Të gjithë drejt piedestalit!
1. Kur e kam parë për herë të parë “Big-Brodher” (po e shkruaj shqip), jam habitur se si njerëzit qëndrojnë tre muaj të mbyllur, vetëm për të dalë nga anonimiteti i thellë i tyre!!! Ose, thënë më saktë, jam habitur se si nuk lënë metodë pa përdorur për t’u bërë dikushi në shoqëri! Mblidhen një grup vajzash e djemsh, mbyllen në një shtëpi moderne, të punuar enkas për këtë emision, dhe vetëm për pak ditë bëhen njerëzit më të popullarizuar!!! Për ta diskutohet bash kudo!!! Madje, për të qenë habia më e madhe, për këta djem e vajza - besa edhe burra e gra të martuara, që i lënë gratë e burrat në shtëpi dhe, kur i merr malli për ta (to), i përshëndesin nga shtretërit e “Big-Brodher”-it me “të puç” - flasin edhe profesorët me nam të universiteteve në Prishtinë e Tiranë!!!
(Politikanët, veç nëse janë me dashnoret e tyre, se s’kanë kohë të merren me diskutimin e “aktorëve” të “Big-Brodher”-sit, të “Shtëpia e Kosovës” etj., pasi janë të zënë shumë me ngarendje për t’ua siguruar miqve të tyre tenderët. Në fakt, pse s’po e them drejt: duke vrapuar për t’i mbushur euro e lekë xhepat e vet dhe të miqve).
Aman, aman! Mund të mos kesh as shkollë, as libra të botuar, as të kesh punuar gjë për të mirën e vendit, as të mos kesh zë prej këngëtari a këngëtareje, as të jesh spikatur me diçka në jetë…thjesht asgjë mund të mos kesh qenë e as të kesh kontribuar në këtë shoqëri, kur, veç pas tre muajsh, si zogjtë që dalin nga vezët, personazhet e “Big-Brodhers”-ave dhe të “Shpiave të Kosovës” të bëhen njerëzit më të popullarizuar kudo!!! Harrohen doktorët e njohur të shkencave, politikanët, ngjarjet shkencore e politike. Harrohet çdo gjë, more!!! Gjithkah të gjendesh, vetëm për këta “heronj” e “heroina” të reja të shoqërisë sonë flitet pastaj!!! Shikoni: bash pa bërë kurrë asgjë më parë, bëhen përnjëherë njerëzit më të popullarizuar!!! Çka s’i shkon ndërmend njeriut!!! A s’thoshte Frojdi se gjithë njerëzit kanë dëshirë të bëhen të mëdhenj, në një mënyrë a në një tjetër. Burrë i mençur Frojdi. (Por s’e di nëse kur kishte folur për njerëzit, i kishte llogaritur a jo brenda këtij nocioni edhe politikanët. Edhe nëse s’i ka llogaritur, arsyetohet, pasi nuk e ka pasur fatin të jetojë në Kosovën e pasluftës, ku “kuca” e “maca” janë ngritur në këmbë për t’u shndërruar në personalitete politike nga anonimiteti i thellë. Të kishte qenë sot gjallë Frojdi (o Zot pse s’i ke dhënë më shumë jetë?), e t’i kishte parë gjithë këta billbordë e postera në Kosovë, madje edhe nja dhjetë libra do t’i kishte shkruar më shumë për unin e njeriut që të duket me çdo kusht i madh. Ndoshta edhe s’kishte thënë, se gjithë njerëzit kanë dëshirë të bëhen të mëdhenj, por do të kishte pohuar ndryshe. P.sh., se gjithë njerëzit kanë dëshirë të bëhen politikanë, duke nënkuptuar kështu edhe nocionin “të popullarizuar”, meqë politikanët janë shumë të popullarizuar sidomos në Kosovë e Shqipëri.
2. Merreni me mend: nga mbi 3000 mijë kandidatë për 100 ulëse të Parlamentit të Kosovës, nja 2500 sish, deri sa i kanë ngjitur posterët dhe billbordët në qytetet e tyre dhe në kryeqendër, nuk i ka njohur kush se ekzistojnë dikund. As si intelektualë të zotë, as si mësimdhënës, as si atdhetarë, as si shkencëtarë…bash, de, për asgjë. Po flitet se edhe vetë po habiten kur po i shohin posterët dhe billbordët e vet të ngjitur në të gjitha skutat e fshatrave e të qyteteve… madje, o burra, edhe në kryeqendër!!! Dhe, pasi po binden që janë vetë, po e rregullojnë kravatën që po u prishet duke ngarendur pas ndonjë daje a tezeje, axhe a kushëri, për t’ua dhënë votën të shkretëve. Ose, më saktë, për t’u ndihmuar të zgjidhen e të popullarizohen aq sa këta burra e gra, që s’i ka njohur kush bash për asgjë - të bëhen faktorë të rëndësishëm në Kosovë, dhe të na vërviten biles për nja katër vjet para syve, përmes ekraneve televizive dhe gazetave. Madje, edhe t’ua lexojmë intervistat me përplot “margaritarë dijeje”.
Është për t’u admiruar guximi i njerëzve që pa bërë asgjë, të ngrihen në personalitete. Hej, pa qenë askushi, de!!! Nejse, të mos e teproj se disa i njoh, p.sh., një pjesë e lagjes së tyre, i njohin një pjesë e kushërinjve… Nëse janë mësimdhënës, i njohin nxënësit që u japin mësim, se ata që u kanë dhënë, nuk i mbajnë mend për ndonjë ligjëratë me vlerë. More, pasi po i kërkojnë partitë mësimdhënësit, s’di pse s’po i zgjedhin bile ata që, së paku, i njeh tërë kolektivi i shkollës ku punojnë?!). (Më guxim është për t’u ngjitur në një post, që s’e ke takatin, se sa të marrësh pjesë në shumë luftëra, more! Se, në luftë, edhe mund të shpëtosh, kurse ta udhëheqësh një punë që s’e ke takatin, e ta dinë këtë gjë gjithë ata që i udhëheq ti, vallahi është shumë më vështirë. “Janë psikopatë këta tipa”, më thoshte një mik imi. Ama, a s’është për t’u admiruar kjo lloj psikopatie? S’e kanë takatin, e bëhen faktorë!
3. Po nejse, t’i kthehem temës. Fushatat parazgjedhore në Kosovë (njëjtë që 20 vjet është edhe në Shqipëri)- po bëhet si “Big-Brodher”, si “Shtëpia e Kosovës”… Kah të lëvizësh, dëgjon se filani paska kandiduar për deputet. S’është me rëndësi do të fitojë a jo. E rëndësishme është se opinioni po e di, së paku, cili ka kandiduar. Edhe kjo që po e di, mjafton të kuptohet se gjithë kandidatët që nuk i ka njohur kush për asgjë më parë, kanë dalë nga anonimiteti i thellë. Për ta, o burra, po flitet. E s’është folur kurrë më parë. A s’është, more, ky popullaritet?! Si ka njohur as lagjja e tyre, e tash biles po diskutohet për ta nëpër fshatra e qytete. Të ishte gjallë, së paku, Frojdi, kjo po më brengos pak. Të shihte se ç’bën ambicia e njeriut për t’u dukur dikushi. Se, për t’u arsyetuar kjo ambicie, është. E ka arsyetuar vetë Frojdi, duke e pranuar si pjesë të unit të njeriut. Dhe pse të mos arsyetohet?! Arsyetohet kur kihet parasysh se ka krime më të rënda që i ka bërë njeriu nga dëshira për t’u dukur i madh. P.sh., krim më i rëndë për t’u bërë i madh ka qenë vrasja e këngëtarit Xhon Lenon, nga një fans i tij, jo se kishte diçka me Lenonin, por veç pse vrasësi, me vrasjen e tij, synonte të bëhej i njohur në krejt botën, ashtu si edhe u bë. E, pra, ka krime shumë më të rënda se ambicia e askushave për t’u bërë deputetë. Meqë nuk e kanë zgjedhur rrugën e fansit të Lenonit, janë madje edhe për t’i falënderuar që kanë projektuar mënyra të tjera për t’u popullarizuar. Krejt çka i rrumbullakëson “krimi” i tyre, është se e sjellin vetveten në pozitë qesharake. Sa për ta argëtuar për disa kohë opinionin, si personazhet e “Big-Brodhers”-it, të “Shtëpia jonë” … Po një gjë s’po e kuptoj: pse liderët e partive pranojnë t’i mbushin listat me askushat? Sa here ia kam bërë vetes këtë pyetje. Dhe përgjigjja më dilte: m’u për këtë, asnjë lider partie nuk e meriton të na udhëheqë. Se ai që nuk i njeh askushat, edhe vetë është i tillë. “Gabim është përgjigjja, miku! Njerëzit po ngjiten në piedestal, vetëm përmes askushave. Se vetëm këta janë të vlefshëm për karrierën e tyre”, sikur më tingëllon zëri i Frojdit. Ani, de! Do të kemi politikë argëtuese edhe për disa vjet. Veç duhet t’i lutemi Zotit që të mos kemi njerëz që duan të bëhen të mëdhenj sikur fansi i Lenonit. Se të tjerat i durojmë…