E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozi uron Berishën për triumfin e 28 qershorit

Presidenti i Francës Nikola Sarkozi i ka dërguar dje një mesazh urimi Kryeministrit Sali Berisha, me rastin e riemërimit si kryeministër, duke e përshëndetur për triumfin në një proces zgjedhor që Perëndimi e konsideron si një fitore e madhe e demokracisë shqiptare. Parisi garanton shqyrtimin shumë të shpejtë të kërkesës së Tiranës për marrjen e statusit-kandidat për anëtarësimin e plotë në BE


TIRANE – Presidenti francez Nikola Sarkozi shfaq edhe njëherë mbështetjen e tij për kryeministrin Sali Berisha dhe progresin e Shqipërisë drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, teksa ka garantuar transmetim të shpejtë për në KE të kandidaturës së vendit tonë. Me rastin e rizgjedhjes së Berishës në postin e Kryeministrit të vendit, Presidenti Sarkozi shpreh urimet e tij më të përzemërta, ndërsa vlerëson procesin e zgjedhjeve legjislative të 28 qershorit si një fitore të madhe të demokracisë në vend. Presidenti Sarkozi inkurajon kryeministrin Berisha dhe kabinetin e ri qeveritar, për vazhdimin e progresit reformator, si çelësi i suksesit të mëtejshëm të Shqipërisë, drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Në emrin tim personal dhe në emër të Francës ju dërgoj Ju urimet e përzemërta dhe të sinqerta me rastin e emërimit Tuaj në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Përparimet e konstatuara në zhvillimin e zgjedhjeve legjislative përfaqësojnë një fitore të demokracisë. Unë vlerësoj shumë madhësinë e përparimit të realizuar nga Shqipëria në rrugën e afrimit të saj evropian dhe ju inkurajoj Ju të vazhdoni me reformat e ndërmarra. Franca do ju japë Ju të gjithë mbështetjen e saj”, shpreh Sarkozi në mesazhin e tij të urimit. Duke iu referuar ambicies së Shqipërisë dhe të kryeministrit Berisha, për një integrim të shpejtë në BE, Sarkozi deklaron se, “Franca do të bëjë çmos që të transmetojë shpejt në Komisionin Evropian kandidaturën e vendit tënd”. Ndërsa në përfundim, Sarkozi e falënderon kryeministrin Berisha për vizitën e tij në Francë në 24 prill dhe evidentoi progresin e arritur në marrëdhëniet dypalëshe, ndërmjet dy vendeve. “Isha shumë i lumtur që Ju takova Ju në 24 prillin që kaloi dhe për t’ju shprehur ju përkushtimin tim personal për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Unë dëshiroj që bashkërisht ne të punojmë për thellimin e tyre, në veçanti në fushën ekonomike. Ju lutem pranoni, Zoti Kryeministër, sigurimet e konsideratës time më të lartë”, përfundon mesazhin e tij të urimit Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi  kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha me rastin e riemërimit të tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›