E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jetoj me pikturën"

14/04/2005  Portrete, nudo dhe inspirim nga folku. Janë këto tre ciklet qendrore në të cilat është ndërtuar ekspozita e piktorit Xhovalin Paci, hapur dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Janë 101 punime, të cilat janë realizuar në 10 vitet e fundit. Pikturat e prezantuara nga Paci, shtrihen në një periudhë kohe me ngarkesa të ndryshme emocionale, ku edhe ciklet dhe teknikat janë të ndryshme. Të gjitha krijimet e tij janë të grupuara në cikle, sipas tematikës përkatëse, por ky fakt nuk pengon aspak lidhjen dhe shkrirjen organike të të gjitha tablove në një të tërë. Tërheq vëmendjen cikli i portretit, që pasohet nga ai i motiveve popullore, për të përfunduar me pikturën abstrakte dhe nudot. Pjesa kryesore e tablove vijnë në akrilik mbi telajo, reliev dhe instalacion, si edhe në pikturë të sheshtë, të gjitha të ekspozuara për të parën herë në kryeqytet. Duke folur për gazetarët e pranishëm, Paci ka nënvizuar se në ekspozitën e hapur pak kohë më parë në Galerinë Kombëtare, ishte paraqitur me një grup tjetër punësh. "Këtë herë jam munduar të sjell diçka të re për të përfaqësuar veten. Ekspozita do të qëndrojë e hapur një javë, për t'u pasuar nga një tjetër në galerinë 'Jozef' në Durrës dhe një tjetër në Tiranë, por me një cikël të ri punimesh. Unë jetoj me pikturën. Nuk ka shumë njerëz që e blejnë atë, por një grup i caktuar që e njohin dhe e ndjekin atë", tha Paci. Më pas, ai ka shtuar se të ndjerit i frymëzuar për të hedhur mbi telajo atë çka dëshiron, nuk ka kufi për të, pasi "kur kam diçka për të thënë e them, pavarësisht se çfarë momenti i ditës është". 47-vjeçari Paci ka lindur në qytetin e Shkodrës, në vitin 1958. Për vite me radhë ka punuar si dekorator dhe reporter. Aktualisht jeton dhe punon në Tiranë si piktor në krijimtari të lirë. Ka hapur rreth 20 ekspozita vetjake, pa llogaritur ato kolektive, veprimtari që ka filluar prej vitit 1984.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›