E Diel, 1 Nëntor 2026

“Raiffeisen”, kredi konsumatore për të gjithë

14/04/2005  Kreditë do të jenë vetëm në lekë dhe me interesat më konkurruese në treg

Banka do të “mbajë me hatër” klientët preferencialë, që janë të gjithë ata që marrin pagën te “Raiffeisen” ose kanë depozita me afat. Kushti bazë për të marrë një kredi do të jetë nënshtetësia

“Raiffeisen Bank” ka filluar të japë nga sportelet e saj kredi konsumatore për të gjithë klientët ose jo klientët e vet. Drejtori i Retalit në këtë bank, Robert Wright, ka deklaruar se katër lloj kredish që përfshihen brenda kredisë konsumatore janë të mundura të tërhiqen që nesër nga individët, nëse ata bien dakord me interesat, por dhe me kushtet e marrjes së kredisë. Banka do të “mbajë me hatër” klientët preferencialë, që, sipas drejtorit Wright, janë të gjithë ata që marrin pagën te “Raiffeisen” ose kanë depozita me afat. “Kushtet bazë për të marrë një kredi do të jetë nënshtetësia”, ka sqaruar Wright. Kreditë e para për individët të hedhura në treg nga “Raiffeisen Bank” kanë një afat maksimal shlyerje deri në pesë vjet, ndërkohë që koha më e shpejtë e shlyerjes së tyre për ata që kanë mundësi, do të jetë gjashtë muaj. “Ne do të kemi në treg interesat më të konkurrueshme, pra mund të them dhe më të ulëtat”, është shprehur në lidhje me këtë çështje Robert Wright. Ndërkaq, interesat për të katër llojet e kredive të bëra publike tregojnë se kreditë për një farë kohe do të jenë vetëm në lekë. “Ne do të japim kredi konsumatore vetëm në lekë dhe në muajt e mëvonshëm do të shikojmë mundësinë e dhënies së kredive në valutë”, ka deklaruar Robert Wright. Aktualisht, normat e interesave të depozitave të përcaktuara nga “Raiffeisen” janë të ndryshme dhe të përshtatura për afate, për të cilat do të merret kredia. Kështu, në rast se kredia shlyhet brenda vitit, interesi është më i lartë. Për kredi me afat 2 vjet e sipër, norma e interesit fillon të ulet. Kështu mund të thuhet se kredia për blerje makine, për të cilën klientët kanë filluar të shfaqin interes të veçantë, për periudhën 6 muaj deri në 2 vjet e ka 14–15 për qind, ndërkohë që për afate 2 vjet deri në 5 vjet, ulet në 12 deri në 13 për qind. Duket se kjo është kredia me normat më të ulëta të interesave, ndërkohë që për kreditë e tjera interesat shkojnë edhe deri në 16 për qind. “Raiffeisen Bank” ka filluar kështu traditën e kreditimit për individë, që nga koha kur BK-ja ndërpreu çdo aktivitet kreditues. Duket se interesat mes kredive në lekë dhe depozitave kanë një hendek të madh mes tyre dhe “Raiffeisen” ka sqaruar se është duke zbatuar politikën e BSH-së për të rritur nivelin e kredive në lekë. Gjatë 2004-ës, në volumin e kredive, kreditë në valutë zinin 80 për qind të kredive, duke lënë kreditë në lekë në minorancë. Ulja e interesave të depozitave në lekë, ka bërë që bankat të jenë më aktive në dhënien e kredive, ku dhe mund “të shesin shtrenjtë” lekun.

75 mijë llogari rrjedhëse

50 mijë karta debiti

125 mijë veprime në bankomatKredi personale

Kreditë personale janë kredi të ofruara për individë për përdorim personal, të pasiguruara dhe pa kolateral, të bazuara në integritetin e aftësisë së huamarrësit për të paguar. Banka është e gatshme të japë këtë lloj kredie për individë që janë klientë të bankës dhe kanë dhënë prova se shlyejnë në kohë kredinë, ose ka të ardhura të mjaftueshme për të përballuar këstet e bankës. Banka ka menduar të vendosë limite kohore për këtë lloj kredie, të cilat janë afatshkurtra dhe shkojnë maksimumi në 5 vjet.

Shuma 100.000 – 400.000 lekë

Afati 6 muaj – 60 muaj

Interesi 14% - 16%

Kredi për makina të reja

Kreditë për makina të reja janë kredi për individë që u mundësojnë të blejnë makinë të re nga distributorë me reputacion. Klientët e distributorëve të mëdhenj mund të kërkojnë kredi te “Raiffeisen” për të blerë makinën, të cilën do ta shlyejnë me këste, ndërkohë që distributorit i paguhet e gjithë vlera e makinës. Kreditë jepen vetëm për blerjen e makinave të reja, për distributorët që e pranojnë marrëveshjen me bankën. Duke patur parasysh nivelin e kredisë, individët duhet të japin garanci për tërheqjen e kredisë.

Shuma 400.000 – 4.000.000 lekë

Afati 6 muaj – 60 muaj

Interesi 12% – 15%

Kredi mobilimi

Kreditë e mobilimeve dhe pajisjeve shtëpiake janë kredi për individë që kanë nevoja konsumatore specifike, siç janë mobiljet, kompjuterat shtëpiakë dhe personalë, sisteme audio muzikore. Individët mund të përfitojnë kredi të vogla nga banka për të gjitha blerjet e mësipërme, duke dhënë garanci për kredinë që do të marrin. Banka kërkon për këtë lloj kredie kolateral, pasi vlera më e lartë e saj mund të kapë shifrën e 20 milionë lekëve, ndërkohë që afati për t’u shlyer mund të shkojë edhe deri në 5 vjet.

Shuma 400.000 – 2.000.000 lekë

Afati 6 muaj – 60 muaj

Interesi 13% – 16%

Kredi për rinovim shtëpie

Kredi për rinovim apo ristrukturim shtëpie, e cila përdoret për të rregulluar jo vetëm ambientet e shtëpisë, por dhe zyrat apo pronat personale. Edhe kjo kredi kërkon kolateral apo hipoteka nga banka, sepse vlera e kredisë kap shifrën e 4 milionë lekëve. Kreditë merren nga individë, të cilët duhet të tregojnë qëllimin e saj si dhe të sigurojnë bankën se janë të gatshëm të shlyejnë këstet.

Shuma 400.000 lekë

Afati 6 muaj – 60 muaj

Interesi 13% – 16%

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›