“Vendimi ynë, i arsyeshëm, mos humbisni kohë me të humburin e PS-së”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta takon krerët e strukturave kryesore të LSI-së Kreu i LSI-së Ilir Meta konfirmon koalicionin me PD-në, për zgjedhjet lokale të 2011-ës. Gjatë një takimi me drejtuesit lokalë të LSI-së, Meta mbron edhe njëherë vendimin politik për bashkëqeverisje me PD-në, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë atributet e një vendi serioz Shqipërisë, në prag të integrimit në BE dhe lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Teksa shton se, opozita dhe Edi Rama, janë kohë e humbur.
TIRANE – Kreu i LSI-së Ilir Meta u ka kërkuar dje drejtuesve të LSI–së në rrethe që të nisin riorganizimin e strukturave për zgjedhjet lokale të 2011-ës, duke konfirmuar edhe njëherë se forca politike që ai drejton, do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike. Meta tha se për LSI–në ka ardhur moment i një angazhimi të ri. Në këtë kontekst u kërkoi drejtuesve të degëve që të fokusohen tek partneriteti i ri politik e të humbasin kohë me lidershipin e Partisë Socialiste. “Ju ftoj të gjithëve që të angazhohemi në këtë stad të ri që ka hyrë politika shqiptare, por edhe vetë LSI-ja, për ridimesionimin e kësaj force si një forcë qeverisëse dhe e përkushtuar për reformat që i duhen vendit për të garantuar stabilitet, qëndrueshmëri, progres, dhe realizim të standardeve evropiane gjatë këtyre katër viteve. Por gjithashtu, dhe për të vazhduar punën për forcimin dhe rritjen e strukturave të LSI-së në të gjithë vendin, pas një analize që do të bëjmë në të gjitha rrethet, dhe në të gjitha njësitë vendore, sipas organizimit të LSI-së”, tha Meta. Ai evidentoi se LSI po hyn në një stad të ri politik dhe se vendimi për bashkëqeverisje me PD-në ka qenë më i drejti, ka qenë më i maturi. “Vendimi ynë ka qenë më atdhetari, për të garantuar një qëndrueshmëri të vendit, dhe një shpejtësi të re të reformave që na ndihmojnë dhe për të realizuar dhe programin tonë të integrimit evropian të vendit, por edhe ato premtimi që ne kemi bërë për zhvillimin ekonomik dhe social. Në mënyrë të veçantë për punësimin, për integrimin e moshës së tretë, dhe në të gjitha aspektet e tjera. Besoj se, me angazhimin e LSI-së në qeverisje të gjithë duhet të kuptojnë se forcimi i LSI-së, mbetet një prioritet i pazëvendësueshëm dhe natyrisht që konfirmimin e vendimit të marr nga LSI-ja do të jenë zgjedhjet vendore të ardhshme, ku jam i sigurt që për lëvizjen tonë rezultati do të jetë jashtëzakonisht pozitiv dhe inkurajues, sepse qytetarët janë lodhur nga grindjet dhe problemet e mëdha të vënë re sidomos brenda Partisë Socialiste”, u shpreh kreu i LSI-së. Duke iu referuar kreut në detyrë të PS-së, Edi Rama, Meta theksoi se u propagandua nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar me LSI, të cilën nuk e respektoi asnjëherë, madje vetëm pasi mori mandatin e tretë në krye të bashkisë. Meta vlerësoi se nuk është momenti për t’u marrë me Edi Ramën, pasi do të ishte thjesht një kohë e humbur. “Ne vetë e dimë që bëmë një marrëveshje me këtë forcë politike në vitin 2006, e cila nuk jetoi më shumë sesa një vit, dhe për kaq kohë, me paterica derisa u rizgjodh Kryetar i kësaj partie në krye të Bashkisë së Tiranës. Një marrëveshje që nuk u respektua asgjëkund, në asnjë nivel. Ne nuk kemi kohë të humbasim me njerëz që nuk kanë asnjë përgjegjshmëri dhe asnjë lloj serioziteti. Duhet të ecim përpara në këtë partneritet të ri, që është një risi për vendin për politikën shqiptare, dhe që tregon që LSI-ja do të sjell gjithmonë vlera pozitive , të reja, dhe me një karakter europianizues për politikën shqiptare por edhe për vendin”, deklaroi më tej kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
...