Tezat e Ramës, dredhi elektorale
Nga Safet Sula
Edi Rama e ka të humbur betejën e 28 qershorit që në zanafillë. Çfarë u ka ofruar ai shqiptarëve në ligjërimin e tij: “Të bashkohemi për të sjellë ndryshimin dhe t’i japim fund politikës së vjetër”? Me nënkuptimin e thjeshtë se unë jam ai që do të sjell një Shqipëri më të mirë.
Së pari: A ka qenë Edi Rama pjesë e politikës shqiptare që prej ardhjes së demokracisë me publicistikën e tij?
A ka qenë ministër i qeverive socialiste nga viti 1998 deri në 2000?
A ka 9 vite që është kryetar i bashkisë së kryeqytetit i zgjedhur nga kupola e politikës së majtë socialiste? (më parë se të zgjedhin qytetarët, duhet të emërojë politika).
Prandaj është paradoksale të ndash veten nga politika e Shqipërisë në këta 18 vjet kur nuk ke qenë spektator i saj, por një nga aktorët më të rëndësishëm.
Ajo çfarë kryetari aktual i PS-së ka ligjëruar deri më sot para shqiptarëve nuk është gjë tjetër veçse një godinë që nuk ka themele dhe si e tillë është e destinuar të shembet. Po pse godina e tij nuk ka themele?
Ja çfarë thotë Ayn Rand, një nga mendjet më të ndritura të filozofisë së shekullit të 20-të.
Nëse ju jeni seriozisht i interesuar në luftën për një botë më të mirë, filloni me identifikimin dhe natyrën e problemit. Beteja së pari është intelektuale (filozofike) dhe jo politike. Politika është konsekuenca e fundit, implementimi praktik, i ideve fondamentale që dominojnë kulturën e një kombi të caktuar. Ju nuk mund të luftoni ose ndryshoni konsekuencat pa luftuar dhe ndryshuar shkaqet, por gjithashtu nuk mund të bëni përpjekje për një implementim praktik pa ditur çfarë do të implementoni.
Po çfarë na ofron Edi Rama me ligjërimin e tij në gjithë këtë kohë që është dhe kryetar i Partisë Socialiste?
Ai u ka thënë dhe u thotë shqiptarëve “se politika dhe politikanët janë e keqja e këtij vendi”.
Pra, nuk është e vështirë që në këndvështrimin e kësaj filozofie brilante të kuptojmë se Edi Rama nuk merret me shkaqet, por me konsekuencat siç është politika.
Vini re ligjërimin e Edi Ramës, i cili përpiqet që luftën për pushtet t’ua shesë shqiptarëve si jo politikë “përtej së majtës dhe së djathtës” ose “unë nuk jam politikan” ose “të bashkohemi të gjithë për të ndryshuar politikën e vjetër”. Ai që e ka udhëzuar Edi Ramën e di shumë mirë këtë handikap të madh, që betejën politike të Edi Ramës do ta shesë si betejë filozofike, pasi një ligjërim filozofik ka më shumë gjasa të pushtojë mendjet e njerëzve sesa një ligjërim politik.
Kështu, nuk është e vështirë që të dallohet që të gjitha përpjekjet e udhërrëfyesit të Edi Ramës janë që të bindë shqiptarët se Edi Rama, politikan tashmë, po u paraqet një ide filozofike që do të ndryshojë Shqipërinë.
Por njëherazi do të vija në dukje se Edi Rama, me ligjërimin e tij të derisotëm, ka vënë në diskutim vlerat e demokracisë dhe nuk besoj se shqiptarët nuk e kanë kuptuar këtë.
Prandaj kjo tentativë e Ramës nuk është as e re dhe as filozofike dhe, si e tillë, pra një përpjekje mashtruese, është e destinuar të dështojë që në zanafillë.