Shqipëria do të jetë anëtare e BE - nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit
Franca, një mike e aspiratave integruese të Shqipërisë
TIRANE – Qeveria franceze i garanton Shqipërisë, mbështetje të pakufizuar në rrugën e gjatë dhe të vështirë, drejt integrimit në “familjen e madhe evropiane”.
Kthimi i të djathtës politike shqiptare në pushtet në korrik 2005, konfirmimi i liderit të saj Sali Berisha, si kryeministër i vendit dhe organizimi i një platforme qeverisëse me objektiva të qartë që fliste për reforma dhe vetëm për reforma, ktheu vëmendjen e ndërkombëtarëve nga vendi i vogël ballkanik, por me potenciale të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike, elemente të cilat ia kishte mohuar në thelb pushteti i kalbur dhe kleptokrat 8 vjeçar. Ardhja e kryeministrit Berisha në drejtimin e vendit, e ktheu Shqipërinë në një histori suksesi, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, duke rritur pagat dhe pensionet dhe shumëfishimin e investimeve infrastrukturore, anëtarësimi i plotë në NATO, një premtim i realizuar dhe dorëzimi i kërkesës për statusin kandidat në BE dhe nga ana tjetër zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ishin disa nga bilancet pozitive të 4-vjeçarit të parë të qeverisë së Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha.
Premtimin e saj, për mbështetje të pakufishme në rrugën drejt BE-së, Franca dhe Presidenti Sarkozi, do ta jepnin që prill të këtij viti, gjatë një takimi me kryeministrin Berisha në Pallatin Elysse.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Sarkozi i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca, e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”, u shpreh Sarkozi.
Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm.
Nga ana e tij, Presidenti Sarkozy vlerësoi në këtë takim, se të gjitha arritjet e Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore.
“Franca mbështet të gjithë proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë”, shtoi ai.
Në atë takim, Presidenti Sarkozy u shpreh se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë, për të parë nga afër vendin e mrekullueshëm dhe ndryshimet e mëdha të Shqipërisë.