E Diel, 1 Nëntor 2026

Të fshihesh pas ‘bijës’që vrau të ‘atin’...

Ajo që ndodhi sidomos së fundmi në Parlamentin Europian, kur - siç u përmend me bujë - një mbledhje e planifikuar si ajo me objekt që përmblidhte edhe sqarimin e mundësive të zgjidhjes së krizës së rënduar politike në Shqipëri s’u arrit të mbyllej me një deklaratë zyrtare, nuk mund të mos rëndojë dhe ngrijë për ca kohë proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dhe, kjo ndodhi pikërisht ngaqë drejtuesi i grupit të deputetëve tanë të djathtë që morën pjesë, sikurse edhe homologët e majtë bashkatdhetarë, në përfundim të dy ditëve rresht të konsumuara në Bruksel menjëherë ndjeu nevojën për të kursyer bojën e stilografit, pra u tërhoq nga firmosja e deklaratës së hartuar edhe me konsensusin e tij, edhe me miratimin e të gjithë të ftuarve, për rifillimin dhe zhvillimin urgjentisht në Tiranë të një dialogu ndërmjet të dyja palëve për zgjidhjen e krizës politike. Përse ngjau kështu?
Zërat në Bruksel shprehën shqetësimin që kjo ndodhi si përgjigje pas një telefonate urdhëruese të marrë nga Tirana. Ndërsa zërat në Shqipëri nuk ishte nevoja të sqaronin publikun lokal, sepse ky e mori vesh menjëherë të vërtetën nga përvoja e grumbulluar prej kohësh, por më së paku gjatë këtyre 10 muajve të konfliktit të rëndë që po kutërbon në tërë relievin e vendit dhe në plot aspekte të jetës së tij.
është ai, problemi i transparencës së procesit zgjedhor të vjetshëm, të cilit nuk po i jepet zgjidhje as tani, kur krahas protestave popullore masive që po përfshijnë tërë Shqipërinë ballkanike, në bulevardin kryesor të kryeqytetit të saj lëngojnë brenda disa çadrave përvëluese dhjetëra parlamentarë dhe përkrahës të opozitës në një grevë urie. Në një grevë urie, si formë ekstreme dhe sublime e protestave, ndaj të cilave Qeveria bën veshin e shurdhër.
Mirë më parë, kur maxhoranca jonë parlamentare dhe qeverisja e sajuar prej saj dëshironin mbase që të mos bezdiseshin në gëzimin apo euforinë e futjes në xhep të mandateve të tyre të dyshimta, po tani, tek edhe ndërkombëtarizimi i problemit tonë jehon me intonacione gjithnjë e më të larta, përse duhen lënë me gojë hapur përfaqësuesit e vendeve europiane, votat e të cilëve Qeveria shqiptare i pret me lutje dhe me ankth?
Vërtet, përse duhen lënë ata si të pataksur, ndërkohë që mendohet të dihet fare mirë, se në çdo vend që kërkon t’u nënshtrohen proceseve të integrimit, kufijtë e tolerancës vendosen aty ku bëhet fjalë për vet diskursin e vlerave europiane, se kush i nënvlerëson rregullat e këtyre vlerave del vet jashtë debatit. ç’ka do të thotë edhe që në rastet kur mbi këto rregulla bazë nuk arrihet një konsensus, si rrugëdalje të mundshme shihen: ose një ndarje paqësore, ose përdorimi i dhunës.
Sidoqoftë, tani le t’i lutemi ne lexuesit që të tregojë pakëz durim për të marrë ndonjë shpjegim të mundshëm, por vetëm pasi të ndalemi edhe te disa fakte dhe deklarime të bëra ditëve të fundit jo në qendër të kontinentit, por mu në mes të shtetit tonë.
***
Kur opozita, qysh me fillimin e kësaj legjislature e refuzoi pjesëmarrjen e deputetëve të saj në Kuvendin e Shqipërisë, këtë veprim e argumentoi me domosdoshmërinë e kryerjes së një procesi të plotë për transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit të kaluar, sepse kishte të dhëna apo dyshime që këto zgjedhje qenë bërë me manipulime dhe falsifikime të shumta, dhe sepse ishte bërë publik raporti i OSBE/ODIHR–it, prej të cilit rezultonte që numërimi i votave ishte kryer keq ose shumë keq në një të tretën e zonave elektorale. Që atëherë, kreu i Qeverisë e kundërshtonte prerazi këtë pretendim, duke deklaruar veç të tjerave, që hapja e kutive të votimit u përket vetëm gjykatave dhe nuk mund të lejohej që politika të ndërhynte në veprimtarinë e tyre.
Kaluan muaj të tërë, kur ky refren vazhdonte pa ndërprerje, derisa opozita e transferoi pozicionin e saj brenda Parlamentit. Por, gjatë një vizite zyrtare të Komisionerit të Bashkimit Europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, i cili në rekomandimet e tij për zgjidhjen këtu të krizës politike i mëshoi mbështetjes në respektimin e Kushtetutës dhe Transparencës, pista këto që bashkohen në të njëjtin terren institucional, maxhoranca parlamentare votoi shpejtësisht në mënyrë të njëanshme dhe me objekt krejt të cunguar, ngritjen e një komisioni hetimor. Dhe, kjo ndodhi pikërisht pa kaluar as disa minuta nga tërheqja revoltuese e opozitës të dy nismave ligjore të iniciuara dhe propozuara në Kuvend prej saj, zbatimi i të cilave do të çonte pa mëdyshje drejt sheshimit të konfliktit midis të dyja palëve.
Kjo tërheqje, pavarësisht rindezjes së debateve ashpërsuese, mund të justifikohej plotësisht, për sa kohë që qeverisja jonë me veprimet e saj kërkonte t’u hidhte grushte me hi syve të kundërshtarëve politikë brenda vendit, por edhe të aleatëve perëndimorë jashtë tij. Sepse, sikurse kuptohej fare qartë, ajo nuk kishte ndërmend aspak të bënte të mundur ngritjen me procedura të rregullta të një komisioni hetimor parlamentar të përkohshëm, që do të nxirrte në shesh jo letrat e mbajtura nën mëngët e maxhorancës, por ato të kyçura prej saj me shtatë palë dryne në kutitë e votimit.
Në këto situata, kreu i Qeverisë vazhdoi ‘t’i binte qemanes’ së tij vetëm me dy tela, për të përhapur kështu po ata tinguj të çjerrë të refrenit të zakonshëm të mbushur me picikato e skifo, si propozimi i çartur dhe dredharak për të vënë në dispozicion të hetimit 100 prokurorë. Po, 100 prokurorë, që kështu jo vetëm të linin pas dore së paku 1/3–ën e tërë dosjeve voluminoze dhe të ngjeshura të kriminalitetit, por edhe t’u bëhej karshillëk Kushtetutës dhe legjislacioni penal, duke e shpërqendruar objektin e veprimtarisë së tyre në terrenin administrativ. Ndërkohë që lideri i maxhorancës vazhdonte të këndonte si mos më keq refrenin se, nuk lejonte Kushtetuta që të dilej mbi vendimin e gjykatës. Pavarësisht që ky ligj themelor i shtetit, në nenin 23/1 të tij urdhëron: “E drejta e informimit është e garantuar”; ashtu siç rendit qysh në pjesën e parë një sërë të drejtash dhe lirish të tjera themelore të njeriut, midis të cilave spikat e drejta për të votuar, me specifikim eksplicit të katër tipareve të votës; sikurse u jep të gjitha organeve shtetërore profilin e patjetërsueshëm për sigurimin e zbatimit të të tëra këtyre të drejtave, të cilave nuk duhet t’u preket thelbi edhe kur hyn në fuqi një ligj i veçantë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Avazi që përmendëm më sipër u dëgjua edhe në fillim të kësaj jave, kur protesta e popullit opozitar kishte marrë përmasa jashtëzakonisht të konsiderueshme dhe po shoqërohej me grevën e urisë së instaluar përpara ndërtesës së Këshillit të Ministrave. “Dëshiroj dhe shpresoj që zoti Rama...të marrë pjesë në komisione, në qoftë se e gjykon se nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese...”, – u paraqit përsëri Sali Berisha në një konferencë shtypi, si një opsionist për vaj medet. Pra, për t’i qarë hallin, se idesë së atyre lloj komisioneve false, si ai që u ngrit nëpër këmbë dhe rrufeshëm nga maxhoranca, tashmë boja i ka dalë tërësisht. Sikurse edhe asaj që opozita t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, e cila në një vendim të saj të vitit 2003 nuk ka përjashtuar mundësinë e hetimit parlamentar për çështje me rëndësi të përgjithshme, ose publike. Dhe, të pretendosh që t’ia zhveshësh këto emërtime kërkesës për transparencë të plotë të një procesi zgjedhor të kontestueshëm, në rastin më të mirë do të të urohej: “Të shkuara!” për efektet e atyre që në mënyrë metaforike do të krahasoheshin me ato të çrregullimeve cerebrale.
Një të tillë urim dashamirës do të duhej t’i drejtohej kreut të Qeverisë, edhe për faktin se e fton opozitën të marrë pjesë në komisione, kur njëherazi i deklaron asaj që çështja e hapjes së kutive i takon vetëm gjykatave, sepse - sipas tij - ngritja e komisioneve hetimore parlamentare në këto raste do të qenë antikushtetuese. Në të vërtetë, edhe një studenti të viteve të para të Drejtësisë që ka dhënë provimin e të Drejtës Kushtetuese, askush nuk mund t’ia heqë nga mendja që komisionet parlamentare janë organe të brendshme të Kuvendit dhe që ndër to zënë vend të rëndësishëm komisionet e posaçme, për legjitimimin e të cilave, sipas nenit 77/2 të Kushtetutës, “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”. është mbase e tepërt të shtojmë apo të kujtojmë këtu se, përfundimet e këtyre komisioneve nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen organit të akuzës, që i vlerëson ato sipas procedurave ligjore. Kështu pra, i hiqet edhe meraku kreut të Qeverisë, me fantazinë e shfrenuar apo me dredhinë e përpunuar të të cilit mund të rekrutoheshin ata 100 prokurorët e tij të famshëm.
***
Me gjithë këto sa më sipër, përfaqësuesit e maxhorancës nuk duket që të përmbahen dot në gënjeshtrat e tyre, nga malli që nuk u shteret kurrë apo nga halli që i ka zënë, prej injorancës proverbiale apo prej delireve interesante. Kësaj radhe është kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ai që del publikisht për ‘t’i mbyllur gojën’ liderit të opozitës, duke ‘zbuluar’ që edhe Kolegji Zgjedhor na paska vendosur kundër hapjes së kutive. Dhe, ky tellall i mashtrimeve të shefit të tij tregon një vendim të këtij Kolegji pranë Gjykatës së Apelit - Tiranë, i shpallur më 27 korrikun e vitit të kaluar, që duke rrëzuar padinë e Partisë Socialiste kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili vlerësoi demek të paligjshme konceptualisht dhe për gjoja në mungesë të rrethanave faktike kërkesën e dy anëtarëve të tij për hapjen e disa kutive të vetëm dy zonave, iu desh të arrinte në përfundimin se, kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka gjykatë.
Mirëpo, me citime të tilla ai jo vetëm që nuk i mbush mendjen njeriu për drejtësinë e realizimit të synimeve të mbrapshta të tyre (ku gjendet xhanëm në atë tekst të vendimit argumentimi i Kolegjit që hapja e kutive qenkej antikushtetuese?), por mbase vet pa dashur tregon edhe mosseriozitetin e qëndrimeve të kësaj Gjykate, të cilat do të duhej ndoshta të kërkonin hetime të posaçme, për të verifikuar nëse këto qëndrime ishin apo jo shprehje e presionit politik të maxhorancës mbi të, e korrupsionit pasiv të anëtarëve të tij apo e të dyjave, bashkë me ndonjë tjetër motiv.
Sidoqoftë, dihet që trupa e Kolegjit Zgjedhor në veprimtarinë e vet është ‘bijë’ e Kodit Zgjedhor, që e ka parashikuar si instancën e fundit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me fitimin e mandateve. Si e tillë, asaj nuk iu dridh dora për të vrarë në një farë mënyre ‘të atin’, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ–së për të mos zbatuar në atë rast nenin 138, aspak evaziv të këtij Kodi. Por, ‘fishekët’ e saj nuk mund të arrinin Kushtetutën, për t’u çliruar pastaj maxhoranca dhe për t’iu mbushur goja kësaj që të bindte këdo se transparenca e procesit zgjedhor na qenka antikushtetuese (?!).
Nejse, le të mos zgjatemi më me analizat e kësaj diarreje verbale të kreut të Qeverisë dhe të kasnecëve të tij, ndërkohë që do të ishte më mirë të tërhiqet vëmendja e lexuesit se, kushdo që ngulmon të fshihet pas ‘bijës’ që vrau ‘të atin’, sigurisht që nuk i intereson të japë ndihmesën e vet për zbardhjen e krimit elektoral. Të atij krimi që ka provokuar ashpërsisht konfliktin politik, ka thelluar dramatikisht krizën ekonomike dhe ka lënë në batak demokratizimet institucionale. Më keq akoma, i fshehur kështu mund të dëshirojë të mbrohet më mirë, duke nxitur tek e fundit, trazira të reja me pasoja të dhimbshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›