E Diel, 1 Nëntor 2026

Në '97 nuk kam pasur as spaleta, as armë dhe as anije

13/04/2005  Arben Imami për “Metropol”: Në PD më thërritën për shkak të qëndrimeve që kam mbajtur më parë

Një ndër themeluesit e PD-së, Arben Imami, i larguar prej saj për disa vjet, në një intervistë për “Metropol”, tregon për ftesën që iu bë nga lideri demokrat Berisha për të kandiduar nën siglën e PD-së. Imami pranon se gjatë viteve 1996-1997 i ka bërë oponencë qeverisjes së asaj kohe, por hedh poshtë akuzat se ka qenë në krye të revoltës në Jug të vendit. Sipas ish-themeluesit të PD-së, përfshirja në këtë parti të ish-themeluesve të saj, por dhe të shoqërisë civile tregon se PD është një parti e hapur. Imami, që është një ndër hartuesit e Kushtetutës, thotë se ekzistojnë mundësitë që data e zgjedhjeve të afrohet më 26 qershor. Për sa i përket „antidushkut“, ai sqaron se i ka rekomanduar PD-së që ky amendament të implementohej me kohë në Kodin Zgjedhor, me qëllim që të mos përsëriten më ngjarje si në zgjedhjet e kaluara, me zonën 60 të Lushnjës.

Zoti Imami, ju jeni një ndër të „rikthyerit“ në PD. Do ishte me interes të dinim çfarë ka ndryshuar në partinë më të madhe të opozitës, që iu bindi ju dhe të tjerëve të riktheheni në të?

Në fakt, ne nuk jemi nga të rikthyerit, jemi nga të ftuarit dhe këtu fillon një perspektivë tjetër. Në momentin që PD-ja na ka nxjerrë jashtë dhe në momentin që PD-ja na fton, domethënë që ka një zhvillim. Pa hyrë në përmbajtjen e këtij zhvillimi dhe pa parë dy skajet e tij, besoj që ndryshimi është i dukshëm dhe i madh. Në qoftë se në nuk do ta merrnim parasysh këtë, atëherë do të thoshte se kishte arsye të tjera. Ne e kemi marrë parasysh dhe e kemi vlerësuar këtë ndryshim, ndaj i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës për kandidim nga PD-ja. Por, unë besoj se për Zogajn dhe për mua kjo nuk përbën më lajm se prej tre vjet e gjysmë, gjatë katër vjetëve të kësaj legjislature, ne jemi në opozitë dhe besoj se nuk përbën ndonjë sensacion kandidimi ynë nën siglën e PD-së. Për mua, është një rrjedhim logjik jo vetëm i këtyre tri-katër vjetëve të fundit, por edhe një rrjedhim logjik në pikëpamje më të distancuar dhe më makro, i zhvillimeve brenda PD-së, duke filluar që nga krijimi i saj dhe deri më sot.

Aktiviteti juaj në `97-tën mbetet sërish një pikë e debatueshme mes bazës së PD-së. Mendoni se kjo periudhë e aktivitetit tuaj do të ndikojë mes anëtarësisë gjatë fushatës elektorale, pasi ju keni qenë një kundërshtar i PD-së në ato vite?

Eshtë e vërtetë, unë kam qenë kundërshtar, kam qenë në opozitë dhe kjo është e pamohueshme. Në rast se do të kisha qenë në PD, në atë kohë sot, ndoshta nuk do më kishte ftuar njeri. Më ftojnë pikërisht për vetë qëndrimet e mia dhe nuk e kam fjalën për shpifje të veçanta, si për spaleta, për armë apo dhe për anije, që janë shpifje të ndonjë gazetari. Por e kam fjalën se qëndrimet e mia kanë qenë të hapura dhe publike. Kam qenë kundër asaj lloj qeverisjeje, kam qenë kundër mënyrës se si është ushtruar politika, çka i kushtoi shumë PD-së. Unë mendoj se është mirë për ne dhe për PD-së që jemi bashkë sot. Në këtë mënyrë PD-ja i tregon qytetarit shqiptar se e ka përvetësuar këtë qëndrim të së kaluarës. Nuk e ka përvetësuar thjesht nga librat dhe nga tekstet, por e ka përvetësuar në sajë të bashkëpunimit me ata, të cilët ka qenë në pozicione të ndryshme në vitet 1996-1997. Fakti është që një pjesë e madhe e njerëzve, nën okelion e PD-së bënë gabime të mëdha gjatë vitit 1996 faktikisht sot janë të pavlefshëm. Pra, janë ata që vodhën votat, ata që vodhën paratë e shqiptarëve etj. Ata sigurisht nuk i vlejnë Partisë Demokratike.

PD-ja ka pasur dy kërkesa lidhur me zgjedhjet. I pari është implementimi i amendamentit antidushk, dhe tjetra afrimi i datës së zgjedhjeve. Nga ana e socialistëve kjo është parë si antikushtetuese. Cili është opinioni juaj, si një ndër hartuesit e Kushtetutës?

Unë besoj që çështja e zgjedhjeve është një çështje që kërkon dhe mirëkuptimin e PS-së. Në qoftë se PS-ja nuk do ta japë këtë mirëkuptim, atëherë nuk janë arsyet kostitucionale apo juridike që do të shtyjnë drejt këtij vendimi. Unë mendoj që do të ishte e arsyeshme dhe në favor të votuesit shqiptar që, data e zgjedhjeve të afrohej. Socialistët kanë të drejtë që ta kundërshtojnë këtë nga pikëpamja formale, pra nuk janë të detyruar ta përmbushin këtë detyrim, por kjo nuk i nxjerr në dritë të mirë. Eshtë e natyrshme se ata dëshirojnë që njerëzit kur të votojnë të kenë preokupacione të tjera. Pra, mos ta kenë mendjen te mënyra se si është ushtruar pushteti në këto vitet e fundit. Nuk është e paligjshme, por në thelb është e pandershme. Për sa i përket amendamentit që ka propozuar zoti Berisha, unë mendoj se ky do të ishte amendamenti i parë që duhej të ishte propozuar nga PD-ja. Sepse ligji elektoral ka kaluar dy herë në parlament në dy vjet dhe është e pafalshme nga ana teknike që, pasi janë bërë dy herë të gjitha tratativat, pasi ka kaluar në parlament, pasi janë bërë të gjitha marrëveshjet, të themi tani që duhet bërë ky amendament. Ky amendament është i domosdoshëm dhe duhet të ishte i parë që duhej të implementohej në Kodin Zgjedhor. Unë, me aq sa kam pasur mundësi, ia kam këshilluar këtë PD-së dhe anëtarëve që janë marrë me këtë çështje, por nuk kam gjetur mbështetje. Ky është një amendament, i cili do ta plotësonte frymën e Kushtetutës. Ligji aktual nuk është antikushtetues, por, në qoftë se do të përmirësohet në këtë drejtim, do t’i afrohej më shumë frymës kushtetuese për një afrim maksimal të numrit të votave që vendosin për përfaqësimin e vendeve në parlament. E dyta do të ofrojë një palë zgjedhje korrekte dhe të pranueshme nga të gjitha palët, pas zgjedhjeve. Ky amendament nuk do të lejonte mundësinë e aderacioneve, shtrembërimeve dhe shfrytëzimit të vakuumeve ligjore. Në qoftë se kjo do të ishte e pamundur, atëherë partitë politike duhet të bëjnë një pakt të hapur, ku të thonë që vakuumi ligjor nuk do të shfrytëzohet për të shtrembëruar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, përndryshe zgjedhjet do të ishin të sabotuara që në momentin e parë.

Sa shance ka opozita në këto zgjedhje që të vijë në pushtet?

Dua të bëj një parantezë. Ardhja jonë nuk e ka shpëtuar PD-në. Eshtë krijuar ideja, ose përpiqen të krijojnë idenë kundërshtarët e afrimit tonë sikur PD-në po e shpëton Imami, Zogaj apo të tjerë. Kjo nuk është e vërtëtë, këtë nuk e thotë as PD-ja, nuk e themi as ne. E dyta, KOP-i është një pasurim i PD-së, por as KOP nuk e zgjidh çështje. Nga ana tjetër në qoftë se PD-ja nuk do kishte bërë drejt këtë hap, mungesa jonë do t`i kushtonte më negativisht PD-së, sesa ardhja jonë, kjo është një vlerë e shtuar. Po kështu edhe me KOP-in. PD-ja e vetmja gjë, për të cilën mund të akuzohej, gjë që ka shpjegimet e veta, ka dhe shkaqe objektive, për shkak edhe të një opozite, siç e kam thënë në vazhdimësi të vështirë që ka kaluar këto tetë vitet e fundit, hapja ka qenë pika e saj e dobët, ka qenë “Thembra e Akilit”. Me këtë hapje tregon që mentaliteti i PD-së nuk është ai i një partie të mbyllur. Në rast se ka qenë për disa vite të mbajë disa qëndrime relativisht sektare, këto kanë qenë së pari të imponuara, së dyti, të krijuara nga një izolacionizëm i jashtëm dhe së treti, për shkak të reflekesve që këto japin brendapërbrenda partisë. Kështu që unë mendoj se PD-ja po bën maksimumin e asaj që duhet të bëjë për të krijuar një imazh pozitiv të sajin si parti. Një element tjetër që më bind në një fitore të zgjedhjeve, është se faktrikisht qeverisja socialiste në veçanti e theksoj jo për arsye personale, në katër vitet e fundit ka qenë inekzistente. Flasim që në katër vitet e para ka pasur një dëshirë për të qeverisur, ka pasur shumë gabime, por ka pasur një lloj dëshire për të administruar mirë ose keq. Kurse në rastin e katër viteve të fundit nuk ka pasur qeverisje. Lufta e brendshme e PS-së nuk ka lejuar që të qeveriset vendi. Dhe ajo çka është më kryesorja, që është dhe një nga arsyet e angazhimit tim me PD-në, është se këtu nuk flitet më për PS-në. Këtu flitet nëse Shqipërisë do t’i lihet në dorë të një grupi okult, i cili ka fuqinë ekonomike, politike dhe lidhje të provuara tashmë që bien në kundërshtim me ligjin dhe shkatërrojnë ekonominë e vendit, nëpërmjet moskujdesit për qeverisjen, nëpërmjet konfliktit të interesave, nëpërmjet kontrabandës masive. Kjo besoj se është kuptuar dhe do të kuptohet akoma më mirë nga qytetarët shqiptarë, të cilët do ta shohin PD-në dhe listën e saj të deputetëve si shpëtimin e vetëm për vendin.

Ka një krahasim mes Nanos dhe Berishës. Mund të na thoni se ku qëndron ndryshimi mes këtyre dy liderve?

Unë nuk dua të bëj as portretin e Nanos dhe as të Berishës. Por unë besoj se Berisha ka një rol të posaçëm, flas për rolin politik, jo për personalitetin. Ka një rol të posaçëm në shembjen e komunizmit. Kemi qenë së bashku për hir të së vërtetës në themelimin e PD-së, secili ka pasur rolin e tij. Roli që ka pasur gjithsecili prej nesh nuk e dëmton rolin e Berishës, ashtu si roli që ka pasur vetë Berisha nuk e dëmton personin tim. Besoj që eksperimenti që u bë është i kapërcyer. Besoj që siç e kemi thënë dhe këtu kam parasysh qoftë Zogajn qoftë veten në këto vitet e fundit, pra të gjithë kemi mësuar në këto 15 vjet. Kush nuk ka mësuar do të thotë që nuk ka kapacitetin e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›