimi me emra bombastikë do të përfundon dhe fokusi i qytetarëve do të drejtohet tek kandidatët. Padyshim do të ketë shumë qytetarë që do të ankohen për “kualitetin” e kandidatëve që po pretendojnë këtë post, i cili për nga fuqia e ndikimit dhe buxheti që kontrollon është posti i tretë më i fuqishëm në peizazhin momental politik në Kosovë. Është e vërtetë që gara nuk është midis Isa Mustafës, Akan Ismailit, Behxhet Pacollit dhe Blerim Shalës, apo ndonjë kandidati të fortë të PDK-së me imazh pozitiv në publik, si Fatmir Limaj apo Enver Hoxhaj. Të gjithë këta janë emra që do t’i bënin zgjedhjet në Prishtinë ekuivalente me një mini-ligë kampionësh me pretendentë si galacticos të Realit e Barcelonës.
Derisa kjo listë kandidatësh do të ishte fascinuese për shkak të shpërthimit të talenteve dhe resurseve që posedojnë, duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se një listë e tillë ka qenë një ëndërr. Behxhet Pacolli i AKR-së dhe Mabetexit, ka flirtuar me idenë e garimit për postin e Kryetarit të Prishtinës, por me gjasë ka përtuar të zhytet në baltën e menaxhimit të kaosit të kryeqytetit. Ndoshta ka edhe pretendime të karakterit kombëtar, e jo lokal. Akan Ismaili i IPKO-s publikisht e privatisht nuk ka pranuar asnjëherë se do të kandidohet, edhe pse s’do mend se posedon cv-në që do ta katapultonte në radhë të favoritëve. Blerim Shala i AAK-së, ka konsideruar seriozisht mundësinë e kandidimit dhe ka vrojtuar terrenin në të cilin do të garonte, por në momentin e fundit është tërhequr. Shala, që pa dyshim do të kontribuonte në fushatë me elokuencë argumentesh, ka pasur të drejtë që ka kërkuar një koalicion më të gjerë të përkrahësve paraelektoralë, por me dështimin e bashkimit opozitar rreth një kandidati të vetëm, duket se ka ardhur në përfundim se të mundohet për fitore në Prishtinë, thjesht, nuk ia vlen barra qiranë (politike). Në kontekst të mungesës së “të fortëve”, është lehtë të konkludosh se partitë nuk po tregojnë interes për prishtinalitë dhe se me këtë konstalacion garuesish as që vlen të votohet. Besoj se kjo konfuzë është tërësisht e gabuar.
Fatkeqësisht, nuk kemi ende grua kandidate për Prishtinën, prandaj shtrohet pyetja kush janë burrat që synojnë fronin e qytetit të cilin 2010’ta do ta pret me Ligj te vetin dhe fuqi të rritura, buxhet mbi 50 milionë eurosh dhe garanci të mëtutjeshme që do të jetë epiqendër e ngjarjeve ekonomike dhe politike për shumë vjet? Isa Mustafa, Kryetari i tanishëm, me siguri do të jetë aty. Lexova në gazeta se kandidatit të LDK-së i referohen si Isa Mustafa/Rexhep Osmani, por duhet të jetë qartë se LDK-ja, përkundër tendencës që nganjëherë t’i mëshojë shpullë vetës, nuk është parti vetëvrasëse. Kandidimi i Rexhep Osmanit, ish-ministrit famëkeq të arsimit, do të përbënte një vetëvrasje politike për partinë me pretendime kombëtare, që momentalisht ka mbetur e ngujuar në pashallëkun e Prishtinës dhe enklavave përkatëse. Për shumëkënd, Isa edhe nuk ka punuar keq. Drejtojnë gishtat kah rrethet e shumta që zëvendësuan kryqëzimet rrugore, asfaltimet, ndonjë parkth në Dardani, ndoshta bile edhe kah katedralja e re që po zë shtat. Çdo respekt të tillëve, por është e qartë që kënaqen me pak, tragjikisht pak. Kualiteti i jetës në Prishtinë, që do të duhej të ishte i matshëm me parametra krejtësisht konkretë, nuk është përmirësuar gjatë katër viteve të fundit. Ajri nuk është më i pastër dhe as që ka tentativa të bëhet më i pastër, ujë nuk kemi dhe as që ka plane reale e të zbatueshme si të sigurohet ai, hapësirat e gjelbra po zvogëlohen rapidisht dhe as që ka brengë të shprehur, apo punë të bërë, për ta kompensuar humbjen masive. Çerdhe të reja fëmijësh, me mësues të trajnuar dhe kredibilë, ka më pak se kërkesa enorme e prindërve. Shkolla ka dukshëm më pak se sa banesa të reja që po ndërtohen. E tërë infrastruktura nëntokësore e ujërave të zeza e të bardha është pranë kolapsit. Është e vërtetë që Mustafa është treguar më i zoti se paraardhësi i tij Beqiri, por ky standard matës mund të përdoret vetëm si vic, sepse Beqiri gazmor dhe shok i Coolios, ka qenë krejtësisht i papërgatitur për menaxhim të qytetit.
Megjithatë, që të jemi nga pak edhe avokatë të djallit, duhet pranuar se në morinë e njerëzve jokompetentë dhe jokompetitivë ne skenën politike të Prishtinës, Mustafa qëndron lartë mbi të tjerët. Më duhet ta përmendi një potez që më ka lënë përshtypje më së shumti në dy vitet e fundit - Isa Mustafa më në fund i rregulloi varrezat e mjeruara të kryeqytetit. A janë Astrit Salihu, Vegim Gashi dhe Besnik Tahiri kandidatë të denjë që ta sfidojnë Mustafën? A ia vlen të zgjohemi nga krevati të dielën gri të fundnëntorit për të votuar për njërin nga kandidatët? Them se po. Të tre emrat kanë kualitete që garantojnë garë të mirë dhe gjynahu më i madh i këtyre zgjedhjeve do të jetë vonesa e partive në prezantim të kandidatëve. Të tretë janë të njohur në qarqet e tyre e ndoshta pak më gjerë, por koha e shkurtër para nesh do ta bëjë gati të pamundur që prishtinalitë - prej kafeterive të rrugës Rexhep Luci, e deri tek banorët e Emshirit të stërpopulluar, prej shitoreve kineze të Kodrës së Trimave e deri tek Taukbashçja (panevojshëm e riemëruar Ilirida) e vneshtave t’ktynehershit - t’i njoftojnë kandidatët aq mirë, sa që Isës t’i rrezikohet pozita. Astrit Salihu është filozof. Para disa viteve ishte në margjina të sistemit; i larguar nga pozita e zëvendësdrejtorit në RTK pas konfliktit me Bob Gillette; në një betejë të pakuptueshme me profesorët e padenjë të UP’së, të cilët ia mohonin të drejtët e doktoraturës. Filozofët në Zagreb patën mendim tjetër dhe me qejf e lëvdata ia pranuan Salihut punimin e doktoraturës, i cili përmban kapituj si “Delegjitimimi dhe zbrazëtia ontologjike”, ose “Kritika e subjektocentrizmit”. Interesi i tij primar vështirë se do të jetë joshës për të vdekshmit votues, prandaj do të jetë interesante se si do ta kombinojë Salihu nevojën për hiper-populizëm dhe drejtim të fokusuar të fushatës parazgjedhore, me idealet e tija personale. Receta e fushatës me pica e Ylberit të Prishtinës, me gjasë nuk do të jetë e mjaftueshme për Salihun. Nëse Salihu e merr betejën seriozisht, me resurset qeveritare që ka në dispozicion dhe numrin e garantuar të votuesve të PDK’së, ka gjasa të mira të hyjë në balotazh. Besnik Tahiri është befasia e javës. Publiku e njeh prej pozitës së zëdhënësit të AAK’së. Duhet thënë menjëherë se ka votues të cilët do ta përqeshin këtë kandidaturë me cinizëm, mu për shkak të kaluarës së Tahirit. Menjëherë pas luftës, karrierën profesionale e filloi si roje në OSBE. Pas viteve të punës, arrin në pozitë të lartë në organizatën ndërkombëtare, merr bursë për studime Master në Angli, më pas kalon në Qeveri si këshilltar dhe hyn në politikë si aktivist i AAK-së. Tahirin e njoh dhe konsideroj se është krejtësisht e papranueshme të gjykohet në bazë të pikënisjes së angazhimeve të tija. Tahiri shkëlqen në punë ekipore, ka balancim të duhur të interesit dhe dedikimit ndaj pjesës jourbane të votuesve, por edhe rrjet dhe reputacion të mirë në shoqëri civile dhe ngrohtësi njerëzore e cila mund t’i çarmatosë dashakeqët. Megjithatë, është fer të pranohet se Tahiri ka gjasa të vogla për ta praptuar pushtetin në Prishtinë, por një rezultat solid që e kthen AAK-në si lojtar në kryeqytet dhe një numër i madh votuesish që do ta rrisin totalin e AAK-së në nivel kombëtar, do të arrijë ta katapultojë Tahirin në mainstream politik. Vegim Gashi është i përzgjedhuri i Pacollit. Biznesmen me reputacion të mirë, i rritur në familje ku është folur për probleme të kryeqytetit në tavolinë buke (i ati i tij ishte politikan ca dekada më parë), dhe me eksperiencë të duhur në menaxhim, Gashi në letër është kandidat i përkryer. Problemi i tij është se nuk është shumë i njohur. Shumica e votuesve me të dëgjuar të emrit të tij si kandidat, kanë pyetur: “Cili Gash?”. Gara për Prishtinën është shumë më e vështirë për pretendentët se sa që kujtojmë. Armik kryesor në këtë fushatë ata nuk e kanë Isa Mustafën, por indiferencën e qytetarëve. I kanë dy muaj të bëhen emra në oda e kafe të natës. Nuk kanë mundësi të presin shirita të kuq, prandaj iu duhen resurse të mëdha për fushatë.
Posterat me portrete nuk mjaftojnë. Na nevojiten ide konkrete e të besueshme, guxim qytetar që ndoshta është sfidues edhe për partitë politike dhe shefat e tyre, si dhe fokus në problemet tona që po na bëjnë jetën më pak të lumtur se sa meritojmë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›