Të gjithë ndjehemi krenarë për ndryshimet e Shqipërisë në këto vite

Historia e Parlamentarizmit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pritje për klubin e grave të Trupit Diplomatik
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ka organizuar një pritje për klubin diplomatik “Mirëserdhe në Shqipëri”, të zonjave diplomate, bashkëshorte të ambasadorëve të akredituar në Tiranë si dhe ish-deputete të Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë takim, si iniciatore të Klubit diplomatik “Mirëserdhe në Shqipëri” ishte bashkëshortja e ambasadorit të OSBE, Ana Maria Uollfarth si dhe znj. Liri Berisha.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli organizoi pritjen në një nga sallat kryesore të Kryesisë së Kuvendit, e cila ishte shndërruar në një ambient të veçantë ku ishin ekspozuar punime artizanale të bëra me dorë nga gratë shqiptare, kostume tradicionale nga të gjitha trevat në kohë të ndryshme si dhe piktura me pamjen e qyteteve të vjetra shqiptare të shekullit të kaluar. Kryetarja Jozefina Topalli bëri për të pranishmet një prezantim të shkurtër të historikut të parlamentarizmit shqiptar qysh me fillimin e tij në vitin 1912, 100 vite më përpara, për të vijuar më pas me Këshillin Kombëtar të Lushnjës, Kuvendin Kushtetues, afirmimin e Shqipërisë si Republikë Parlamentare, periudha e mbretërisë shqiptare, periudha e errët e komunizmit e Kuvendit Popullor, dhe më pas rilindja e Parlamentit në vitin 1991. “Pavarësisht nga vështirësitë dhe sfidat që Parlamenti ka kaluar gjatë kësaj periudhe, unë jam shumë e kënaqur, pasi po të shohim pak më prapa të shohim ku kemi qenë dhe ku jemi, secila prej nesh duhet të jetë jashtëzakonisht krenare se sa shumë ky vend ka ndryshuar, se sa shumë larg ky vend ka shkuar në një kohë relativisht të shkurtër” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Me kënaqësi, Kryetarja e Kuvendit njohu zonjat e nderuara me projektin për godinën e Parlamentit të ri duke theksuar se ky do të jetë monumenti dinjitoz e përfaqësues i shqiptarëve, simbolika e demokracisë së Shqipërisë së këtij shekulli të ri.
Zonja Liri Berisha vlerësoi rëndësinë e ekspozesë së historikut të parlamentarizmit shqiptar, dhe në veçanti rolin dhe kontributin e gruas ndër vite në konsolidimin e shoqërisë shqiptare. “Një shoqëri pa rolin, pa kontributin, pa butësinë dhe ndjenjat e gruas është një shoqëri e ngurtë, një shoqëri e vrazhdë, një shoqëri pa ndjenjat e jetës. Në rast gratë sot të bashkohen dhe do të ndihmojnë njëra-tjetrën, sfidat do të jenë më të lehta. Në rast se zërat e tyre do të bashkohen, zëri i tyre do të jetë i lartë dhe i pa-rikthyeshëm, nuk do të mund të mposhtet” u shpreh zonja Liri Berisha.
Bashkëshortja e Kreut të Prezencës së OSBE në Tiranë, Ana Maria Uollfarth në emër të grave diplomate falënderoi Kryetaren e Kuvendit, e cila siç tha ajo: “Hap dyert e Parlamentit, “Shtëpisë së Demokracisë së Shqiptarëve” për të mësuar mbi parlamentarizmin, historinë, dhe për të patur një imazh se si kanë kapërcyer shqiptarët kohëra të vështira deri në ditët e sotme”.