E Diel, 1 Nëntor 2026

Refleksionet e Blushit dhe gabimi fillestar i plagjiaturës...

Sa e trishtuese është të shikosh sallonin e Akademisë së Arteve të mbushur rrafsh me politikanë, me intelektualë, xhambazë e dallaveraxhinj, bashkë me servilë të orës së fundit dhe intrigues - të gjithë së bashku në Akademi. Para së gjithash, besoj se nuk kanë shkuar t’u bëjnë ndonjë provë artistike të tyre ose bijve të tyre, sepse aty nuk pashë asnjë penel piktori, as daltë skulptori, as kamera regjisori. Kurrgjë prej gjëje! Ndoshta gabohem... Me ç’di, mbrëmjet akademike janë mbrëmje me karakter solemn, por nuk pashë ndonjë ceremoni, veçse m’u kujtuan darka e Trimalkionit në Romën e lashtë që tregon në “Satyricon e Petronio”. Aty pashë shumë aktorë të improvizuar në tribunë dhe disa arlekinë a iocularis që qeshnin duke mbajtur barkun me dorë me batutat që bënin kundër Egoarkut Rama.
Mirëpo pas komedisë erdhi momenti i dramës - mos u frikësoni në akademi jemi - ku gjithçka ishte një fiction i mirëstudiuar. Drama filloi... U hapën tendat e skenës për të shpallur manifestin e mendimit ndryshe – kuptohet, nga Rama. Ky mendim ndryshe nuk kishte ndonjë risi përveç batutave. Ndryshesa prekte vetëm Egoarkun. Përpos se Akademia e Arteve të Bukura ka dy histori kohore të ndryshme: e para që fillon në vitet e para të demokracisë, ku nga këto banka hidheshin parulla kundra Hoxhës dhe e sotmja ku hidhen më shumë batuta sesa parulla kundër diktatorit të ri të partisë “Rama”.
Kuptohet vetiu, sjellja xhibër e Blushit, paçka se në këtë rast kam mendimin se ai ka dashur të lëshojë mesazhin se vetëm emri u ka ndryshuar diktatorëve. Për korrektësi ndryshimi që solli Blushi ishte ky: mes ilaritetit që karakterizonte sallonin e bukurisë, ai, me një laps të zi, nxiu zgjedhjet e brendshme të PS, sepse forumeve u ishte mbyllur dera nga kapitalisti i tenderit. Blushi ipse dixit. Një derë mbyllet dhe një derë tjetër hapet... Kësaj radhe në Akademi hyjnë tifozët ultra dhe “ndryshe” të Blushit që janë: Bardhyl Agasi, Luan Hajdaraga, Marko Bello, Rexhep Mejdani, Kastriot Islami, Ben Malaj dhe Monda Stefa, që bëjnë garë se kush thotë batutën me të bukur. Dy polet e kundërta të Partisë Socialiste mbështeten nga setra shajaku që mbajnë erë sigurimi. Sigurisht dihet se kush e fitoi garën e batutave... Ben Blushi, si shkrimtar që është, e merr përsipër ta thotë hapur: “Rama është kukulla humoristike e PS-së”. Plasin duartrokitjet. Sloganet me sokëllimë: Bojkot apo jo? Edhe këto, pjesë të skenografisë.
Portreti i një artisti të ri/Është nga faktet dhe nga gjestet më banale që duhet të nisemi për të vizatuar një personazh, si të ishte një skicë përafruese, një shabllon i natyrës. Shumë artistëve dhe shkrimtarët të mëdhenj (të kohës tonë), u ka ndodhur që në akademi të kenë gjetur dashurinë, qejfin, ambiciet, idetë fisnike, intrigat e liga, të gjitha në një rezyme. Nganjëherë ndodh që nuk kanë mësuar asgjë më vonë, taman sikur esencialja e tyre të ketë vdekur përpara njëzet vitesh. Kjo i ndodhi Egoarkut Rama, por po ravijëzon t’i ndodhë edhe Ben Blushit. Ndërkohë në mjediset e Akademisë së Arteve ku lindën refleksionet e Edi Ramës për jetën politikën dhe artin nuk është një vend ku simbolika e nisjes është e gjetur për refleksionet e Ben Blushit për mendim ndryshe.. Të veprosh dhe të reflektosh si të gjithë nuk është një garanci dhe jo gjithmonë një justifikim. Gjykoj se nistorja e mendimit ndryshe është po një lloj si togfjalëshi “sjellje ndryshe” ose e fillimit të ri të Ramës, para disa vitesh. Karta Rama nuk është djegur përfundimisht. Ajo mbetet ashtu, e zhubrosur nga humbjet nga kohët e këqija. Pra shoh se s’ka asgjë të re përballë diellit. Lëvizja për mendim ndryshe mund të duket si një lëvizje institucionale që kërkon të maksimalizojë përgjegjësitë brenda së majtës, por në të vërtetë është një lëvizje për mendim ndryshe vetëm nga Rama. Nuk duan as për tej të majtës dhe së djathtës këta duan të majtën e kulluar me napat e nënëdajave të të gjithë Shqipërisë.
Rama versus Blushi/Egokrati ka bërë gjithçka është e mundur të humbë sfidat me jetën, më artin dhe së fundmi me politikën. Prandaj Ben Blushi, një njeri që e njeh shumë mirë simbolikën, them se ka bërë një gabim taktik duke gjurmuar sheshpushimet e Egoarkut, që nga Akademia e me radhë. Me këtë lëvizje të menduar, sikur do t’i thotë Ramës: shiko se sa je larguar nga idetë, për realitetin dhe artin që njëherë e një kohë i konsideroje parësore, sot je bërë alien i vetvetes...
Mirëpo Ben Blushi akoma nuk ka kuptuar se ku është Rama. Ky i fundit, i mbërthyer siç është, nga establishmentet e çimentos, nuk mund të japë shenja jete demokratike, përveç bojkotit që nuk është aspak demokratik. Përsa i përket bojkotit kuptohet se është një bllof i paramenduar, sepse Rama kur ka hyrë në zgjedhje nuk ka pasur veç një plan A, por edhe një plan B. Plani A ishte të fitonte zgjedhjen, në të kundërt hynte në punë plani B, ku me përzgjedhjen e listës së deputetëve, ai ka zgjedhur filat më besnikë dhe më gatitu që është e mundur. Plani B është radikalizimi i luftës politike me çdo kusht dhe ç’është më e keqja me çdo çmim. Njerëzi ankohen, por përshtaten; zemërohen, por dorëzohen... Dhe kjo më duket tmerrësisht e tmerrshme...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›