E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet ligji i prokurimeve, opozita kundër

14/04/2005  Prokurimet do të bëhen për afate mbi 1 vit dhe nga kompani që kanë ekskluzivitetin

Ligji i prokurimeve me ndryshimet e kërkuara nga qeveria u miratua në Komisionin e Ekonomisë pa përkrahjen e deputetëve të opozitës. Ndryshimet e kërkuara u quajtën abuzim i hapur me ligjin dhe favorizime biznesi, nga ana e deputetit demokrat Ridvan Bode, i cili deklaroi se opozita është kundër këtij ligji. “Ndryshimet e paraqitura nga qeveria për ndryshime, afati kohor të prokurimeve, kanë për qëllim përfitimin nga fondet buxhetore të viteve të tjera”, ka deklaruar Ridvan Bode. Deputeti demokrat ka patur disa argumente kundër shtrirjes së afatit të prokurimeve nga 1 vit deri në 5 vjet, duke kujtuar se kjo bëhet vetëm për të favorizuar biznese që janë pranë qeverisë. “Kjo do të sjellë një ngurtësim të konkurrencës dhe ulje të cilësisë së shërbimit”, ka deklaruar Ridvan Bode, duke votuar kundër ligjit të ri të prokurimeve. Ndërkaq, duket se deputetët socialistë i kanë quajtur të arsyeshme ndryshimet, duke pretenduar se kjo është në të mirë të cilësisë së shërbimit, por dhe të interesit të sipërmarrësve, të cilët do të investojnë paratë e tyre në prokurime që do të bëhen në spitale apo dhe në qendra të tjera. “Problemet e mprehta që janë shfaqur në cilësinë e shërbimeve të hotelerisë apo lavanderisë në spitale e qendra shtetërore, kanë bërë që të kërkohen investime më të mëdha për të patur shërbim cilësor dhe sipëmarrësit që do t’i bëjnë këto investime duhet të kërkojnë kohë, e cila nuk mund të përmblidhet brenda një viti buxhetor”, është shprehur Mezan Malaj. Ligji për prokurimet ka patur dhe një obsion tjetër shtesë, që tenton t’i detyrojë institucionet t’i blejnë mallrat nga firma, të cilat kanë ekskluzivitetin e mallit apo shërbimit që kërkohet. Deputeti Mezan Malaj e ka mbrojtur këtë pikë të projektligjit, duke deklaruar se kjo nuk sjell asnjë problem për prokurimin. “Unë mendoj se duke blerë te firmat që kanë ekskluzivitete, firmat nuk kanë nevojë të kërkojnë lejen e Agjencisë së Prokurimeve, pasi dihet se ai që ka ekskluzivitetin e ka dhe me çimin më të favorshëm”, ka deklaruar Mezan Malaj. Specialistët në Ministrinë e Shëndetësisë e kanë justifikuar ndryshimin e ligjit me faktin se, brenda institucioneve shtetërore, ku është e detyrueshme të shërbehet ushqimi apo të kenë lavanderi, siç janë spitalet apo burgjet, ka një nivel mjaft të ulët shërbimi, edhe pse shteti harxhon para për këtë qëllim. Kjo i ka shtyrë vetë institucionet t’i referohen një firme për të kryer këtë aktivitet, e cila do të marrë paratë që janë përcaktuar në buxhet për këtë qëllim dhe që i jepen institucionit çdo fillimviti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›