E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: Tuneli i Thirrës gati më 21 Maj

 TIRANE- Tunel i Thirrës, në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin, do të jetë gati me 21 maj, pohoi, zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka.
"Duke llogaritur se një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë dhe e emigrantëve shfrytëzojnë këtë tunel për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, ky tunel do të jetë i gatshëm për qarkullim", tha Noka.
Sipas tij, tuneli ka përfunduar së betonuari, janë hequr tërësisht armaturat dhe është në proces asfaltimi, ndërsa po punohet edhe për instalimin e të rrymës dhe aparaturave të ndryshme, si kamera etj.
Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar. Në njoftimin e MPPTT-së thuhej se "tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi".
Por, TVNews24 zbuloi nepermjet filmimeve se në tunel kishin ndodhur shembje të mëdha që rrezikonin seriozisht funksinonimin e tij.

Pas mbylljes së tunelit, kalimi i mjeteve devijoi përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morin-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas.
Autostrada Durrës-Kukës-Morin, 170 kilometra e gjatë, u vu në punë pak para zgjedhjeve elektorale parlamentare në 25 Qershor 2009.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›