Të "fundmit" e "Marubit 2005"
14/04/2005 Ndoshta dikush mund të kuptojë se kemi të bëjmë me vendet e fundit të "Marubit 2005". Në fakt, flasim për tre artistët e fundit fitues në konkursin ndërkombëtar të fotografisë "Marubi", i cili u hap më 25 mars. Ishin këto çmime të nxjerra nga publiku dhe të akorduara nga Dhoma e Tregtisë italiano-orientale në mbyllje të ekspozitës. Sipas vlerësimit të publikut, janë edhe tre artistë të tjerë shqiptarë, të cilët u shpallën fitues dje në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Fotografitë e Mirela Topullit, Armand Abazit dhe Greta Dhaskalit, janë fotografitë të cilat u pëlqyn më shumë nga publiku kryeqytetas, duke i bërë kështu artistë fitues. Ky fakt vërteton edhe një herë që "Marubi 2005" u dominua nga artistët shqiptarë, pasi me përjashtim të italianes Malena Maza, e cila fitoi çmimin e tretë, të gjitha çmimet e tjera u fituan nga artistët shqiptarë, ku mund të përmendim Enisa Cenaliajn, që u nderua me çmimin e parë, të pasuar nga Agron Hasanaj. Por, edhe dy çmimet speciale, ai i "Kodak" dhe i revistës "Fotografi-Art", u fituan përkatësisht nga Ilda Rama dhe Dhimitër Topi. Në këtë edicion të "Marubit" morën pjesë 45 artistë, të ndarë në dy seksione. Një ide e përpunuar nga kuratori Romano gjatë fazës selektive, pasi kishte konstatuar se një pjesë e artistëve kishin foto shumë interesante, por që nuk i përgjigjeshin 100% temës së përzgjedhur për këtë konkurs, kështu që ky grup artistësh krijuan ekstension "Open Space". Kjo për vetë faktin se, punimet e tyre kishin një lidhje të fortë me konceptin e ekspozitës-konkurs. Gjithsesi, vetëm 21 artistë konkurruan për çmimet "Marubi". 24 artistët e tjerë u prezantuan në seksionin e "Open Space".